Shënim për botimin e dytë të vëllimit poetik “Aty te portat Skée” / Nga: Agron Tufa

 
Shënim për botimin e dytë të vëllimit poetik ‘Aty te portat Skée’
 
‘Aty te portat Skée’ është libri im i parë, i botuar para 25 vjetësh nga shtëpia botuese “Onufri”, që asokohe ishte në Elbasan. Me të nis rishtaria e rrugëtimit tim letrar. Më 1996, kur doli libri, unë isha student i institutit të letërsisë botërore “A. M. Gorki”. Librin e botuar ma dërgoi botuesi, z. Bujar Hudhri, në Moskë, me anë të Olga Kollpakovës, ish-atashe e kulturës në ambasadën ruse në Tiranë. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion, një përzierje midis gëzimit të madh, shqetësimit, parehatisë, madje edhe njëfarë frike. Mezi prita të shkëputesha për t’u mbyllur në dhomë. E kam lexuar i përqendruar, duke u dridhur si në ethe deri në vargun e fundit. Kur mbylla kapakun, thashë me vete: “Po, ky është libri im!” Nuk mund ta banalizoj me asgjë tjetër të krahasueshme atë ndjenjë galdimi e lehtësimi njëherësh.
Vëllimi përmbledh krijimet e mia poetike të periudhës 1990-1994, një fazë kur unë kisha kapërcyer sprovat e hershme dhe të mundimshme me vargjet në kërkim të një forme shprehëse sa më individuale. Mund të jenë grisur disa libra, dorëshkrime të mëparshme, për të mbërritur te ky vëllim. Kisha botuar disa cikle poezish në shtypin letrar qendror nga viti 1989 e në vijim. Kisha fituar disa çmime poetike kombëtare, disa konkurse, ndër to konkursin letrar prestigjioz “Migjeni”. Periudha e shkrimit të këtyre poezive ka qenë koha e përmbysjeve epokale, e rënies së diktaturës, që për mua dhe shoqërinë e poetëve të grupimit letrar “E përshtatshme” në Fakultetin Filologjik ishte, para së gjithash, koha e shijimit të lirisë krijuese. Tani, pas çerek shekulli, duke rilexuar poezitë e këtij vëllimi nga lartësia e sotme, kuptoj se nuk do t’i kisha shkruar më mirë. Ndaj ribotimi nuk paraqet asnjë ndryshim me versionin e botimit të parë origjinal, me përjashtim të një korrektimi të kujdesshëm. Kuptoj, gjithashtu, se poeti mund të mësojë shumëçka nga kultura, libri, universitetet dhe teoritë, por shqisa e natyrshme e poetit nuk përftohet në rrugën e njohjeve e të dijeve akademike. Ajo ose është e lindur dhe farkëton imazhet në kudhrën e përvojave të brendshme, ose, në mungesë të kësaj dhuntie, do të shpiket një natyrë e dytë, vetëmashtrimi, duke u rrokullisur nga imitimi në epigonizëm. Unë besoj se poeti mëson nga vetvetja, duke “shkepur mish” nga vetja, ose, siç e thotë O. Mandelshtami në një varg: “Vetë jam dhe lule, vetë dhe kopshtar.”
Titulli i vëllimit është një metaforë, siç janë rëndom titujt e librave poetikë. Në poemën e Homerit, ‘Iliada’, portat Skée janë portat kryesore të Trojës, bri të cilave gjendej Kulla e madhe, prej nga hapej pamja në fushën e luftës para qytetit dhe në det. Nga kjo kullë pleqtë trojanë kundronin luftëtarët akej, ndërsa Helena i jepte shpjegime Priamit për heronjtë që ajo i njihte. Te portat Skée Hektori ndahet me të shoqen Andromakën dhe të birin Astianaksin përpara se të niset në fushë të betejës.
Besoj se me bërthamën e kësaj metafore shumëplanëshe në titullin e të parit libër kam dashur të bëj një besatim solemn me veten, për hir të gjësë më të çmuar që më kishte mbajtur gjallë gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës dhe së cilës i qeshë përkushtuar: letërsisë.
Ky libër ka një rëndësi thelbësore për krijimtarinë time. Ai është një këllëf ku janë strukur të gjitha imazhet, tropet dhe figurat e veprave të mia të mëvonshme në poezi e në prozë.
 
 

Autori: Agron Tufa

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s