Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
ORGJI ME HIJET
 
E këmbeva shpirtin për rininë e përjetshme dhe fis dola me Mefistofelin
Fausti më pa vëngër si gjithë të zhgënjyerit një ditë pas betimit.
Pastaj u hakërreva me asgjë-të e kësaj bote të lodhur gjer në rremb
U talla me veten siç tallet trëndafili me një gjemb
…siç tallet trëndafili me një gjemb.
Domethënëse qeshja e njeriut kur vdes: hija hollohet.
Duke qeshur takova Shekspirin me konen e hijes lidhur me zinxhirë
Ai qeshi dhe pse qeshja te hija s’dallohet
Dhe pse hija e tij nga ribotimet vinte më pak e nxirë.
Skenat e Anglisë viktoriane
i kanë dërrasat e kalbura
si tabutet e varreve
dhe pse aktorët janë të rinj.
Shekspiri. E ç’ është Shekspiri thërriste Tolstoj ne eliksir
Duke shpalosur në ajër një tren-shami
ku shfrynte lotët për Ana Kareninën…
Kështu u mora me Uitmanin, Miltonin, Majakovskin,
madje dhe me Ferrin qesharak të Dantes
Me Ferrin them me Ferrin ku thjesht në xixëllonjë e kthej Luciferrin
Marr konen e Cerberit bëj duel me konen e hijes së Shekspirit…
Hijet pa kujtesë nuk lenë gjurmë në shpirtra
Hijet pa plagë të domosdoshme: hijegjurmëplaga.
Me Danten, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Uitmanin: gjurmë plagësh në trup
jam fusha dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.
fusha dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.
dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.
pas një beteje të kuqe mullagash
të kuqe mullagash
mullagash…
 
 
NESE EKZISTON…
 
Ti Zot që mban në duar boshtin e Tokës: furkë e madhe
më thurr një triko me paralele e meridiane
dhe pastaj shfre dufin tënd dimëror, veç pa tallje.
 
Shfrehu. Hiqe maskën.
E ç’jemi ne: një pikëz loti gjysmë e tharë në faqen e parruar të galaktikave.
Vuajmë ende sindromin e mollës së Adamit dhe vrasjes nga Kaini.
Stërgjyshi Abel mijëra vjet vërtitet gjykatave me dëshmi të reja krimi.
Sa pranë janë fjalët krim dhe krimb!
 
Rri i heshtur: zog në fole të vjedhur
S’guxoj të këndoj ndaj jam i vdekur.
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!
Shfre dufin dimëror pa tallje!
 
E di: shpesh rri kokë ulur duke imituar kallinjtë e frikësuar nga breshëri
Po s’kam ç’bëj : këtu të vrasin dhe të falenderojnë
që zemrën ia kaluan gjoksit të tjetrit!..
A mund të kthehen në fantazma të pazemërtit?!…
 
Rri i heshtur: zog në fole të vjedhur
S’guxoj të këndoj ndaj jam i vdekur.
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!
 
Nëse ekziston jep prova dhe tunde këtë furkë të madhe
naftën ktheje në gjak dhe makinat do rrisin shpejtësinë
gjakun ktheje në ujë dhe njerëzve zemrat s’u duhen fare… veç një mikroturbinë.
Çthure trikon time me paralele dhe meridiane
lakuriq si e vërteta më nxirr
Shfreje dufin tënd veç pa tallje
 
Në këtë kohë kur është rritur shpejtësia e mendimit
mendimi është bërë baltë: s’mund të krijosh asnjë statujë.
Mendimi : ingranazh i ndryshkur nën kafkë
mendimi: mulli uji pa ujë.
Stërgjyshi Abel mijëra vjet vërtitet gjykatave me dëshmi të reja krimi
 
Sa pranë janë fjalët krim dhe krimb!
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!
 
 
Kallëza në pëllëmbë
 
Marr kallëzën në pëllëmbë, e shkërmoq, u fryjë mëndafshin e ndezur
Zhvishen lakuriq me vizën e hollë në mes që më kujton se jeta do vazhdoj.
Marrë kallëzën në pëllëmbë, e thërrmoj: ndjej zërin e grurit në vijën e jetës
Në vijën e fatit gruri do të mbijë në formë femre lëkurë ngjyrëgruri
Në vijën e lavdisë ajo do shkojë si në vijën e ujit kur shtyn pendën e mullirit
e gatshme të bluhet për të tjerët: guri i mokrrës më thërret në emër.
 
Shkërmoq kallëza gruri në pëllëmbë e padashur kap dhe lulëkuqen
Me karficën e halëzave në kurorë: me faqkat skuqur prej turpeve.
Pastaj marrë kërcellin e pjekur e kthej në flaut magjik
Të kërcejnë këto kallëza, këto kokrra aromë buke e lavdie
dhe kjo lulëkuqe e vetmuar të kthehet për pak kohë në vejushë
(do martohet sërish verën tjetër).
 
Shkërmoq kallëza në pëllëmbën e jetës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s