Më jepni një dollar, sër! (Histori amerikane) / Nga: Namik Selmani

 
 Namik Selmani
 
 
Më jepni një dollar, sër!
Histori amerikane
 
Xhimi dhe Stefani ishin ulur në një nga lokalet e zhurmshme të atij qyteti amerikan, diku pranë oqeanit. Kuqëlima e bardhësia e ndërtesave siku bënin një lojë të çuditshme në sytë e vizitorëve të huaj që dukeshin nga autobuzët e kritikuar posaçërisht për turistët apo edhe në sytë e banorëve të tij. Në vende të dukshme të lokalit kishte mjaft flamuj amerikanë të madhësive të ndryshme.
Lokali ishte i mbushur me shumë njerëz. Ishte një grup njerëzish kryesisht të moshës së mesme që po hanin drekë, me gota vere të mbushura përpara. Kamarjerët dhe kamarjeret e shkathta nxitonin me blloqe në duar apo dhe me pjatat e mbushura me ushqime tradicionale amerikane.
Në sfond të lokalit ndihej një muzikë ritmike me një zë më shumë se e zakonshme, që e bënte të vështirë komunikimin. Këtë vështirësi po e përjetonin dhe dy miqtë e ngushtë në atë tavolinë dyshe që kishte një kënd shikimi nga rruga
Xhimi, gati fare pa vetëdije, rrotullonte dorën në gotën e verës. Gishtërinjtë lëvznin me një lloj shqetësimi që kalonte kufinjtë e të zakonshmes..Stefani i ulur përballë po e shihte në fillim pa ndonjë interes të madh këtë gjendje të tij. Por po e shihte se në ato që ia thoshte, Xhimi ishte pak indiferent.
Biseda shumë herë i ngjan një pjatance me qershi ku ti kërkon të marrësh një kokërr e hop, në duar të vijnë tre-katër të tilla. Ku nuk të dërgon biseda.Edhe ata kishin rënë në një grackë të tillë. Po flisnin për planet e së nesërmes, për bizneset e tyre. Për miqtë e dikurshëm.
-Ty të ta ndodhur diçka, – i tha befas Stefani shokut të tij që vërtet kishte një vështrim të përhumbur.-. Nuk të kam kërkuar ndonjëherë që të më rrëfesh, por sot do ta prish rregullin. Ma trego
-Po, po, ke të drejtë. Nuk ta thashë që në fillim se nuk doja që të të shqetësoja dhe ty. Dje kalova në një lagje që edhe ti e njeh mirë. As dhe tani nuk e di se ku më humbi portofoli .
Në të kisha sa disa dokumenta të rëndësishme, pa të cilat jeta në Amerikë është e vështirë. Kisha kartat e kreditit, kisha Aidinë. Kisha dhe mjaft banknota 100 dollarëshe. Nuk mendoj se do ma ketë marrë dikush, po diku mund të më ketë rënë nga xhepi. Njoftova dhe policinë, dhe mbase kam një shpresë të pakët dhe besoj se ata mund ta ma gjejnë. Po atje përherë ka shumë njerëz në rrugë dhe është e vështirë.
Më shumë se paratë, më vjen keq për dokumentat. Vërtet që ato dhe mund të bllokohen, po duhet mjaft kohë që të shkosh t’i bësh prapë. O, sa kohë që duan dhe ti e di që koha tek ne është më shumë se para. Është njëlloj sikur të betohesh “Për kokën e kohës!”
Edhe gruas nuk i tregova mbrëmë. U veçova pak që ajo edhe shqetësimin më të vogël të mos ma kuptonte.
Ajo shqetësohet edhe për një gjë më të vogël dhe në shqetësimin tim e kisha mjaft të vështirë që të diskutoja me të.
Një çast zotëroi heshtja. Rrëfimi që po dëgjonte Stefani, ishte mjaft goditës për të dy. Kishte kohë që e njihte mikun e tij dhe patjetër që i vinte keq, po në atë rast nuk kishte si ta ndihmonte.
T’i thoshte se e kishte vetë fajin që nuk ishte kujdesur për atë veprim??? T’i thoshte se mund ta parandalonte???
