FILM QË S’E BËRI DOT KURRË… (…por pati privilegj ta shihte në Paris!à / Nga: Faruk Myrtaj

 
Faruk Myrtaj
 
 
FILM QË S’E BËRI DOT KURRË…
 
…por pati privilegj ta shihte në Paris!
 
I kthyer nga Parisi, e takoi në kafenenë e vogël pranë bllokut të pallateve ku ajo kishte jetuar më parë. E dinte, regjisorja kishte nisur të shkruante kujtimet. Kishte drejtuar për dekada të tëra, industrinë e filmave të shtetit. Dukej, s’e mendonte dot ikjen nga jeta pa e lënë veten në një film për Veten.
Kujtuan udhëtimin e saj të prej-kohshëm në Paris, dëborën e Shkurtit atje, Muzeun e Luvrit, të tëra në një vizitë kryer në një kohë kur regjisorja duhej të diagnostikohej nga mjekë të njohur. Megjithatë ishte kënaqësi për atë si parisien i përhershëm t’i kujtonte këto ditë të së shkuarës, me një mikeshë si ajo gjithnjë në humor, edhe kur ishte e sëmurë.
Njeriu i Ambasadës, pa e refuzuar zëshëm ftesën e Dy Marive të Kulturës Frënge, u kujtoi të ardhurve nga Tirana se s’ishte e thënë të shkonin në çdo shfaqje filmi që u ofrohej. Ata mund të thoshin, bie fjala, se ishin aq të lodhur nga udhëtimi.
Ajo ishte regjisorja me njohjet më të forta në qarqet e sipërme të shtetit, por bëri siç porositi njeriu i ambasadës. S’mund të dilnin kundër. S’kishin dalë ndonjëherë…
Mikpritësit kishin ofruar bileta për kinema të ndryshme. Mbrëmjen tjetër, teksa shëtisnin në Champs Elysees, në një nga reklamat pa titullin “Emmanuelle-Gjer në fund të dëshirës”. Si shoqërues i tyre, mori me mend se edhe pse në të mund të kishte diçka erotike, ishte rasti t’i gëzonte miqtë e tij me diçka allaj-soj.
Filmi kishte filluar, ndërkaq, dikush me një llambë i shoqëroi mes radhëve dhe i uli në vendet përkatëse. Salla ishte plot dhe u ndje një si mbajtje fryme teksa në ekran u shpërfaq një femër e bukur, nudo.
Regjisorja dhe Shkrimtari, ardhur me të nga Tirana, as që e dinin çfarë filmi ishte. Mbase prandaj u bënë ca kurioz të vërenin sallën, por ajo vazhdoi të shikonte në qetësi të plotë, edhe kur në sekuencën tjetër, në plan të afërt, u shfaqë fshehtësia më e fshehtë e thellësive të femrës që tymoste cigare.
Mik i padyshimtë i tyre, ai i sugjeroi vetes ta mbante njërin sy nga ata. U ndje mirë teksa vuri re se të dy vijuan të shikonin ekranin thellësisht të heshtur, pa shprehur as edhe një lloj të vetëm shqetësimi. Ai do donte t’I kishte gëzuar, duke I sjellë pikërisht aty, për të parë pikërisht këtë lloj filmi.
Teksa më në fund po dilnin, krejt pa ngut, vetëm kur thuajse të gjithë shikuesit e kishin lënë sallën, ai qëndroi gjysmë hapi anash dhe një hap pas tyre.
Dëgjoi zërin e vendosur të kësaj gruaje, mbase regjisorja më me emër e vendit të tyre, të fliste qetë-qetë, për ngjyrën e pelikulës së filmit, për lojën e aktorëve, për dekoret. Më në fund fare folën edhe për natyrën e dramës në film. Të dobët, e quajtën, të dy, ajo dhe shkrimtari. Kjo e bënte filmin thjesht komercial.
Ai i dëgjoi, pa pasur ndërmend u bënte të ditur se ndërkaq se “Emanuela…” kishte muaj që shfaqej, edhe vetëm në këtë sallë kinemaje të Champs Elysees, ishte parë nga miliona…
Kohë pas këtyre kujtimeve, teksa pinte kafen me regjisoren, s’kishte si ta dinte se do të ishte tavolina e fundit midis, s’dinte as edhe që diçka tjetër e mundonte ndërkaq shpirtin e saj.
E mori vesh kohë më vonë, nga një mik i përbashkët, ai që i dorëzoi librin me kujtime të Saj, dhuratë e lënë posaçërisht për të.
