Qenia dhe hija në dyluftim sa real aq dhe artistik në universin poetik (“Hije mbi asfalt “ nga Dritan Thomaraj – Veç qenia ime mos t ` humbasë) / Vështrim estetik nga Teuta Sadiku

 
Qenia dhe hija në dyluftim sa real aq dhe artistik në universin poetik
 
“Hije mbi asfalt “ nga Dritan Thomaraj
Veç qenia ime mos t `humbasë
 
“Atje ku ka dritë ka edhe hije“, thotë populli.Sa më afër dritës të jesh aq më e madhe është hija.
Vetja, një qenie fizike e krahasuar me një gjethe vjeshte e ashkët , përplaset me erën, por askush nuk e sheh , askush nuk e ndal , as e nxjerr nga kjo vorbull.Është vorbulla e jetës ,me vërshime të papërmbajtshme e rryma përfshirëse që të përplasin vazhdimisht herë në njërin krah e herë në tjetrin.
Qenia dhe vetja , janë bota njerëzore,që përplasen mes vetveti dhe me vorbullën .Uni di të dalë nga kjo vorbull,por është vetja që lufton me rrymat e kundërta,thot autori .Uni dhe vetja krijojnë identitetin e përbashkët atë që Ciceroni e thotë me shprehjen filozofike . “një mik i vërtetë është vetvetja e dytë“. [1] Kjo është skena e poezisë që Dritani ndërton me imazhe e figura artistike për të gjetur me këmbëngulje kuptimin e jetës dhe qëllimin e saj duke na njohur me veten , me egon dhe qenien e tij .Në skenë hyn edhe hija,një personazh i trishtë që e ndjek hap pas hapi. Po çfarë është hija në krijimtarinë letrare.
Hija është personifikimi i qenies së njeriut. Në poezinë në fjalë hija është kthyer në shëmbëlltyrën e njeriut, ecën, vrapon, ndal, ndjek , përgjon edhe pse pa shpirt, pa vetëdije ajo flet e shikon , vepron e kundërvepron. Ajo flak e përplas njeriun mbi rrugë, në asfalt ,bëhet e fuqishme , mbizotëron mbi të.Të gjithë të masin nga hija që lëshon, nga fama që krijon dhe jo çka je ti nga brenda , por nga jashtë, nga ambalazhimi.Sa më e ndritshme sipërfaqja, paraqitja e jashtme, aq më me vlerë dukesh në sytë e njerzve .
Në strofën e tretë lexuesi sheh skenën e përleshjes, dyluftimin me hijen e trishtë, e cila jo vetëm e ndjek nga pas por edhe i del para dhe i zë rrugën.Ai vrapon e vrapon në asfalt, kacafytet me të ,por hijen nuk e dëbon dot.Këtu fillon sfida njerëzore, dhimbjet, zhgënjimet, hamendjet dhe kërkimi i rrugëzgjidhjeve.Përpjekja fillon me pranimin e hijes si binjake simetrike.Pse vallë njerzit me vështrimet cinike shohin hijen, çfarë ka ajo më tepër.Hija, hije mbetet , nuk mund të jetë qenie , me mish e me kocka , gjak e tru, zemër e shpirt.Ajo thjesht është një shëmbëlltyrë e qenies njerëzore. Dhe këtu nis e shfaqet dikotomia.
 
Dikotomia fjalë – imazh, Binjakja ime simetrike/
Dikotomia trup –shpirt, /shëmbëllimin tim e flak mbi rrugë /
Dikotomia ironi-sarkazëm njerëzit me shikimi cinike /
Dikotomia vërtetësi -gënjeshtër /shikojnë nga hija e jo nga unë/
 
-Dikotomitë në këtë poezi edhe pse janë dyzime që i referohen ndarjeve shtojnë qartësi relative në fushën e prodhimit të kuptimit dhe ngarkesës vizuale[2].Kuptimi figurativ është arritur mes ironisë së drejtpërdrejtë, të menjëhershme , pa marrë shumë kohë për tu rindërtuar dhe është bërë mes elementeve metaforikë në poezi.“
 
/dhe njerzit me shikime cinike/
/shikojnë tek hija dhe jo tek unë“/ fq 14[.Hije mbi asfalt 1]
 
Autori i poezisë “Hije në asfalt 1 “e ndjen si peshohet nga koka tek këmbët nga vështrimet cinike. Ata e shohin me mosbesim qenien e tij, vlerësojnë e shikojnë më tepër hijen se sa qenien e tij.Dhe ai qesh , qesh me injorancën e tij….
 
“Që s`i dhashë hijes një paruke
që bota ta quante njeri“.
 
