HIJETRISHTA NIKETË / Tregim nga Ramiz Gjini

 
Tregim nga Ramiz Gjini
 
 
HIJETRISHTA NIKETË
 
Banakjerja Nina Talboti po i fuste kasës shiritin e ri të letrës, kur brenda në pijetore ia behu kapoja Zorbi Baltini, një zullap madhosh hijerëndë; i prapë e i frikshëm; i njohur nga të gjithë.
Zorbi u avit pranë banakut, salutoi çehrevrenjtur me kokë mësuesin e shkencës së psikologjisë, Pjero Petrushin dhe kërkoi një konjak.
– “Hennessy”? – pyeti banakjerja.
– “Remy Martin”, – tha zymtë ai. – Dhe ma thirr pak Niketën.
Këto fjalët e fundit i tha si të qe kjo një kërkesë llogarie që duhej pasuar te Niketa Vitali, së cilës, pas vdekjes së parakohëshme të të shoqit, i ra mbi supe gjithë barra e punëve me biznesin e pijetores.
– Zonja po bën gjumin e drekës, – tha banakjerja pa e vështruar, ngase rrekej të shtinte konjak në gotë.
Zorbi Baltinit iu mrrol balli dhe iu harbua vështrimi.
– Zgjoje! – i tha duke rrotulluar sytë nga të gjitha anët.
Banakjerja Nina Talboti i vendosi para gotën me konjak dhe vajti e u fut në kthinën ku ndodhej vejusha. Pas dy minutash doli e tha:
– Zonja kërkon të dijë çfarë doni!
– I thuaj që dua të flas me të.
Ajo u rrek për pak çaste në përhumbje duke vrarë mendjen të gjente për çfarë donte të fliste me zonjën e saj i prapi Baltini.
– Tani jemi në mes të shtatorit! – e ndërmendi gjithë tersllëk ai. – Dhe as korrikun, as gushtin nuk është bërë e gjallë!
E tha si akuzë, jo si ankesë.
Nina e kuptoi për çfarë bëhej fjalë.
– Ka qenë në hall të madh Niketa! – guxoi e i tha. – Natë e ditë, për dy muaj rresht i qëndroi të shoqit te koka derisa ai vdiq!
– Shumë mirë ka bërë! – tha Zorbi. – Por tani, që i shoqi vdiq, i takon asaj t’i qëndrojë marrëveshjes.
Në cepin tjetër të banakut, psikologu Pjero Petrushi lexonte gazetën. Ai ngriti një çast kokën dhe i hodhi Zorbit një vështrim të shkurtër, indiferent.
Banakjerja, edhe pse qejfprishur, u nis të hynte për herë të dytë në kthinën ku gjendej Niketa. Provoi të hapte derën, por e gjeti të kyçur nga brenda. Atëherë, mbajti vesh dhe kuptoi, që Niketa po fliste në telefon me dikë. Toni i zërit të saj qe aq i ulët sa nuk mund të dëgjojej çfarë thoshte.
U kthye sërish te banaku, ku ngriti duart bashkë me supet, si për t’i thënë Zorbit, që nuk kishte ç’të bënte.
– Është kyçur brenda! – tha ajo. – Prisni pak, se ndoshta del vetë.
Dhe nisi të merrej me gotat në lavaman; i sapunoste me një sfungjer dhe i shpëlante, gjithnjë me mendjen te i prapi Zorbi Baltini.
– I shoqi qe i rregullt! – bënte çudi Zorbi me Niketën, që ishte mbyllur në kthinën e saj. – Nuk na krijoi kurrë probleme! E dinte që nuk mund të bënte biznes pa qenë i mbrojtur nga Bërbatët. Dhe ju e dini sa të pamëshirshëm janë ata!
As Nina, as Pjero Petrushi nuk folën. Heshtjen e tyre, ai e mori si mungesë begenisje.
Rrëkëlleu koniakun me fund, e si të kishte humbur durimin, përplasi gotën në banak e tha turrshëm:
– Duhet të dalë që të merret vesh me mua, djalli ta marrë! Përndryshe, ta ulë qepenin përgjithmonë!
U zbraps një hap prapa siç zbrapset një top “obus” kur nxjerr predhën nga gryka; vendosi pëllëmbën e tij të madhe në çaçkë të kokës, athua se donte të mbante mendjen të mos i ikte, dhe u rrotullua një herë në vend me vështrimin e harbuar.
Nina e la punën me gotat, por nuk dinte ç’të bënte. Si mund t’i trokiste zonjës në derë, përderisa ajo e kish kyçur nga brenda?!
I madh e i frikshëm, Zorbi Baltini e shkundi nga ajo gjendje duke buluritur sërish si një dem kazil me atë zërin e tij të trashë dhe egërshan:
-Dëgjove ç’të thashë moj?!
