Poezi nga Rexhep Shahu

 
Poezi nga Rexhep Shahu
 
 
***
 
Në kete atdhe
Hajni është shenjt e lavirja shenjtore
I vobekti vdes si numër e kaq
Të ligut i ngrenë përmendore…
 
 
ÇFARË TË BËJ ME VETEN
 
Çfarë mund të bëj me veten, hijen time shtrirë në tokë,
Që duket e s’duket, por e shkelin të gjithë
Me këpucët ku është ngjitë muti.
Çfarë mund të bëj tani kur gjethet bien jo nga vjeshta a dimri,
Por nga dhimbja që ther në palcë të trungut
Dhe i flak era si shpirtra të vdekur.
Çfarë të bëj me buzët e mia që nuk qeshin,
Me sytë e mi që nuk shohin asgjë.
Hëna rri e fikur si në faj, dielli fshihet qiejve si tradhëtar.
 
Çfarë të bëj unë me shpresën e plagosur, që e mbaj në shpinë,
Ku ta lëshoj për pak t’ia pastroj fytyrën buzë burimit,
T’ia heq baltën fytyrës kur e kanë zhgërryer,
T’ia mëkoj plagët kur e kanë kafshuar,
Kur e kanë puthë kafshërisht dhe përdhunuar.
 
Çfarë të bëj unë me kujtimin tënd, mungesën që më ther në palcë,
Tokën e shkretë ku krojet pa ujë tmerrojnë,
Ku s’mbin fije bari e s’ka shenjë jete,
Ku s’këndon qyqe, as gjinkallë.
 
Çfarë të bëj këtu vetëm me vdekjen në mes të fushës,
Të luftosh në luftë, e kotë thotë ajo
Njëlloj të jetosh si mes të gjallëve, mes të vdekurve.
Çfarë të bëj, më thuaj!
Teksa gjethet bien dhe i flak dhunshëm era e çmendur,
Dashuritë vriten nga frika e humbjes,
S’ka varrezë dashurie në këtë qytet.
Vrasja duartrokitet në tribuna, salla e sheshe
Kalërojnë kuajt e inatit dhe urrejtjes,
Tërheqin zvarrë kufomat e ëndrrave të mia të bukura,
Kufomën ende me shpirt të shpresave të përdhunuara
Nën ritmin e ulërimave që çmendin zhgënjimin tim
Tek shoh si vrasin njëri – tjetrin ata që fitojnë humbjet
Dhe kalërojnë kuajt e urrejtjes drejt humnerave të harrimit
Duke sharë me loçkë të shpirtit diellin.
 
Ti ishe det e unë gjithmonë i mbytur në ty
Në këtë qytet kaosi, që thith ajër urrejtje dhe gjithmonë më përzë
Me bandat e tij të hajnave, kurvave dhe maderbazëve
Mua endacakun e përjetshëm, që s’di nga të shkoj e ku të thej qafën.
 
Nga: “Qyteti i lutjeve”
 
 
KA KOHË
 
Ka kohë që ta kam lënë amanet veten time
Dhe jam i qetë.
 
Por herë pas here trishtohem
Ndonëse ti më thua se s’më ka hije trishtimi.
 
Trishtohem ndaj ta kujtoj
Shih se mos më harron ndokund
Dhe më hedhin në plehra pastaj.
 
E di se më mban në sy
E shoh veten kur të them prit t’i shoh sytë
E di, ke për mua një kujdesje të fshehtë elegante
Më pyet ku ishe dje, pse erdhe vonë sot…
Por prapë ndonjëherë kam frikë
Se nga nxitimi se po të ikë avioni më harron në stol në aeroport
A më harron te shitësja e çokollatave që ngjan me ty
Ajo s’do më mbajë, do më nisë si valixhe e humbur drejt askundit
Ndonëse kurdo në sy do të kem fytyrën tënde, sytë e tu.
 
Kam frikë herë pas here, pse ta fsheh
Se mos më harron mes ndonjë libri në rafte
E s’mban mend ku më ke lënë.
Në ndonjë sedile treni a autobuzi ku nxitohet gjithmonë
Në ndonjë kafe në karrigen anash ku ëndërron të më kesh.
 
Ka kohë që ta kam lënë veten amanet
Por druaj se më harron ndokund
Dhe kam frikë se mbetem pa ty.
 
Nga libri “Dita e gjashtë”
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s