Përvuajtja e saj e gjatë, çuditërisht, kishte nisur në ëndërr. Më shkoqur mund të thuhej se ajo – edhe nëse vërtet nuk e dinte- kishte qenë fare e pa interesuar ta mësonte, aq më pak ta dëshmonte, apo ta kthente në film, se pothuaj të tërë njerëzit aty për rreth, prej ëndrrave kishin nisur të vuanin.
Ëndrrën e kishte parë muaj pasi kishte humbur bashkëshortin dhe pastaj vajzën e tyre të vetme. Kishte mbetur në të mbase ngaqë edhe si ëndërr, ishte e rrallë, e pazakontë. Sigurisht që s’mund t’i ndodhte çdo njeriu. Ajo ishte ateiste, por pa zë kujtoi atë frazën se ku të lexuar se Zoti i vendos në shpinë, secilit, aq sa ai mund të mbajë. Edhe në ëndërr, mbase ishte e njëjta gjë.
Ajo e kishte parë në ëndërr veten duke shkuar në varret e të dashurve të saj.
Edhe më çuditërisht, midis emrave të njohur, shumë prej tyre artistë, emër-shkruar në pllakat e mermerta, ia kishte rrëmbyer syrin një varr i bukur- kështu e quajti, edhe pse deri në atë përmendje nuk kishte menduar kurrë se mund të kishte varrë të bukur. Nuk e kishte pikasur gjatë vizitave të mëparshme, apo ishte ngritur në midis ardhjet e saj aty. I ishte afruar edhe pak dhe, në pllakën e sheshtë, të sipër varrit, kishte dalluar të gdhendur … emrin e saj.
Kërkoi të sigurohej mirë se vërtet kishte lexuar në të emrin e vet; dhe që ishte fotografia e saj, ajo e vendosura në ovalen e fshehtësisë së thellësive së femrës, si në filmin që kishin parë në Paris, gjatë vizitës për arsye shëndetësore.
Në ëndërr, një copë herë ishte stepur, por në zgjim dhe ditët më pas qe gëzuar. Madje kishte nxituar për të ardhur në varrezat. Kishte vënë re se ishte një hapësirë boshe pranë dy të dashurve të saj, varrebe të burrit dhe të vajzës.
Asaj dite vendosi dhe sigurisht që, me miqtë e Familjes- mirënjohës për ndihmat përftuar prej saj, arriti ta bënte ta mundur ëndrrën: ngriti një varr bosh. Në pllakën horizontale u shkrua mbiemri i Saj. Si i tyre, si qetësi e ardhme pranë tyre.
“E çuditshme marrëdhënia e njeriut me vdekjen,” shkruante regjisorja në librin e kujtimeve. “Edhe vet vdekja, në një moshë të caktuar, s’është aq e frikshme. Mbase ngaqë s’është aq e largët. Si duket vjen një orë kur njeriu fillon e bashkëjeton me vdekjen, paqësisht. Ftesa për Andej bëhet në ndonjë ëndërr, të cilën ti e sheh si jetë. Si një film, që ti s’e bëre dot kurrë, por që pate privilegj ta shihje diku tjetër…”
Duke lexuar Kujtimet e Saj, ai sigurisht e dinte se në Paris ajo kishte ardhur për një vizitë mjekësore, gjë që nuk arrihej dot nga kushdo. Më vërtetshëm akoma: mundësohej vetëm si privilegj. Regjisores i ishte mundësuar, por jo si privilegj për filmat që kishte prodhuar në vendin e saj.
Hollë-hollë, privilegji kishte shumë më shumë gjasa t’i kishte ardhur prej mos-bërjes të filmave artistikisht të realizuara në lartësinë e “Emanuele…deri në fund të dëshirës”. Më shumë kishte të ngjarë t’i vinte si shpërblim për heshtjen në raste ndëshkimesh të artistëve të tjerë, që kishin refuzuar të silleshin si ajo, apo si shkrimtari I ftuar bashkë me të, në atë vizitë të Shkurtit si muaji më i shkurtër i vitit edhe në Paris.
Vajtje-mendjet ishin të pafundme, por s’ishte ai, qoftë edhe si më parisieni prej fatmiroshëve të atij vendi ku njeriu s’bënte pyetje dhe as merrte përgjigje të tilla. Më e shumta i kujtohej kthjellët se asaj i pëlqeu shumë ai film.
Mbase pikërisht për këtë, në ëndrrën e mëvonshme-mbase të më-në-fundmen- varri i vet i ishte shfaqur pikërisht në formën ovale, me foton që digjej si qiri në të.
“Ah, sikur ta kishte bërë film jetën si regjisore…”, mori frymë thellë shoqëruesi i asaj mbrëmje frënge.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s