Mbase, po në atë kohë nuk do ishte e nevojshme një gjë e tillë. Gota ishte thyer e në këtë rast duhet vetëm të mblidhje copëzat e qelqit e t’i vije në një vend të caktuar.
Një goditje e tillë psikologjike duket se e kishte goditur rëndë Xhimin, edhe pse mbahej për një burrë me karakter të fortë e të papërkulur.
Jo, jo, duhej më shumë qetësi për të. Madje edhe për shokun e tij që me mjaft përkujdesje donte ta qetësonte, ose edhe ta ndihmonte nëse mundej.
-Ku mendon se mund ta kesh humbur?- e pyeti Stefani Xhimin.
-Kam mendimin se duhet ta kem lënë ose harruar tek Lagja e Latino-Amerikanëve.
– Ooo, I am sorry. Atje ku mendon se e ke lënë, ti e di se është një lagje mjaft e varfër. Ata janë mjaft të uritur edhe për një cent. Edhe shkollat atje janë të pakta e ata nuk munden që ta vazhdojnë masivisht shkollat e larta. Atje mund të mos të ta kenë vjedhur, po ai që mund ta ketë gjetur, pa dyshim i është gëzuar të paktën parave që ti ke patur në portofol. E ka gjetur edhe një kosh mbeturinash që të ketë hedhur kartat e tua të shumta.
…Xhimi e dëgjonte shokun me vemendje Kishte një inat të brendshëm për fat të keq, i kishte ardhur në atë ditë dhe që ia kishte bërë vërtet të vështirë gjykimin. I kishte ikur qetësia. Njëlloj si të mendosh për një fakeqësi që ti nuk ia di arsyen e aq më shumë se si ta zhbësh, ta heqësh nga jeta, nga dita kur të ka ardhur e që ka lidhje me të sotmen e më shumë edhe me të nesërmen tënde, të familjes, të fëmijëve të tu. Në rastin e Xhimit ky rreth zgjerohej edhe me bizneset, të cilat ai i kishte në qytet e në rrethina.
-Stefan, ta besoj gjykimin tënd. Po do të të them një gjë. Një lloj misteri që kam brenda vetes. Një gjë që më erdhi në mendje që kur pashë se portofolin nuk e kisha në xhepin tim, në trupin tim.
Nuk e di se nga më vjen. Të them të drejtën, edhe në mjaft raste të vështira të jetës nuk kam patur kurrën e kurrës kaq shumë besim se atë do ta gjej. Nuk e di se si. Nuk e di se kur. Nuk e di se kush do jetë ai moment.
Këtë besim nuk e kam vetëm nga policia që zakonisht në këto ngjarje nuk kanë faj nëse ato nuk zbardhen. Vetëm sa i vënë në statistikë. Po kam një parandjenjë të veçantë. Gati mistike.
Si për çudi, ose, më saktë, sikur ta kishte dëgjuar zërin, fjalinë, mendimin, misterin, mbase edhe vetë bekimin e Zotit, një tringëllimë celulari ia shkëputi vemendjen Xhimit, por jo më pak dhe Stefanit.
Një tringëllimë e vazhdueshme. Pak a shumë lutëse. Ishte një numër të panjohur. Vërtet në ekranin e tij ai kishte mjaft numra miqsh, bankash, rrjetesh sociale, hotelesh, po ai numër ishte krejt i panjohur. E kishe zakon që, ashtu si mjaft amerikanë të tjerë, të mos e hapte telefonin e një njeriu që nuk e njihte, nuk ia dinte emrin.
Nuk e dinte se se kush ishte, po prapë Xhimi e mori smartfonin dhe e ngriti ngadalë me një lloj përtese, droje, kureshtjeje.
-Hello,- u dëgjua nga tej numrin një zë që dukej se ishte një burrë i moshuar. Ishte një zë burri e jo ndonjë nga ato femrat zyrtare të shumta që flasin edhe me një lloj delikatese të shtuar në telefon.
– Unë jam Paolo e banoj në Lagjen e Latino-amerikanëve. Këtu unë kam një dyqan të vogël ku shes artikuj të përdorimit të përditshëm. Pranë meje unë kam një djalë që kërkon që flasë me ju.
