Cikël poetik nga Vjollca Ajasllari – Koni / Shkëputur nga vëllimi poetik “NË RREZG TË VASHËRISË”

 
Cikël poetik nga Vjollca Ajasllari – Koni
 
 
TEMPULLI I LIRISË
 
Si tik-taku i orës së murit,
Në gjoks fort më rrahu zemra;
Me të vënë këmbë në Dardani,
Zbathur eca, ma kish ënda!
 
Toka ime, sa herë e djegur,
Deri në asht e lagur me lot!
Nuse, lyer në gjak duvaku yt!
Shtigjet, majamalet veshur me kurorë,
Plisin krushk të parë,
Pushkë e bajrak në dorë.
 
Këtu shoh emra fëmijësh,
Mbi qivure mermeri të bardhë,
Prekaz!
Jam këtu të derdh mallin tim si nënë,
Jo për të lëshuar kujë, fjalë a gjëmë!
 
Në këtë kullë ushqehet ndjenjë e krenarisë
Ofshamat e shpirtit,
Shkrihen në rrezet e Lirisë!
 
 
TINGULL I DASHURISË
 
Kur Hëna mbledh yjet përreth si klloçkë,
Ëndrra më lë në krahët e nekes si një zoçkë!
Është kënga dhe buzëqeshja e nënës në simfoni,
Ajo që më fali tingullin e dashurisë në gji.
 
 
ZBRAZËTI
 
Sa zbrazëti që kam në shpirt!
Natë e ftohtë e trishtë dhjetori,
E shikoj si pik qiriri,
Në qerpik seç më ngrin loti.
 
Dimri kudo ka zbardhur,
Vastak bore hedh kudo,
Si ta ysht viranen dhimbje,
Gjoksin tim me heshta shpon!
 
 
FUTU BRENDA!
 
Në sofat rri qëndis pajën,
Hapat ndiej e dalldis zemra,
Si zog dimri përpëlitet,
Për disa fjalë të pathëna.
 
Edhe nis, edhe afrohesh,
E buzëqesh, sa shumë të shkon!
Nga mollëz’ e gishtit të unazës,
Mbi centron e bardhë nis gjak pikon.
 
Nuk them se mësysh më more,
Por shtanga sapo të pashë,
Futu brenda! – na sheh bota,
(Na sheh bota, mos rrimë jashtë)
Aty bëjmë çfarë ti të duash.
 
 
PUSULLË
 
Si e ke hallin moj vashë?
Je e bukur porsi hëna,
Në t’u prishtë bukuria,
Dhimbje të forta me jep zemra.
 
Qëndis pajën lule e bukur,
Mos e laj me gjak e lot,
Se të dua gjer në vdekje,
Vij vërdallë, s’afrohem dot.
 
Në më do sa unë të dua,
Eja shpejt, mos u mbodhis,
Do ta shuaj me lot unë zjarrin
Nga oxhaku që të hysh.
 
Pritmë-pritmë, flokëkrelane,
Të vij natën si lugat,
Do këpus kulpër të gjatë,
E do zbres nëpër oxhak.
 
Pastaj me buzëkuqin tënd
Do të shkruaj nja dy-tri fjalë,
Pranë vatrës do ta lë,
Ta lexojë kush të ndezë zjarr.
 
E pastaj ngjitemi lart,
Nëpër gllanikun blozak të zi,
Në pusullë lexon jot ëmë:
“Na jep uratën, merak mos ki!”
 
 

Shkëputur nga vëllimi poetik “NË RREZG TË VASHËRISË”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s