Traumat e ekstazave dhe natyra e abuzimit / Nga: Alma Hasalami

 
Alma Hasalami
 
 
 
Traumat e ekstazave dhe natyra e abuzimit
 
E dimë që përdoruesi i substancave kërkon gjithmonë ekstazën, por habitemi si nuk ngopet asnjëherë dhe vazhdon sjelljen e tij vetëshkatërruese.
 
Në lashtësi substancat psikoaktive janë përdorur për qëllime afrodiziake, shëruese dhe për transhendim. Mirëpo sot i shohim të përdoren si analgjezikë apo si mjet abuzimi. Shumë të rinj, kur janë nën efektin e substancave, e gjejnë veten në marrëdhënie seksuale shkatërruese apo shpenzojnë shumë para, të cilat mund të mos i kenë të tyret. Një djalë 36 vjeç, sa herë që pinte kokainë, shkonte luante kazino, shpesh herë me para borxh, dhe do të konfliktohej patjetër me dikë. “Është një trekëndësh,” thoshte ai “që nuk i shpëtoj dot! Sa herë marr kokainë, bëhet e pamundur shmangia e kazinosë dhe e sherrit.”. Një djalë tjetër i ri tregonte se si sa herë që merrte kokainë, bënte seks të rastësishëm i cili nuk e kënaqte asnjëherë. Mezi priste të kthehej në shtëpi që të masturbohej e të përjetonte ekstazën që kërkonte.
 
Natyrshëm lind pyetja: si ka mundësi që të njëjtat substanca që më parë të ndihmonin të transhendoje, sot të çojnë drejt greminës me sjelljet vetëshkatërruese? Ne jemi mësuar të shajmë substancën, ta fajësojmë për gjithë mjerimin ku na çon abuzimi me të. Madje për këtë na ndihmon dhe ligji i cili quan ilegale substancën dhe jo sjelljen. Kështu, të gjithë ato substanca psikoaktive të cilat kanë efekt shërues, përjashtohen nga terapitë standarde dhe njeriu privohet nga dhuratat më të bukura që natyra i ka falur.
 
Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetje duhet të kuptojmë pse abuzojmë me substancën. Zakonisht abuzojmë me diçka, kur kemi kujtime traumatike që lidhen me atë gjë. Në disa raste, përmes hipnozës, subjekti përballet me kujtime të jetëve të kaluara, ku ai mëson se është abuzuar nën efektin e substancave. Zakonisht është vjedhur ose përdhunuar, ose të dyja bashkë. Prandaj në këtë jetë, ai, kur pi, shpenzon gjithë pasurinë e tij ose përfshihet në sjellje seksuale vetëshkatërruese. Duhet të kemi parasysh që subkoshienca punon me qark të shkurtër dhe krijon disa modele, në varësi të eksperiencave të kaluara, që aktivizohen jashtë dëshirës tonë koshiente. Si puna e reflekseve të kushtëzuara, marrja e substancës nxit sjelljen traumatike që e ka shoqëruar më herët atë. Kështu binomi apo trekëndëshi bëhet drejtues i sjelljes dhe njeriu bie viktimë e vetes së vet.
 
A mund të shërohet kjo? Patjetër që po. Nuk ka asgjë që nuk shërohet kur je i hapur me veten dhe e dëshiron transformimin. Shumica e përdoruesve nuk arrijnë dot ta imagjinojnë jetën e tyre pa substanca. Sepse askush nuk mund të jetojë një jetë pa ekstaza. Askush nuk u tregon atyre se nuk është e nevojshme të zhdukësh substancën nga faqja e dheut, por të shërosh sjelljen abuzuese me të. Kjo e fundit vjen vetëm pasi të pranojmë që jemi abuzuar në të kaluarën, jemi vjedhur e përdhunuar. Shkatërrimi i ekstazave në të kaluarën, kënaqësia e përzier me dhimbjen, duhet shëruar si model. Ekstazat e dashurisë dhe ekstazat e pasurisë janë ato që krijojnë qenien tonë dhe jetën. Duke qenë se ekstaza ka shumë lidhje me subkoshiencën, ne aty mund të gjejmë të vërtetat më të mëdha të vetes dhe traumat më të rënda. Duhet të kuptojmë që nuk mund të vazhdojmë të gjenerojmë sjellje abuzuese, meqë më parë jemi abuzuar.
 
Nuk mjafton të shpallim ilegale një substancë si heroina, që pastaj në tregun e zi ajo të përzihet me lloj lloj helmi edhe më të lig, që të përdoret rëndom pa pikë përgjegjësie. Akoma nuk e harroj imazhin që kam parë në tualetin e një pub-i në bregdetin e jugut të Shqipërisë, koshin e mbeturinave që po shpërthente nga shiringat. Kishte më shumë shiringa se ç’kishte njerëz në pub.
 
Ndonëse të dëshmosh se je vjedhur apo përdhunuar mbetet shumë stigmatizuese dhe sot, duhet të ndërgjegjësohemi se këto dy fenomene janë shumë të përhapura, më shumë se ç’mund ta mendojmë. Spitalet psikiatrike janë të mbushura plot me meshkuj të cilët janë vjedhur dhe femra të cilat janë abuzuar seksualisht. Dhe në një masë më të shtrirë si shoqëri, ne sot jetojmë me bankat të cilat na vjedhin paratë dhe kohën. Shkojmë te doktori, të cilin nuk e njohim, por e lejojmë të bëjë çfarë të dojë me trupin tonë. Po, jemi të vjedhur e të përdhunuar dhe nuk ankohemi. Vazhdojmë të njëjtin model shkatërrimi të ekstazave. Dhe ngaqë ekstazat i kemi të shkatërruara, vendosim të shndërrohemi vetë në abuzues.
 
Natyra e abuzuesit është natyra e një njeriu i cili nuk ngopet asnjëherë. Pse? Sepse i ka ekstazat të gjymtuara: kënaqësi e përzier me dhimbje e cila nuk çon asnjëherë te pasurimi apo rehatia e vetes. Rasti më ekstrem është ai i vrasësit serial. Ai e di shumë mirë që po bën një gjë të gabuar, por ekstaza që ndjen kur vret dikë është motori që e çon në përsëritje të krimit. Prandaj, kur abuzojmë me ekstazën e dikujt, duhet të kemi parasysh që po krijojmë një abuzues të ri. Kështu krijohet një shoqëri që abuzon me kë të gjejë rastin dhe nuk ankohet për abuzimin që i bëhet.
 
Për t’i shpëtuar rrethit vicioz të abuzimit, duhet të kuptojmë se vjedhja është traumë identiteti, traumë e mashkullores tonë, ndërsa përdhunimi është traumë dashurie, traumë e femërores tonë. Nuk kemi pse të fajësojmë veten kur na vjedhin apo përdhunojnë. Nuk e meritojmë. Por duhet të kuptojmë ndryshimin e madh mes ekstazave abuzuese të sëmura që s’të ngopin asnjëherë dhe ekstazës natyrale që sjell vetëm kënaqësi dhe rritje.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s