Ai ka gjetur portofolin tuaj dhe kërkon që t’ua dorëzojë juve. Nuk ka celular e më kërkoi që të fliste me timin. Ju lutem, shkruani dhe adresën time që po ua jap dhe na caktoni kohën kur të takoheni me të.
Për një çast, Xhimi heshti. I erdhi si një goditje rrufeje. Po jo nga ato vetëtima që menjëherë sa nisin të duket në horizont, ti nxiton që të futesh në një strehë rruge, shtëpie, ndërtese që të dukesh se ke shpëtuar nga goditja e saj.
-Oh, thank you, sër! Besoj se pas dy orësh unë do të jem aty patjetër.
Iu dukën pak të gjata dy orë, po ai llogariti dhe kohën e rrugës dhe ndalesat në semafor.
Një gëzim i brendshm i erdhi. Dhe tashmë me një fytyrë të lumtur nxitoi që t’ia thoshte Stefanit:
-Një djalë ma ka gjetur portofolin dhe më kërkon që ta takoj për të ma dorëzuar.
E mbajti pak veten Lajmi që sapo i erdhi e bëri menjëherë edhe të heshtur. Ç’kishte ndodhur?
Kush ishte ai djalë që e kishte gjetur e që kërkonte sa më parë që t’ia jepte? Si ta falenderonte atë e si ta shpërblente? A do t’i kishte të gjithë dokumentat në rregull???
Në vendin e takimit shkoi në kohë. E dinte mjaft mirë se koha është tregues i korrektësisë, po atë ditë ai ishte më se i detyruar për mjaft arsye që ta respektonte kohën.
Ishte një ditë vjeshte e freskët. Akoma rruga kishte mjaft gjallëri si në atë cast të para dy ditëve. Me vete mori dhe Stefanin që të jetonte edhe ai me gëzimin e tij.
Sa mbërriti Xhimi dhe Stefani, takuan njëherë Paolon shitësin dhe më tej takuan djaloshin që ishte rreth 12 vjeç . Ishte një djalë që kishte veshur një xhup të lehtë me emrin e qytetit në gjoks. Kishte veshur një palë atlete që ishin të grisura pak në majë, aty ku gati gishti i madh i këmbës sikur donte të dilte.,
Duke e mbajtur për ditë në duar ai e dinte përmendësh se çfarë kishte dhe në ç’pozicioni kishte vënë ato
-Sër, unë e gjeta portofolin tuaj dhe jam shumë i gëzuar që po ua jap. Aty gjetëm edhe numrin tuaj të telefonit. Ju lutem, shikoni se mos ju mungon ndonjë gjë.
Xhimi nuk donte që të krijonte një situatë të pakëndshme dhe e pa portofolin
Asgjë nuk mungonte në të. As edhe paratë që i mbante mend se sa ishin se i kishte vendosur që në mëngjesin e asaj dite në të.
-Faleminderit. djalë i mirë! Si të quajnë e me se merren prindërit e tu?
Në ndonjë rast kjo pyetje do i dukej e panevojshme. Janë pyetje që amerikanët i bëjnë rrallë, por Xhimi e kuptonte se pas këtij veprimi ishte dhe edukata e tyre, aprovimi i tyre.
-Babai im është pak sëmurë dhe merret shumë herë me mbledhjen e kutive bosh të birrës dhe të shisheve të verës.
-Edhe një herë ju falenderoj. Dhe tani do të të pyes për një gjë të veçantë. Ti duhet të më dëgjosh mirë, shumë mirë. Si mund që të ta shpërblej këtë veprim?
Unë dua të të shpërblej për këtë që bëre për mua. Të lutem, më trego se si mund të të shpërblej.
Nuk donte t’i thoshte se ai dhe familja e tij ishin mjaft nevojtarë. Atyre ju ju duheshin më shumë rroba, më shumë ushqime, këpucë, më shumë shkolla, më shumë makina. Jo jo, nuk donte t’ia thoshte këtë gjë Paskalinos si tha se e quanin.
Me një fytyrë të skuqur djali Paskualino i tha:
-Jo, sër, unë asgjë nuk dua prej jush. Unë jam i gëzuar që ua gjeta e tani ju e keni atë.