E keqja më e madhe e cinizmit modern është pikërisht fakti i shkëmbimit të hijes me qenien .Ky është mashtrimi i cili arrin deri aty sa e detyron qenien të vetëmashtrohet dhe të pranojë se është një hije .Hija është një personazh i rrafshët , njihet lehtësisht , kurse qenia është një personazh i rrumbullakët,spiral, një labirinth i cili është i aftë të befasojë, ndryshojë dhe zhvillohet. Hija është uni i përthyer,është tjetri brenda vetes edhe pse hija qëndron jashtë, shoqëron, ndjek dhe nuk largohet asnjë çast[3].
Vogler thotë se në çdo portë përgjatë udhëtimit ka portierë,truproje, magjistarë,oborrtarë të fuqishëm , kërcimtarë, fallxhorë të cilët venë në sprovë, provokojnë e testojnë të denjët nga të padenjët, të aftët nga të paaftët, për të bërë përzgjedhjen e duhur.Do të hyjnë vetëm ata që janë të vendosur jo vetëm ta pranojnë sfidën por ta kapërcejnë me sukses sfidën e ndryshimit pozitiv.
“Veç qenia ime t`mos humbë “ ,thërret poeti.A mund të humbasë qenia ,përderisa ajo është shoqërore , ka një thelb, ka një vend në këtë botë.Por për ta patur qenien ,ajo duhet të mungojë, të humbasë “të vdesë“ e pastaj të ringjallet [4].Po si mund të humbasë një qenie,aq më tepër sot ku në rrjetet sociale publikohet çdo foto,çdo ngjarje, deri në të dhëna personalet dhe intimitete.Tjetërsimi pa ndryshimet thelbësore është një humbje dhe pa ndryshim thelbësor ,nuk kemi kapërcim sfidash ,por një ndryshim sipërfaqësor , një mashtrim.
Nga kush ka frikë më shumë rrëfyesi,nga vetja etij, nga hija apo nga vështrimet cinike të turmës.Kur flasim për mungesa dalim tek thelbi i qenies dhe në këtë proçes “mungese“ krijohen veprat artistike ,shkruan Pirro Loli tek “Honet e vetvetes.“ fq 99,“Duumvirati i një stine që shkoi.“ Lexuesi duhet të ketë krijuar më parë përjetime për të patur pritshmëri si nga poeti ashtu dhe nga personazhet. Është fantazia kreative e autorit çka na krijon mundësinë e hyrjes në botën e tij shpirtërore .“Hije në asfalt 1“ është loja poetike që krijon autori ,janë 3 skenat e dyluftimit
 
-Dyluftimi mes unit dhe vetes .
-Dyluftimi mes qenies dhe hijes.
-Dyluftimi i egos me njerzit.
 
Stili i veçantë synon të bëjë për vete lexuesin aktiv dhe të aftë që do të lexojë, njohë e pranojë rrëfimin personal shpirtëror të tij, duke sjellë në dritë të vërtetat dhe mistiken.
Poezia ka të drejtën e saj e të qenit meteorite , por jo njeriu. “ Hije në asfalt1“ është distanca meteorike e natyrës njerëzore nga fjala poetike. Le të kujtojmë nga Gëte aforizmën [Hija është e thellë atje ku ka shumë dritë.]
Veprimet dhe situatat Arketipe .Lëvizja , ecja ,udhëtimi, janë veprime dhe situata arketipe të njohura dhe të përdorura si në prozën dhe në poezinë botërore.Ka shembuj të pafund të arketipit të ecjes,të cilat janë lëvizje lart e posht dhe anasjelltas në momente të caktuara, gëzimi, dhimbjeje dhe vuajtje.
Vendi i veprimit , lëvizjes ,Ecja, udhëtimi, lëvizja në poezi zhvillohet në asfalt,kombinohet me udhëtimin mendor,një udhëtim në botën e brendshme. [5]
 
“Çapitem lehtas mbi asfalt ,
në një vorbull njerzish përhumb`
 
Poezia në fjalë ka një mision ose të fitojë dyluftimet përmes luftës ose të gjejë mënyra për t`u pajtuar e harmonizuar me unin, me hijen me vetveten. Ajo fton lexuesin të zgjedhë.Në fund të fundit “heroi“ i poezisë është një njeri me gjak e me nerv , me mish e kocka, me të meta e dobësi me dyshime ,konflikte brenda vetvetes ashtu siç ka dhe shumë pikëpyetje e dilema.
Folësi në këtë poezi mund të jetë vetë poeti, i cili përshkruan me nota të qeta çapitjen e tij mes vorbullës së njerëzve.Në hyrje të poezisë vetja e tij krahasohet me një gjethe vjeshte të ashkët.Në horizont duken rrymat, erërat, çka nënkuptojnë ndryshimet që po ndodhin.Duke mishëruar këto ndryshime ai aludon me një nga tiparet kryesore që karakterizon jetën ,shoqërinë.Këto ndryshime i prijnë ndryshimit më kryesor, tjetërsimit të njeriut. Zëri është folësi, i cili me tonin e fjalëve të shkruara identifikon veten ,psikologjinë dhe gjendjen emocionale sipas situatës ku ndodhet.Zëri lirik mund të jetë personaliteti i vetë autorit, kurse toni përshkruan me fjalë qëndrimin e autorit në poezi,[6 ]Toni i poezisë herë është i brengosur e herë melankolik.Fjalët përzgjidhen me ekonomi, me kujdes për të transmetuar kuptimin dhe nënkuptimin e fjalëve dhe përcjelljen e mesazheve.
 
