Poezi nga Nehat Jahiu

 
Poezi nga Nehat Jahiu
 
 
KËTU
 
Këtu ishte im stërgjyshi
edhe gjyshi,
këtu e pata babain dhe nënën
diellin e hënën.
 
Në këtë vend ende jam
edhe rrënjët e mia i kam,
jetoj këtu në këto konaqe
në kullat tona me oxhaqe.
 
Këtu nëpër këto fusha e male
që janë mbushur plot me varre,
ku dhanë ata jetën për liri
të jetojmë të bashkuar me dashuri.
 
Këtu ku kam fis e ku kam gjak
këtu e kam timin prag,
ku më ngrohin diell e hënë
ku më puthi për herë të parë
e dashura nënë.
 
 
KUR LINDA UNË
 
Babai atë ditë kishte shkuar heret në lavër
gjyshja kur linda ma preu kërthizën me drapër,
pasi lindanëna menjëherë u ngrit në këmbë
e mori sitën tek magjja, aty ku e kish lënë.
 
Gjyshi e zbriti nga tavani një djep prej druri
aty pranë oxhakut që mua të më përkundi,
djepin tue përkund këngës ia nisi me telat e çiftelisë
thoshte se ju shtua edhe një mashkull shtëpisë.
 
Edhe një burrë thoshte iu shtua oxhakut
hapur dera do i mbetet gjithnjë konakut,
u shtua edhe më shumë kombi e fisi
do lëshojmë rrënjë thellë në tokë si lisi.
 
 
LOTËT E NJË FËMIJE
 
Dikur kur unë isha fëmijë
nga dhembja e ndarjes shumë qava,
aty pranë ftoit që kishim në avli
me lotët e mi këmishën lava.
 
Babain e shikoja fytyra iu kishte bërë nur
i lodhur nga mërzia ishte mbështetur në mur,
si një qiri që shuhet shkoi e u tret
se pa më te dashuritë e tij vetëm mbet.
 
Atë ditë edhe lumi ndali rrjedhën e vet
çdo gjë për ne u bë e errtë,
edhe dielli në qiell na u nxi
kur farefisi u nis për në Turqi.
 
Një kusi me ujë pas tyre derdhëm
duke i shikuar imazhet e tyre mbetëm,
ata shkonin larg atje në kurbet
guri u lëkund nga vendi i vet.
 
Mbet shtëpia zbraztë, mbet oborri pa zë
kush e di se kur do ti shihnim më,
babai qante, armikun e mallkonte
pas tyre nuk mund të shkonte.
 
Unë qava e qava se isha fëmijë
nuk kuptoja gjë por kisha mërzi,
ia fshija babait lotët me shami
e ai me shtrëngonte fortë në gji.
 
 
KUJTIMET E RINISË
 
Sa më ka marrë malli për rininë time
për të paharruarat ato kujtime,
për lulet që çelnin në pranverë
që e mbushnin katundin plot me erë.
 
Më ka marrë malli për prehërin e nënës
në shuplakë ti mbaj rrezet e hënës,
ti shoh plakat duke punuar pranë vekut
e vashat e katundit pranë gjergjefit.
 
Ta shoh në mal të bukurën bareshë
në lëndinë me bariun duke buzëqeshë,
ti shoh delet duke pushuar aty në kope
zogjtë duke kënduar në të tyren fole.
 
Më ka marrë malli për rininë time
në shpirt më kanë mbetur ato kujtime,
nuk do ti harroj unë derisa të jem gjallë
tek varri im do të shkoj me këtë mall.
 
 
ISHIM TË FORTË SI GURI
 
Me arna na ke arnuar këmishën
pranë oxhakut e ke ndezur pishën,
me krande mbledhura në vjeshtë
në prush bukën na e ke rreshkë.
 
Një hasër në tokë na e kishe shtri
në ballë të oxhakut një pustaqi,
grurin e fshinim në fushë të lamës
mezi e mbushnim gjysmën e magjës.
 
Në çerep me saç nga ti nënë piqej buka
në një vorbë dheu zihej fasulja,
rreth sofrës hanim me lugë druri
ishim me zemër të fortë si guri.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s