Xhimi heshti. Një rrëke e madhe dhimbjeje, habie, respekti, para modestisë së tij. Të gjitha i kishte ai në këtë përgjigje. Të gjitha. Ai donte sa e sa gjëra. Madje jo vetëm ai, por dhe shumë djem dhe vajza të tjera si Paskualino.
-Meqë po ngulni këmbë, sër, po ju kërkoj dicka.
Menjëherë Xhimit i ndriti fytyra. Jo, jo, nuk mund të ikte nga ky vend, nga ky njeri, nga kjo lagje që shumë edhe e shihini me një sy pak të shtrembër.
-Fol dhe unë do ta realizoj dëshirën tuaj!
-Më jepni një dollar, ser! Vetëm një dollar dua!!
-Kaq pak????!!!
-Po, sër, dhe asnjë më shumë! Po unë dua një dollar se dua të paguaj shitësin. Unë nuk kam celular e nuk kisha si të të njoftoja. Iu luta shitësit që t’ju njoftonte juve dhe për këtë i kam borxh një dollar. Unë nuk dua që të shqetësoj atë me këtë borxh sado i vogël qoftë ai.
Ai nxorri një pesëdhjetë dollarëshe që t’ia vinte në dorë, po djali nuk pranoi. Edhe me këmbënguljen e tij të madhe, ai nuk donte që nuk donte ta merrte.
Më në fund ai i dha vetëm një dollar që djali në çast ia dha shitësit të barakës, të cilit ia kishte marrë borxh për bisedën.
U nis. Hipi në makinë e sërish ktheu dorën pas në formë përshëndetjeje për atë djalë të mirë. Sikur ishte bërë në çast pjesa e shpirtit të atij djali, të atyre njerëzve që po linte pas.
Akoma nuk e besonte se çfarë po ndodhte. Vërtet çudi. Gëzimi i gjetjes së portofolit i kishte dhënë një lloj meditimi. Një çast e harroi atë. Një dallgë po ka e fuqishme po i ngrihej dhe që i dukej më e lartë se ajo e oqeanit.
I kishte hyrë në një borxh të madh atij djali në atë lagje ku flitej më shumë për bukën për nevojat elementare se sa për udhëtimet dhe luksin.
Dy ditë më vonë sërish u takua me Stefanin Ishte kohë e mjaftueshme që të merrte një vendim të ri. Të rëndësishëm. Të logjikshëm. Mjaft human. Humanizmi i Paskualinos e kishte stepur. E kishte detyruar që të mendonte ndryshe. Të gjykonte ndryshe për paratë që fitonte dhe ato që kishte në banka. Deri atëherë e kishte parë lagjen dhe nevojat e saj nga larg. E kishte parë nga kolltuku i dhomës. E kishte parë nga lulet, për të cilat harxhonte me mijëra dollarë duke marrë një specialist nga më të mirët e qytetit..
Qyeti i dukej më i madh se sa ishte në të vërtetë. Me popullsinë, me njerëzit, me kishat e parqet. Me bibliotekat e shkollat Me llojet e makinave më të mira të botës. Me plazhet e rrugët e gjëra. Me teatrot e stadiumet. Me aeroportin e ndërtesat qiellore. Me tregjet e shumta e me muzeumet.
Paskualinua atje larg ishte një copëz e tyre. Ishte një pjesë gati anonime që ai nuk e kishe njohur më parë. Ai dhe familja e tij. Familja dhe lagja e tij.
-E kam vendosur, Stefan. Një pjesë të madhe të parave të mia do i investoj te ajo lagje. Do të ngrej dy shkolla të reja të mesme, një bibliotekë dhe një park të madh me lodra.
Djemtë si Paskualino duhet të shkollohen qoftë dhe falas që të jenë të zotëri e vetes. Që asnjëherë të mos zgjasin duart e të kërkojnë një dollar. Më kupton! Me një dollar asgjë nuk mund të blesh në të gjithë tregjet. Stefani dëgjonte. Miku i tij Xhimi ishte vërtet i lumtur . Shumë i lumtur. Dhe lumturia e tij ishte te ajo ëndërr e re dhe e bukur që ai kishte me vete atë ditë. Një ëndërr që ia kishte zgjuar ai djalë i mirë sybukur.
 
30 mars 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s