Poezi nga Jerida Kulla

 
Poezi nga Jerida Kulla
 
 
RITËM I MALLTË
 
Mirë u takofshim shenjtëria ime!
Gurin e shtëpisë me vete e mora.
Mbrujtur me kujtimet e vajzërisë.
Mallin e shkrova në pragun e derës,
si sy vigjilent të më ruante nënën dhe babanë.
Mbi shpinë mora lotët e patharë të nënës…
Heshtja e babait flet me fjalët e zemrës.
Dridhërimën e motrave në sy e ula,
që lotin të ma fshinte.
Mungesën e aromës së shtëpisë
në shishkën e vitit e mbylla.
Të parfumosem me të,
ta ndiej veten si në prehrin e nënës,
si në krahët e babës.
Dielli ndrin fort sot.
Shkrin borën e akullt,
rrëzë luginës,
në shpatin e maleve.
Ndrin, po nuk më ngroh.
Asgjë nuk e ngroh largesën nga mëma, asgjë.
Nënë, më prit,
do të kthehem sërish te ty.
Do të kalojnë ditë, javë e muaj.
Do t’u gëzohemi ditëve me bisedat tona.
Valët shtrihen në thalb të zemrës
e rrahin me të njëjtin ritëm.
Ritëm i malltë.
Ju rrok me dashurinë time.
Ju shoh me sytë e zemrës.
Mirë u takofshim shenjtëria ime…
 
 
Po iki…
 
Po iki,
ashtu si kam ikur herë të tjera,
me peshën e ndarjes në shpinë…
Paketova mirë e mirë dhimbjen,
që të mos më dilte prej gjoksit…
Ai sa nuk po çahej, gulçonte…
Në këtë aeroport shumë herë jam ulur
e jam ngritur,
si shpend shtegtar,
duke çarë ajrin e mallit,
duke numëruar ditën e kthimit…
Eh, moj ikje!
Brengë e dhimbje më je…
Mora si hajmali
puthjen e babit mbi ballë,
si fanar të më ruajë,
vështirësitë të m’i heqë…
Përqafimi i nënës.
Oh, sa fort më ngrohu!
Dridhesha
e u struka si zog në gjirin e saj…
Ah, sikur t’i kisha këto krahë
gjithmonë me vete!
Do fluturoja qiejve të lumturisë
e kokëdhembje kurrë nuk do kisha!
Motrat e mia,
gëzimi e forca ime!
Në thalb të zemrës,
si perlë ju ruaj!
Tallazeve të shpirtit tim këngë u jepni!
Mirupafshim shenjtëria ime!
Mirupafshim në stinën e lumturisë,
të largojmë retë e zeza të dimrit
e të endemi si zogjtë në qiejt e haresë!
 
 
Të falem Atdhe
 
Të falem Atdhe,
për dheun e atit,
për qumështin e nënës,
për besën e vllait,
për ndjeshmërinë e motrës.
 
Të falem Atdhe,
për shenjtërinë e gjuhës,
që e gdhende në zemrën time.
 
Të falem Atdhe,
për tokë e ajër,
për valën mbi shkëmb.
 
Të falem Atdhe,
për djepin e foshnjës,
për këngën në buzë
e gëzimin në sy.
 
Të falem Atdhe,
për mallin në shpirt,
që djeg si zjarri.
 
Të falem Atdhe,
për gjakun e mishin
që ca nga ca po ta hamë.
 
Të falem Atdhe,
për brengat e dhembjet
që t’i gdhendem mbi ballë.
 
Të falem Atdhe,
për bukën e kripën,
që zemrën në zgrip ta lamë.
 
Të falem Atdhe,
për lashtësinë,
që të diturit injorantë
çorbosën historinë.
 
Të falem Atdhe,
për ekzistencën tënde,
që po ua largojmë fëmijëve tanë.
 
Falmë Atdhe…
 
Falmë, që në krah s’të qëndrova,
por mora rrugën,
si shumë të tjerë,
me brengën në shpinë
me mallin e zjarrtë.
Gjithmonë rend drejt teje si fëmija drejt nënës.
 
Falmë Atdhe,
që flokët t’i zbardhi koha
e nuk munda ta ndaloj.
 
Falmë Atdhe,
për lotët e derdhur,
që shamia ime e shpirtit
nuk mundi të t’i fshijë.
 
Falmë, se pa faljen e dashurinë tënde,
jam e humbur.
Fale, Atdhe, bijën tënde…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s