Mbresa për librin e Xhevdet Bajrajt “Me zemër në qese najloni” / Nga: Blerim Rreci

 
Mbresa për librin e Xhevdet Bajrajt “Me zemër në qese najloni”
 
Fillova ta rilexoj librin e Xhevdet Bajrajt “Në zemër me qese najloni”. Derisa thonë se poeti përcjell nga vetja, me ta lexuar pjesën e parë, ciklin me të cilin nis libri, i titulluar “Vatër”, poeti Bajraj jo vetëm që shfaq veten e tij te ne, po na bën që në këto që ka shkruar të shohim edhe ne përjetimet, ngjarjet e dromcat tona, nëpër rrjedhën e jetës që kemi kaluar. Të një a disa atdheve. Të një a shumë historive të trishta e plot dhembje.
Nëse më lejohet, e mund të veprohet kështu, ciklin “Vatër” do kujtoj ca dromca të mia prej të riu e adoloshenti, që më vijnë si shirit filmi derisa jam duke lexuar e duke u thelluar pak më shumë në të.
Në poezinë “Kosova dhe Shqipëria I”, poeti ashtu siç di të rrëfej qartë , kthjellët e në mënyrë dramatike periudhën e “kohës së rëndë” e kur “Shqipëria mezi qëndronte në gjunjë”, ndërsa “Kosova bëhej gati të therrej”. Si kujtim personal më vije nëpër mendje, një kartolinë dërguar nga vëllau që kishte mërguar në Gjermani, me një copë të tejdukshme e plastike në mes me një copë guri të Murit të Berlinit.
Për të vazhduar me poezinë për Nexhat Dibrën, i cili pasi ishte lirisë nga burgu, kishte shkuar t’i merrte disa vite burg të të burgosurit politik Metush Krasniqit, e më pas kishte kaluar ilegalisht në Shqipëri. Përsëri Po përmend një përjetim personal. Jetonim në lagjen Arbëria (ish-Dragodan), si fëmijë të vegjël dëgjonim më të mëdhenjtë të flitej për Metush Krasniqin, (një djalë i tij, vinte në dyqanin tonë familjar për të blerë ndonjë gjë) dhe për vdekjen e tij, pak ditë pas lirimit nga burgu.
Te poezia Plaku i Korishës, ku plaku të cilit mjekët i kishin thënë se ka edhe gjashtë muaj jetë, i telefonon nipit në Gjermani, i cili vjen ilegalisht në Kosovë për të dalë ilegalisht në Shqipëri, dhe kështu plotësohet amaneti i tij për ta parë një herë me sy Shqipërinë (ndonëse i verbër) para se të mbyllte sytë përgjithmonë në këtë botë. Përsëri me një përjetim personal. Gjyshi im e thonte se duhet bërë diçka për ta takuar nipin e tij që s’mund të vinte në Kosovë, pas largimit me ata të rinj që i shmangeshin shërbimit ushtarak, (nuk pat arritur ta shihte), e gjyshja me njërin nga djemtë, kalojnë nëpër liqenin e Shkodrës për t’u takuar me nipin, për mungesë dokumentesh, pas pesë-gjashtë vjetësh.
Poezia “Restoranti Nikolino” flet për kohën kur u pat liruar kufiri, dhe sjell përsëri përjetimin personal, kur një pjesë e familjes u patëm takuar me vëllain mërgimtar në qytetin e Durrësit, dhe kalimin e pushimeve të asaj vere të ngrohtë e me ngjyra malli, e të një Shqipërie që mundoheshim ta njihnim sadopak…
Poezia “Restoranti Kumanova” në një park në qendër të Tiranës, ku kryesisht takoheshin shqiptarët e ish-Jugosllavisë, ku paraqet bisedën Nexhat Dibrës me mikun e tij (që dikur kishte punuar në komunë, në Kosovë, me tash plakun nga Korisha e Suharekës)ai që shkon ta vizitojë Shqipërinë për së gjalli. Përsëri me një përjetim personal. Pas përfundimit të shkollës së mesme, me kokën plot tym e mjegull, nga robëria e rëndë, e gjendja e paqartë, m’u pat tekur, pata marrë rrugën për Tiranë me babanë, u pata regjistruar në Degën e Gazetarisë, pas trazirave të marsit ’97, aty u pata bërë bashkë me tezakun që kishte pak kohë që ishte në Tiranë, me ca miq të tij studentë nga Kosova, çaste kalonim edhe te “Kumanova”. Unë u pata kthyer pas gjashtë muajsh në Kosovë, (për të gjetur strehë, nëpër Bllacë e Stankovec, e pastaj në Elbasan me familje)e ata që njihja pas qershorit ’99.
Poezia “Shtëpia e Nexhatit”, paraqitet skena kur Nexhati u tregon familjarëve takimin me mikun e tij të verbër, plakun nga Korisha që kishte ardhur ta shohë Shqipërinë, djemtë e nuset, thonë se mikut të tij iu paska tharë truri, ndërsa Nexhati mbyllet në dhomën e tij, pij disa teke raki, e assesi ta zinte gjumi, pasi ishte i lënduar nga fjalët e djemëve dhe habia e tyre për aktin e mikut të tij.