Ajo vazhdonte ta vështronte si e ngrirë, e mbërthyer nga paniku dhe hutimi.
– Shko e thuaj të dalë, se nuk më fshihet dot!
– Përse më ngaterron mua me këso gjërash?! – u qà duke u dridhur trup e zë banakjerja. – Nuk është puna ime kjo!
Ngase pati nevojë për mbështetje, me të thënë këto fjalë, ajo hodhi vështrimin nga Pjero Petrushi, i cili, ngadalë e disi me përtesë, tha:
– Shko thirre, Nina! – Fundja, nuk është kushedi çfarë!
Zorbi Baltini kërkoi t’ia mbushnin gotën sërish.
– Mbushja edhe Pjeros, – tha ai, tashmë me zërin e rrafshuar, i përkëdhelur në sedër, ngase iu duk se gjeti mbështetjen e tij. – Dhe fute në llogarinë time.
Psikologu Pjero Petrushi nuk kundërshtoi. E dinte që në kësi rastesh, gjërat duhen lënë të rrjedhin natyrshëm.
Si u hodhi konjak me dorën që i dridhej, Nina Talboti la shishen në raft dhe u drejtua për nga kthina; por ato çaste u hap dera dhe Niketa Vitali doli vetë.
Hijetrishta Niketë! E bukura si lulja zemërpikon! E paqtë në dukje, por me shpirtin ende në lëngesë, u përpoq t’i buzëqeshte Zorbit. Por buzëqeshja e saj qe e pahitur me vrer.
– Të ndjerin tim shoq e mori Zoti! – tha ajo. – Dhe unë, si çdo grua që nuk i di të gjitha punët e burrit…
– Prandaj erdha! – nuk e la të mbaronte kapoja. – Erdha që të flasim.
– Më thuaj, si është puna?! – pyeti ajo.
Zorbi Baltini hodhi sërish veshtrimin e tij të harbuar rrotull, mbështeti bërrylat në banak dhe nisi t’i pëshpëriste ngadalë fjalët për të cilat kishte ardhur aty.
Vejusha e dëgjonte me kokën ulur, duke lëmuar kot së koti me mollëzat e gishtave të dorës syprinën e banakut.
Kur ai ia tha të gjitha ç’kish për t’i thënë, ajo ngriti kokën dhe pyeti e habitur:
– Ç’janë këto fjalë, Zorbi?! Patjetër që do t’i rrimë marrëveshjes! Im shoq ka qenë shumë i kënaqur me ty. Gjithnjë më thoshte: po të mos ishte Zorbi, do na kish dalë punë me Bërbatët! E dinte, që ata janë të prapë e të pangopur. Kurse ti ishe i vetmi që ta kishin frikën.
– Unë i hyra garant tët shoqi në ditët më të vështira, – tha duke u fryrë aq shumë Zorbi, sa u bë edhe njëherë më i madh se ç’ishte. – Nuk është gjë e vogël ta marrësh në sy rrezikun në këtë vend ku gjithsecili bën të fortin. Dhe kjo, nuk bëhet pa një haraç, besoj e dini! Bërbatët ma njohin kokën mua, ndaj nuk ndjehen. Por tani, nëse marëveshja jonë prishet, atëherë do të keni të bëni jo vetëm me mua, por edhe me ata.
Niketa i fali sërish atë buzëqeshjen e saj të vrerosur; pastaj iu afrua, i ra një herë lehtë mirakandas gjoksit të tij të madh me pëllëmbën e dorës së saj të vogël e tha:
– Ti je alamet djali, Zorbi! Për atë Zot, je alamet djali! Nuk mund të gjejmë më të mirë se ti për këtë punë. Tani që im shoq shkoi në botën tjetër, kuptohet që do të keshë të bësh me mua! Më duhet t’i dal zot punës, jo shaka! Sa të merrem me Bërbatët, është më mirë të merrem me ty.
U kthye nga Pjero Petrushi, që po lexonte gazetën e gjithë duke qeshur, pyeti:
– Apo jo, Pjero?!
– Po! – ia ktheu shkurt psikologu pa e ngritur fare kokën. – Në fund të fundit, nuk është kushedi çfarë!
-Ke të drejtë, – tha Niketa. – Nuk është kushedi çfarë!
Pjero Petrushi tundi kokën si të deshte t’i vinte kapak muhabetit.
Ajo u kthye sërish nga Zorbi.
– E shikon?! – i tha. – Më pëlqen Pjero, sepse u a din vlerën gjërave.
Atmosfera u zbut dhe fytyrat u çelën.
Nina nxirrte nga poshtë banakut shishe me pije. I fshinte me një mapë të bardhë dhe i vendoste në raftet e vitrinës. Tashmë, duart nuk i dridheshin si më parë dhe punën po e bënte me qejfë.
