Cikël poetik nga Shazim Mehmeti

 
Cikël poetik nga Shazim Mehmeti
 
 
KALON PËRMES DRITE…
 
Kalon përmes drite,
duke pirë dritë.
 
Ajri ribëhet,
nga kurmi që përhapet
nga pranverë e saj.
 
Shumohen jonet e përjetësisë.
Pemët zgjasin krahët
drejt shiut shpirtërues.
 
Frymojnë pemët e qenësisë?
Shndërrohen në këngë pemët?
Janë zogj dashurie
pemët që këndojnë?
 
Oh,
ndërkohë që ajo pi dritë,
në gurrëdritën e kësaj peme,
pema e jetës lëviz.
Me gjithë të paqenmen e saj
drita hepohet.
 
Drita lë gjurmët
pas hapit të asaj vashe,
që pi dritë…
 
 
KËNGË PJEKURIE
(dashuria)
 
Është nata
që e falimenton fytyrën e saj të ftohtë
në koncertin e yjeve që lëvrijnë;
shprehja më muzikore
e lojës së trupave kërkues,
dhe copëzat e dritës,
që shfaqen e shumëfishohen
mbi kurorën e grisë;
agimi –
akti më i bukur i vdekjes së ankthit,
mbi supe të të cilit
qafën zgjat harbimi;
harrimi më i bukur
i ditës me lotë….
 
 
NUHATMË ME HUNDË PRANVERE!…
 
Kjo vjershë nis te hunda,
kjo vjershë nis te hunda, E mira,
te hunda jote e drejtë,
e mprehtë si sqep pëllumbi.
Te hunda që më shëtit fytyrës
e më nuhat
e ma lanë fytyrën
me aromë pranvere.
 
O fllad përtëritës!
O nuhatje e papërshkrueshme,
që rrudhat e fytyrës mi thith,
e më përtërin si prilli blirin!
 
Unë jam bliri, E mira,
jam bliri që përtrihet
në pranverën tënde,
në atë pranverë që ti ma nis fytyrës.
 
Jam bliri që nxjerr sythat,
bliri që rilind e bëhet
në kopshtin tënd blerosh.
 
Preke blirin,
preke blirin,
preke blirin, E mira!
Preke blirin në çdo syth!
Duke prekur blirin,
ti pranverën tënde ke zbuluar.
Dhe blerimi im prej bliri
do çelë aty, mbi ty.
 
Po vij,
po futem,
po vij po futem,
në kopshtin tënd blerosh.
 
Dëgjoje hapërimin,
dëgjoje hapërimin, E mira!
Brenda teje më ndjej!
Ndjeje blirin që të sjell rinimin!
 
E ndjen shushurimën
e gjetheve gjelbëroshe?
I dëgjon zërat e zogjve t’buzëburimit?
Dhe vetë shpirtburimin,
që rrjedh e gurgullon
me zëra t’hareshëm?
 
Lëngështia rrjedh,
lëngështia rrjedh flladshëm
nëpër dejet e blirit –
kopshtin pranveror e ujit, E mira.
 
Ti je kopshti,
ti je kopshti domosdo!
Unë jam bliri,
unë domosdo jam bliri!
Jam bliri që lëshon rrënjë
e derdh blerim.
 
Më ndjej,
më ndjej,
më ndjej, E mira!
Më ndjej si pushtuesin
e tokës që ribëhet,
ooo, ti toka ime që ribën pushtuesin!
 
Më ndjej,
më prek,
më pushto!
Më ndjej më prek më pushto!
Nuhatmë me hundë pranvere!…
 
 
MËNGJES MOLLËSH…
 
Mëngjes mollësh –
cica verore,
të vogëlthta,
pothuajse inatqare,
me thimthazinj ngritur
nën bluzat blu.
 
Syçka që ndjejnë
e shohin rinueshëm
drejt syve ujorë
të qiellit kaltërosh.
 
Freske gjinjsh
të posazgjuar,
të posadalë,
që si puhiza mëngjesi frymojnë,
mbi krahërorë të bardhë vashash.
Gishta të hollë ndjesie,
që si vesa prekin,
ledhatojnë.
 
Krehje, krehje,
valëzime flokënajash
të posalara,
që lagur, njomur,
lëvaren e derdhen qafash,
e bien ledhatueshëm,
e frymojnë,
mbi supe
e mbi gjinj.
 