Te poezia “Epilogu” poeti lë Nexhatin për të kaluar vitin 1997 në Shqipëri, e kthehet në Kosovë për të jetuar dy vitet pasardhëse.
Cikli “Vatër” përmbyllet me poezinë “Kosova dhe Shqipëria II”, kur çlirohet Kosova, pas vitit 2000, me vizitën e të verbërve të Kosovës në Shqipëri, organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.
Duke qenë vëzhgues, vrojtues, e i lidhur pashmangshëm me fatet e atdheut, fatin e tij e të njerëzve tjerë, poeti Bajraj përshkruan me detaje e hollësi episode të luftës që shpërtheu, gjurmët, plagët, gjakun e gjëmën që shkakton ajo, të burgosurit, të plagosurit, të vrarët, të varrosurit, të zhvarrosurit, bartjet e kufomave nga Kosova për në Serbi, për fshehje e humbje gjurmësh. Flet për lirinë e ardhur por me urinë që vazhdon të tejzgjasë, për majmëri politikanësh si sorra, që s’lënë gjë pa kullot, pasi të nesërmen ia kanë lënë popullit, flet për familjarë e fëmijë dëshmorësh që vuajnë në liri, për invalidë lufte që derisa kujtojnë bashkëluftëtarët që edhe në liri u dyndën në mërgim për të siguruar kafshatën e bukës, vijnë deri aty sa mallkojnë plumbat që i lanë gjallë, e bashkë me të rënët që me zemër e shpirt rrokën pushkët, por për të luftuar për një atdhe që do të jetonte në dinjitet, pra për një “atdhe tjetër” e jo si ky i sotmi në varfëri e maskarallëk. Vargu i gjithë plagëve, problemeve e çoroditjeve është aq madh, e aq i qartë është zëri i poetit sa që me shprehje mllefi të forta përshkruan këtë gjendje, siç thotë Jesus Lopez Pacheco: “Sepse tërë atë që kam parë e mbaj në krahëror dhe më rëndon shumë nëse nuk e flas”, e prandaj po sipas një vargu të një poezie tjetër të Pachecos, se na duhet e kemi një “shtrëngatë zemërimi dhe shprese”.
Poeti Bajraj duke parë gjithë ato që sheh, na përkujton “fabrikat për prodhimin e asgjësë”, “fushat e arat e lëna djerrë, e budallakinë që rritet si bari”, “shtëpitë e braktisura”, “të rinjtë e papunë”, “ambientin me kodra që hamë, e lumenjë të helmuar”, “me linjat trullosëse mediale, me krime, thashetheme, lakuriqësi, me suksese lojtarësh e këngëtarësh tanë nëpër botë, etj, etj”, derisa vazhdojmë të vuajmë nga liria që ka ardhur. Ka poezi që në dukje të parë janë edhe formula të pagabueshme karakteresh të ulëta e të pangopshme por që janë edhe demaskuese, me shpresë që ndoshta mund të vijë një kohë kur mund t’i kujtojmë si gjëra që nuk do t’i lëmë të përsëriten, si te poezia >>Qençe>>:
“Është atdhetar i flaktë/e do vendin qençe/se lirinë e sheh si asht/të vetin”.
Ka përplot deformime të tilla që poeti u bë një skanim të thellë, duke e ditur se pa u pastruar nga ligësia, hipokrizia, injoranca, korrupcioni e gjitha këto derivate që na çojnë në theqafje, nuk mund të flasim për një atdhe të mirë e të lirë. E jo të vërdallisemi si të pakokë nëpër atdheun ku mund të vrasin pas çlirimit, mund të përbuzin, mund të tallen me të rënët duke iu bërë kiç-përmendore, e ku masakrohen peisazhe, qytete, qyteza, vendbanime, ku një grusht vendimmarrësish bëhen bashkë për ta lënë popullin vetëm… Por në një atdhe që ta ka ënda të rrish, të mirëpërdorësh lirinë, qoftë duke jetuar brenda tij, qoftë kur ta vizitosh me mallëngjimin që ke marrë në mërgim, dyerve të botës. Një atdhe ku nuk kanë ftohtë të vdekurit e të gjallët e nga sikleti nuk i kërcasin dhëmbët. Një atdhe që nuk të mbetet në fyt. Të gjitha këto i gjejmë te libri i ri i Xhevdet Bajrajt, i cili vjen me këtë libër-projekt për të prishur “fole sorrash” nëpër pemë, duke lënë gjurmë mbi një vend (vendin tonë) që kërkon të jetë një vend ashtu siç i ka hije, pa ngufatjen që ka kohë që po ia zë frymën…
 
 
 

 

Nga: Blerim Rreci

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s