Cikël poetik nga Gladiola Jorbus

 
Cikël poetik nga Gladiola Jorbus
 
 
Libri i kohës
 
Shpirti zhvishet mes vargjesh.
Bota përgjon fytyrën
që fshihet pas maskës.
Ditënatë e pështjelluar.
Vetmi ishulluese –
nën pëlhura të zhubrosura.
Dashuri ngurosëse si vështrimi i Meduzës.
Nuk mund të rendësh me galop,
hipur mbi një gërdallë të vjetër
si Rosinanti.
Kur jeta plazmohet në librin e kohës,
si trillet tinëzare
që përvijojnë paradokset.
Dhe shpresa mbështillet,
me kokrriza të njëtrajtshme graniti
për të mos fluturuar me erën.
 
 
Kukull
 
Kukull lecke.
Kukull e porcelantë.
Kukull e drunjtë.
Kukull kartoni.
Kukull këmbëzbathur,
me shpirt artificial.
Që në vend të kozmetikës farfuritëse,
preferon ngjyrën e plogësht
Të neonit.
Kukull e dëshiruar
në vrujime puthjesh
që perënduan larg.
Kukull e uritur për emocionin
e sëndukut të pajës.
Dantellat e tua,
S’janë veçse vello të rreckosura
të plandosura mbi një shtrat të çartur, anonim.
Të dashurosh -oh po
Ky ishte shkretimi yt.
Kukull, pafund e bukur!
duar, duar e sërish të tjera duar – të padukshme
të lëvizin fijet e fatit të çmeritur.
Fshihesh pas rolit modern
të kërkimit të vetvetes –
derisa heroi i legjendës urbane,
të shndërron në një kufomë patetike,
me ditë të numëruara.
Dhe ti kukull – mbetesh peng
i një ujëvare lotësh,
dehëse – gjer në marrëzi.
Nata sërish,
të mbuzet mbi shpirt.
Si fragmenti i një ëndrre
që përthyen vetmitë.
 
 
E fundmja gjurmë
 
Arratisur nga shtegu i dritës,
një bulëz vese të shfaqet mbi sy,
si agimi i bardhë në det të hapur.
Brengat e tua zbuten
nga shushurima e lehtë e zërit tim –
Kur rrezet diellore shtriqen,
mbi gjethet e përgjumura të vjeshtës.
Dua të t’ dhuroj një lot të jargavantë,
si mbrëmja që të mbuzet nën qerpikë!
Dashuria, e fundmja gjurmë e mbetur nga Zoti,
flatrat tund në rrokullisje të hapësirshme,
përtej vijës së tejme, ku qielli puthet me tokën.
Pelegrin i shpirtit tim!
Si ylber lodron emri yt, në flakën e qirinjve!
Dhe dëshirat e fjetura në humnerat e thella,
zgjohen e ngjiten ndër yje.
 
 
NIRVANË
 
Rrugëtimi i shpirtit në kërkim të Zotit,
takohet me veten, me ëndrrat, vetminë –
shumëçka që dikur i ngjallte frikë, dëshirë a trishtim.
Mjegulla nis të zbehet, errësira ndriçohet,
në humnerat e pashkelura më parë.
Lakmitë, urrejtja, ambiciet zhbëhen.
Mbyll sytë, çel zemrën, rizgjohem…
NIRVANË.
 
 
TRILL
 
Dritëzat u shuan në pupilat e mia.
Lotët ëndërrojnë të shndrisin muzgëtirat.
Hijet notuese kridhen
mbi detin kaltëror të trishtimit.
E dhembjet – fshikullojnë rrezet e diellit
në flokë, në arterie, në krejt shpirtin tim.
Malli i zbehur nga vitet e brishta
derdhet në lumë si një poezi e harruar,
si një peng i vjetër që humbet në rrjedhën e tij.
Nata zhvesh petkun e errët.
Ngjyhet me purpurin e çmendur të agimit.
Dhe me një buzëqeshje shtinjake,
u dorëzohet trilleve të lashta sa Toka.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s