Niketa i thirri.
– Urdhëroni, zonjë! – u përgjigj menjëherë ajo duke kthyer kokën.
– Mbushua gotat dy zotërinjëve! I kanë prej meje.
Pjero Petrushi e pati lënë gazetën më një anë. Kish rënë në mendime me bërrylin e përthyer në banak dhe me mjekrën e futur mes gishtit të madh dhe atij tregues të dorës.
– A mund të vish nesër, Zorbi?! – pyeti disi me të lutur Niketa. – Sot nuk jam gati. Nesër, padyshim, e mbyllim llogarinë bashkë.
– Në çfarë ore? – pyeti ai.
– Në çdo orë, që të duash! – e siguroi ajo aty për aty. – Do të jemë përgjatë gjithë ditës këtu.
-Mirë! – pranoi ai pasi u mendua një çast. – E rëndësishme është që u morëm vesh.
– Merre edhe një tjetër konjak. – nxitoi e tha ajo. – Nina! Mbushua sërish gotat zotërinjëve! Duket që do të kemi një fillim të mbarë!
– Si të urdhëroni ju, zonjë!
– Nuk doja të pi më! – tha kapoja Zorbi Baltini, tashmë i zbutur nga sajdisja që po i bënin. – Por ky dreq “Remy Martin” është shumë i mirë!
– Merre, Zorbi! – e yshti psikologu Pjero Petrushi. – Edhe një gotë tjetër, nuk është kushedi çfarë!
Dhe Zorbi e mori.
Ato çaste ra këmbana e orës dy.
– Mua do më falni, – tha Niketa, teksa bënte kryqin me dorë. – Do më duhet të ndes një qiri për shpirtin e tim shoqi. Dhe gjithashtu, kam nevojë të pushoj. Pra, siç ju thashë, shihemi nesër!
Zorbi vetëm sa bëri një lëvizje të vogël miratimi me dorën, në të cilën mbante gotën e mbushur me konjak.
Hijetrishta Niketë, ktheu shpinën, rrëshqiti lehtë drejt kthinës së saj dhe humbi si një rrjedhë uji nën dhè.
U bë për pak kohë heshtje.
Zorbi Baltini nxorri paketën dhe ndezi një cigare. Teksa tymoste duhan e pinte konjak, hidhte më të rrallë ndonjë fjalë në adresë të psikologut Pjero Petrushi, i cili, në shumicën e rasteve, përgjigjej shkurt dhe e mbyllte me frazën “Nuk është kushedi çfarë”. Pastaj erdhi një çast kur rrëkëlleu gllënjkën e fundit të konjakut që kish mbetur në gotë; dhe, duke folur me cigaren mes buzëve, i kerkoi banakjeres të bënte llogarinë për gotat që kish porositur më parë.
– Tani më duhet të dal, – i tha Pjeros, ndërsa vështronte orën e dorës.
– Ik, Zorbi! – ia pat tjetri. – I ke të paguara prej meje kësaj here. Nuk është kushedi çfarë!
I rënduar nga pija, Zorbi nuk e vrau shumë mendjen.
– Në rregull atëherë! – tha ai. – Do të shihemi nesër.
– Ndoshta, – tha Pjero Petrushi.
Zorbi Baltini i hodhi Pjeros një vështrim të fundit dhe doli jashtë.
E panë përmes xhamave të vetratës teksa ndaloi në mes të oborrit shtruar me rrasa guri, që shëndrisnin nga dielli i shtatorit, pështyu duqin e cigares që mbante mes buzëve, e shkeli me këmbë dhe kërkoi xhepat me të prekur.
– Paska harruar paketën! – tha banakjerja që e pikasi.
– Nuk është kushedi çfarë! – tha sërish Pjero Petrushi. Dhe hapi gazetën që të lexonte.
Zorbi Baltini nuk u kthye të hynte për të marrë paketën. Ai vazhdoi të ecte, derisa humbi prapa qoshes nga e djathta ku kish parkuar makinën.
Një minutë më vonë u dëgjuan tre krisma arme njëra pas tjetrës dhe një britmë si ajo e demit kur e therin, që erdh’ e u shua në dy sekonta.
Banakjerja Nina Talboti shtangu për pak çaste në vend me veshët pipëz e vështrimin e tretur jashtë përmes xhamave të vetratës. Kur u ftillua disi, u kthye nga Pjero; dhe, duke mbajtur zemrën me dorë, i tha të dilte një herë për të parë çfarë ndodhi.
Pjero Petrushi nuk ngriti as kokën.
– Nuk është kushedi çfarë! – tha ai.
 
Ramiz Gjini, New York, pranver, 2021
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s