Poezi nga Hana Xhihani

 
Poezi nga Hana Xhihani
 
 
***
 
Shpesh
më ka qëlluar të ulem pranë dritares
që nuk merr frymë,
aty ku ndodhen frymorë.
 
Të gjithë më duken sikur i luten në heshtje engjëjve të gurtë.
 
Nuk di
përse presin
të bjerë një lutje nga Zoti.
 
Ndërroj vend.
 
Ulem në shkallë, gjurmë
dhe zgjedhje të tjera të ngjashme por,
që të gjitha më bëhen “beton i ftohtë”.
 
Duke menduar të vras fjalët,
për të dëgjuar zërin
që ulëret në heshtje,
filloj e numëroj dhimbjen mbi engjëjt
e më pas vetminë time.
 
Filloj t’i palos në valixhen e udhëtimit.
Hezitoj t’i marr me vete.
 
Doganierët gjobisin heshtjen
e palosur brenda …
 
 
***
 
Hapësirë e padukshme.
Rrezet e natës ia pushtojnë ëndrrat,
e çdo ëndërr skalitet në letra të padërguara.
 
Shënimet e asaj pende,
si në margjinat e mermerit,
krijojnë këngë me zëra të çuditshëm.
 
Aureole mjeshtërore,
pa asnjë fytyrë tjetër në stil.
 
Herë-herë i lëkundur në reflektim kristali
dehur nga hëna pikante,
herë-herë i përkëdhelur pa unazë
në lakuriqsinë e paprekshme.
 
Një Olimp mjalti i lundron mbi retë e zemrës,
ku mbretëresha mbetet përkushtim,
mbyllur në adresën e panjohur.
 
 
***
 
Unë jam vetëm era.
Vij të përqafoj
kujtimet e stërgjyshërve,
gjyshërve,
hallave ;
zërin e babait, nënës, vëllait tim.
 
Unë jam vetëm malli.
Shpërngulem mijra kilometra,
edhe pse shirat përmbytën hapat,
zërin e kahershëm të tyre.
Vij për të vaditur me lotin tim një qytet të heshtur,
ku me sytë e dhimbjes shoh parcelat e thara,
që më ngrijnë shpirtin duke thyer vullnetin tim.
 
Por,
qëndron edhe një qytet me njerëz në lëvizje,
ku fryma më meket e s’di të këndoj.
Atje, pushtetin e zërit e marrin gjinkallat.
Zhapikët fillojnë e të shoqërojnë duke të ngatërruar rrugicat.
Lulet gjembaçe të ngjiten në trup e duan të të thonë diçka.
 
Por, unë,
që nga porta e fluturimit filloj e vizatoj portrete.
Shpesh, udhëtimi i gjatë ia prish ngjyrat.
Ndonjëherë duken sikur qajnë bashkë me mua.
Ah e kaluara, e kaluara
më lidh kaq shumë me këtë qytet.
 
Gaboj që besoj se jam vetëm.
Kujtimet më flasin në ç’do kohë.
 
A e dini ?
Në rrugicën e lagjes time fshihet edhe një fik i madh.
Mban erën e reçelit
e unë kam frikë ta blej në dyqan,
sepse nuk ka të njëjtën aromë.
 
E di,
të tjerët s’kanë si të kuptojnë shijen time
… unë buzëqesh.
 
[H.XH]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s