Poezi nga Grigor Jovani

 
Poezi nga Grigor Jovani
 
 
NUK KEMI KOHË PËR TJETËR JETË
 
Nuk kemi kohë për tjetër jetë.
Ditët kanë humbur, s’di se ku,
netët me ëndrrat ngjyrë blu
janë të harruara.
 
Hypur tashmë në një vapor,
çajmë një mjergull tej për tej,
me dritë të shuara.
 
Një diell i qethur si tullac,
fundosur thellësirës gri
na sheh në sy si çilimi,
duke na lutur…
 
Kalon një ëngjëll sipër nesh,
me një violinë pa asnjë tel,
na thotë: Është mbytur!
 
(“Vreshtat e Dionisit”, 2015)
 
 
INATI
 
Çava detet
për dy margaritarë –
sytë e tu qelibarë.
 
Inat i paparë!
 
 
NETËT E MËKATIT
 
Mëkati im:
nuk mund të të harroj!
 
As këtu,
ku toka jep shpirt
pas orgazmës mbi detin.
 
Ditën bëj si bëj,
natën ndjej sikletin.
 
Më lë pa gjumë
e kaltra e ujit,
me grinë e ëndrrave natën.
 
Në mëngjes,
jam i mbytur në djersë.
Nuk bëj fajtore vapën.
 
 
BRENDA SYVE TË TU…
 
… pritet të nisë një furtunë
detare.
 
Do t’i shtyjë dallgët në panik,
do të jetë e zezë,
do të jetë shkatrimtare
 
por mua,
do të më ketë frikë.
 
 
OKSIGJEN
 
Vazhdonim të flisnim,
pa ditur edhe vetë përse,
por flisnim.
Nuk mund të merreshim vesh
– mjerisht –
sado që të flisnim.
Ngaqë nuk qarkollonte sa duhej
oksigjen
ndërmjet fjalëve tona,
vazhdonim të flisnim, por
në veshët tanë
dëgjohej vetëm jehona.
Po të heshtnim, kishim frikë
mos harronim të flisnim.
Të pagojë?
Më mirë të vdisnim!
 
 
KASOLLJA E VOGËL
 
Të kam lënë jashtë vjershave të mia.
Kam frikë mos më ftohesh,
e veshur hollë,
siç je.
 
Kasolle e vogël jeta ime,
nuk nxinte tre.
 
 
SHEZLONGJE NË AJËR
 
Shtrëngoje diellin në prehër.
Trupi yt avullonte seks.
 
Të nanurisnin dallgët,
si në një shezlong anës detit.
Pafajësia ishte thjesht preteks.
 
Dielli perëndoi. Pafajësia,
kërkonte strehë,
si fëmijë jetim.
 
U tundën sytë e mi
– shezlongje në ajër –
– Hyrë në trupin tim!
 
 
QËLLIME TINZARE
 
Një vështrim tinzar
bredh
nëpër faqet e mia.
Synon
të më pushtojë
gojën.
 
 
DASHURI ËSHTË…
 
… të humbasësh gjysmën e shpirtit tënd
dhe të mos e pranosh si fakt të ngjarë.
 
Si gorgona e Aleksandrit të Madh
të legjendës,
që pyeste detarët mos e kishin parë.
 
Mbi të gjitha,
mos e humbasësh shpresën e rikthimit
kurrë.
 
Me një kusht:
 
Të ketë ekzistuar Itaka më parë
dhe Penelopa
të dijë të endë një pëlhurë.
 
 
ZOGJTË
 
Njihje të gjitha zërat e zogjve.
– Iu përgjigjem! – më thoje.
Zërit tim s’i dhe përgjigje kurrë.
Më dashuroje?!
 
 
RRUFE TË SHUARA
 
Sa herë dashurova rrufetë,
më rranë mbi kokë.
Goditje të verbëta.
Fatale.
Rrashë mbi supe detesh,
më hyri kripa në gjak.
Më shpuan heshta pishash,
kur u plandosa në male.
Paskëtaj,
jeta ime vazhdoi si vaj.
Shtruar,
sikur mbante një ritëm të lashtë.
Mbetëm të huaj tashmë,
ëndrra ime,
rrufe të shuara atje jashtë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s