FALMËNI…, NËSE KAM HESHTUR…! VILSON BLLOSHMI dhe GENC LEKA – të lindurit e Marsit dhe të pandarë në Ditën e Pushkatimit….(17 korrik 1977) / Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

 
FALMËNI…, NËSE KAM HESHTUR…!
 
VILSON BLLOSHMI dhe GENC LEKA – të lindurit e Marsit dhe të pandarë në Ditën e Pushkatimit….(17 korrik 1977).
 
Përkatësisht lindën në datat e lindjes prej nëne – më 18 mars 1948, dhe më 23 mars 1943. Por, Ditëlindja e tyre nuk ka rëndësi, nëse festohet më parë apo më pas. Rëndësi ka t’i kujtojmë, pa data, pa orë të caktuar….por me vazhdimësi për t’i lexuar, recituar, dhe mësuar. Për të thënë FJALËN e Bukur dhe të Vërtetë, duhet të pranosh Dhimbjen Sublime drejt IKJES…
 
FALJE…
[ …me zë, në Ditën e “Përurimit” ( Për-Faljes) së Memorialit : Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, në qendër të Librazhdit, tetor, 2006], (fragment)
 
…Nëse kam heshtur
për vitet në pranga,
s’do të thotë
se duart me gjak kam larë…;
s’do të thotë
se Fjalën Tuaj vrava,
s’do të thotë se shpirtin kisha Saharë.
 
Nëse heshta…
Nëse HESHT…
Para RINGJALLJES SUAJ –
Heshtjen time PUSHKATOJ TRI HERË.
 
Sadik Bejko – për Genc Leka :
“Ai është një lirik i natyrës dhe i intimes, është elegjiak dhe i brishtë”.
 
 
Genc Leka :
 
POEZIA E FUNDIT
 
O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
 
(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)
 
Sadik Bejko – për Vilson Blloshmi:
 
“Ai është unik në këtë shtrirje të jetës dhe të artit, sa nuk dihet ku fillon e mbaron therorizmi i tij si artist dhe therorizmi i tij si njeri përballë së keqes”
 
 
Vilson Blloshmi :
 
SAHARAJA
 
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.
 
 
Pozaet Qose
 
MEMORIAL POETIK PËR GENCIN E VILSONIN
 
Eh, Shkumbin i thinjur, magji fjalësh,
Dhembjesh mbledh ylberë e vetëtima!
Gencin ti e mban gjithnjë mes valësh
Dhe Vilsonin nëpër gurgullima.
 
Kohë e marrë u mori një ditë jetën,
Mes zilisë tha egër; Pse nuk vdesin???!
Qielli i shpirtit ka ikonë Vilsonin,
Zogu i fjalës fluturon me Gencin.
 
U dhurojmë lëndinat e kujtesës,
Se gjithçka na dhanë me dashuri.
Ngaqë s’mund t’u japim sërish jetën,
I ringjallim prapë në poezi.
 
 

rgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s