Shëmbëlltimin tim e flak mbi rrugë/
/shikojnë nga hija e jo nga unë./
Në mesin e poezisë shfaqet hija.
 
Hija mund të jetë pjesë e brendshme e tij,mendimet negative, dyshimet, mjegulla e brendshme ,shpirti i trazuar Në poezi hija jepet jashtë folësit, por bëhet pjesë e pandarë e tij.Edhe pse folësi ,rrëfen se mundohet ta largojë, vrapon , kacafytet me hijen ,ai nuk e largon dot nga rruga . Hija , ndonëse e trishtë, është e vendosur ta ndjekë këmba këmbës folësin.Hija është një fytyrë e trishtë , thotë poeti, një binjake simetrike, por e egër, antagoniste, dominuese.
Hija si pjesë e folklorit dhe letërsisë është personifikim i së keqes kuptimi figurativ i pengesave që has në rrugë, në jetën e tij.Hija në poezinë “Hije në asfalt 1 “i lihet lexuesit në dorë për ta indentifikuar në se është një pengesë e jashtme , apo pjesë e brendshme ,nëse do shkatërrohet nga folësi apo do të kthehete në një forcë, energji pozitive.[7]Hija mund të jetë dhe alter ego e folësit ,çka autori e përdor për të mbajtur të pa ekspozuar veten ose për ta bërë më emocionuese situatën.Është lexuesi ai që do përcaktojë folësin lirik dhe ta dallojë nga alter ego .
Imazhet që përdor poeti janë nga mjetet letrare më të rëndësishme të cilat e parapërgatisin lexuesin për skenat që pasojnë.Vendi ku zhvillohet, jepet që në titull. “Hije mbi asfalt“.Skena e ngjarjeve është një terren publik dhe jo privat,shtëpi, dhomë , krevat .Jo pa qëllim kjo,për të kuptuar se është një personazh aktiv dhe jo pasiv.Përballja, dyluftimi me hijen ndodh në asfalt, mes vorbullës së njerzve , në shesh të hapur.Këto detaje, të cilat formojnë imazhet që krijohet ,kalojnë para lexuesit për të plotësuar imazhin e personazheve, folësit, hijes dhe njerëzve[8].
Në këtë poezi kërkohet që lexuesit të përdorin e vënë në funksion shqisat e tyre ,sytë, veshët,imagjinatën për të kuptuar mendimet e folësit dhe shijuar ndjenjat e tij.Në strofën e katërt poeti krijon ballafaqimin me hijen.Sipas Vogler hijet janë të brendshme dhe të jashtme. Në këtë poezi hijet janë të jashtme dhe përleshja bëhet në shesh të hapur, jo brenda poetit.
“Hije në asfalt 1“është një poezi e strukturuar në pesë strofa me nga 4 rrjeshta.Poeti ka zgjedhur ta shkruajë këtë poezi me skemën specifike të rimës ab, ab [me përjashtim të strofës së pestë që nuk e ruan këtë skemë].
Me një ton serioz poezia i drejtohet temës së ndryshimit, të tjetërsimit të njeriut. Personifikimi përmes hijes dhe elementet metaforike [9],përdorimi i fjalës paruke janë tregues të poezisë moderne ku kanë si temë krizën shoqërore si dhe ndikimin e saj në konceptet e lirisë dhe tjetërsimit të njeriut ,jo vetëm nga ana e jashtme , por nga tjetërsimi i botës së brendshme shpirtërore.Të tjera karakteristika që “Hije në asfalt` është një poezi moderne e përcaktojnë notat dramatike si dhe fjalori që i afrohet rrëfimit prozaik .Padyshim , imagjinata e mbushur me mjegull, me errësirën që qëndron pezull [10]e bëjnë poezinë një poezi moderne ku lexuesi nuk është thjesht një lexues pasiv , por energjik, aktiv,pjesmarrës dhe bashkëpunëtor në krijimtarinë letrare.
 
[1] Ciceroni
[2]Dichotomies False Katharina Barbe ,Ironia në kontekst John Benjamins,1995
[3] Poezia si shenjë e ringjalljes nga Alisa Velaj Pejsazhe të fjalës
[4]GJuhë dhe mendim figurativ ,Oxford University Press 1998
[5] Shapeshifter muthologjy
[6] How to read a poem and to fall in love with poetry Edward Hirsch
[7 ]The Anxiety of influence A Theory of Poetry Harold Bloom
[8] Christopher Vogler Udhëtimi I Shkrimtarit Struktura mitike
[9] Poetry Foundation biography in William Carlos Williams
[10 ]Pfitzmann Hansen 2005
 
[Vazhdon]
Tirane / Qershor /2021
 
 

Vështrim estetik nga Teuta Sadiku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s