Hukama epshesh,
që gjurmët lënë
ballit të vesëzuar pranveror.
 
Padurimin e zemrës e ndjej,
o Perëndi,
dhe e përqafoj marrëzisht
shpërthimin e dritëshpirtit
të lulemollëve në kopsht…
 
 
KËNGË PËR USHUJZËN E POSAZGJUAR
 
Dielli i përzjarrtë i gushtit
si copëz zemre digjet,
mbi qiellin e shpalosur
si një pëlhurë shpirti.
 
Larg vitit, larg stinës,
larg syrit të përbotshëm,
ajo është në banjë,
vetëm me veten
dhe me ujin që i skuqet,
ngadalë, ngadalë
përposhtë këmbësh,
në vaskë.
 
Përballë e ka pasqyrën
dhe te pasqyra veten:
mollëzat e posadalura,
fundbarkun e lulëzuar.
 
Nimfëza ngjyrëgruri,
e lëngësht, e gjallë,
ma përfton prezencën.
Ngrit kokën, lag buzët,
mbush gojën me jetë.
Currilët e ujit
i derdhen mbi supet
si muzikë.
Nën harmoninë drithëronjëse
që i derdhet trupit,
nga flokët, nga duart,
nga shkuma, nga sapuni,
ajo frymon e ndizet.
Kafshon buzët e fryra,
dy gjysmëpjeshkëzat e kuqe
që i hapen gjithë epsh,
në fytyrën e re
të engjëlluar.
Fshin avujt e nderur,
që përepshshëm ia mbushin,
kënd më kënd, pasqyrën.
Bëhet ushujzë e posazgjuar.
Gjithnjë e përflakur
e lë, e braktis vetveten,
lulezën e posaçelur e të rrallë,
që është e njomë,
e njomë, e njomë,
tepër e njomë për ta këputur…
 
Dielli i përzjarrtë i gushtit,
si zemërimja digjet,
mbi qiellin që është i shpëlarë
si shpirt i saj.
Larg vitit, larg stinës,
larg syrit të përbotshëm,
ajo është në banjë,
vetëm për vetëm,
me Zotin e Zjarrit dhe Zotin e Ujit,
që xhelozojnë e dyluftojnë mbi avujt,
dhe… dhe me syrin tim prej burri,
që rri, e përgjon, e pret,
e… s’e këput si pjeshkën!…
 
 
BORHES I VERBËR
 
O Borhes!
O Borhes i verbër
që sheh edhe kur s’sheh!
Me sy mendjeje, Borhes!
Borhes dinak!
Borhes, Borhes!…
 
Më ke pikur në mendje
me atë Aleph,
që s’është veç dritë,
që s’është veç gjithësi,
që është dhe plazmë gjaku
dhe flutur livadhi njëkohësisht!
Dhe sy!
Dhe sërish sy,
dhe sërish sy!
Dhe mendim i kaltërt ere,
që nëpër trurë më frynë
e ëmbëlsisht më pëshpërit:
shikoji këto vithevise,
shikoji këto visevithe!
Janë për t’u prekur,
janë për t’u dashur,
janë për t’u parë!
 
Oh, vithe, vise
vithe, vithe, vise!…
Vithe nimfash,
që si në dasëm vallëzojnë,
e më rrëshqasin nëpër sytë,
deri te i përgjakuri shesh i zemrës!
Vise nimfash
me përmasa përsosmërie,
si oaza të vogla jete,
ku mund të pushosh,
ku mund të pijsh ujë,
në buzë të atij pusi të thellë të zi,
nga ku derdhet drita krejt e bardhë!
Vithe të rrumbullakta vashash,
që i shoh e s’mund t’i prek!
 
Preke jetën,
preke jetën,
preke jetën, Aleph!
Jeta mund të preket gjithandej,
vetëm duke u bërë ajër.
 
Më bë ajër,
më bë ajër,
më bë ajër, hirësi!
Më bë ajër,
t’u ngjitem prapa këtyre vitheviseve
e t’i prek!
T’u ngjitem prapa këtyre visevitheve
e t’i puth!
T’i puth njerëzisht,
t’i puth epshmërisht,
t’i puth tmerrsisht,
t’i puth përjetësisht,
si e puth Zotin,
si e puth Zotin,
si e puth Zotin,
ai Aleph!….
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s