Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Vizatim me akuarel
 
Ja gjurmët e mia nën qiellin që stis retë
dritëhijeve luajtur me shkime rrezesh,
ja shpirti im shndërruar në frymë
tek flet me zhargone mendimesh…
 
Ja ndjenjat përhumbur nëpër atë qerthull
që ngjyrat ka zverdhur stinësh,
ja stigmat fshehur fasadave të rreme
e dhimbjet përtej kornizash…
 
Ja troku drithërues përhumbur hapave
enigmave që vetëm thellohen,
ja flatrat ngarkuar me dëshira të pafajshme
shkëmbijve të egër tek thërmohen…
 
Ja ti, tek vjen, si një fllad pranvere
më përkëdhel e lulet ndjej të çelin
buisin ngjyrat në njëmijë vezullime
mbi fletën ku vizatoj akuarelin…
 
 
Çast
 
Vështrimi kthehet në çast,
zbathur, para një fotografie,
zhgënjimit në vite,
tek-tuk, ndonjë fitore e trishtë
e koha më shkel me zinxhirë melankolie,
rrëmujës së mendimeve,
qerpikut nën hije…
 
 
***
 
Pleksej, shpleksej tablosë së gjallë
imazhit, që si gjethe humbte
kahëve nga frynin erërat,
e vetvetja, kurrë s’mund të ishte…
Ndërsa bindej,
se s’ kishte iluzion më të madh
boshllëkut që fshihte,
atij gjoksi n’gufim,
pëçapur rrugëve me shallin e grisur….
 
 
***
 
Natyra jep shfaqjen e saj më të madhe,
në lagjet me rrugët e shtrembëra,
për të ngazëllyer veç një grimë shpirtin tim të krisur
pushtuar nga mallëngjimi i ndarjeve,
teksa qielli shkrihet me retë,
lartësive kalamendëse.
 
 
 
Shkujdesur
 
Çapitem mbi toka t’egra,
të pashkelura …
ndalem
e mendoj,
brishtësinë fsheh magmave të fjetura
stuhitë e shpirtit në limfa të heshtura,
teksa pres të rritem…
pa menduar kurrë të ndaloj…
 
Ndoshta,
a nuk është një sprovë koha,
tek flet për madhështinë e stinëve.
 
Të gjitha,
më bëjnë më të fortë
tek diellin shikoj  përtej frikës…
e ndërkohë zgjedh;
Çfarë parfumi të lë pas,
asfaltit të shkelur kaq shkujdesur…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s