Poezi nga Bilall M. Maliqi 

 
Poezi nga Bilall M. Maliqi 
 
 
DO TË KTHEHESH
 
Më herët sesa vonë
Do të kthehesh
(Jo) ashtu siç ke qenë
Me buzëqeshjet e varura në buzë
E me vonesat e shtrira hullive të ballit
Por
Do të kthehesh
Të hysh në zemrën time
Një decenie të hapur
Si një dashuri e (pa) harruar
Më herët sesa vonë
Do të dalësh duke qarë
Nga ëndrra e metrazhit të gjatë
Me skena të ndara
Si në kufij shpirti
Prandaj
Do të më kërkosh
Në çdo skutë
E në secilën kthinë
Dhe
Do të më gjesh
Me buzëqeshjen e moçme
E me aromën tënde
Të takimit nismëtar.
 
 
FLAKA S’ KA HIJE
 
Hije s’ka flaka
Ajo të jep nxehtësi
Të djersitë
Edhe në dashuri
Ndezet kudo
Në shtëpi
Në pyll
Nën të qiellit yll
Flaka s’ka hije
Bën dritë në errësirë
Për të parë më mirë
Skaj gjumores dhezur
Nxit dëshirë
Për puthje
E shtrëngim
Për ta rizgjuar
Të fjeturin gëzim.
 
 
DESHTA TË VI…
 
Deshta të vi e ta mbys mërzinë
Që më kishte kapluar
Matanë shtatë kodrave të mërgimit
 
Të vi deshta me mallëngjimin
E gufuar në timin shpirt të lodhur
Si një ngrehinë mërzie
 
Por s’munda Kosovë
Edhe njëherë ta puthi tokën
Se mortja ma ndali hapin
 
Vdekja më përpiu shpresën
Dëshirën për t’u çmallur me ty
Atdhe shtëpia ime e madhe
 
Por do të pushojë gjithmonë
Në shuplakën e timit dhe
Si banorë i përjetësisë…
 
 
DIL PREJ ËNDRRËS
 
Dil nga gëzhoja e ëndrrës së mbrëmshme
Njëjtë dil
E buzëqeshur
Mos iu rrëfe as engjëjve tek porta e natës
M’u afro ashtu siç je
(Se) lakuriqësinë (tënde ) e dua
E ndjejë brenda zemrës sime
Edhe aromën e natës
Që shndërrohet në erë gjumi
Prandaj dil prej ëndrrës
Mos ngurro
Eja çele derën e vetmisë sime
Futu në mua
Si një hije që shkrihet
Në rreze të dritës
Dhe
Mos dil më
Struku diku në një skutë
Aty qëndro
Deri në thirrjen time
Thirrje dashurie…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s