Poezi nga Lumo Kolleshi

 
Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
KËNGË E TRISHTUAR PËR VENDLINDJEN
 
Dhe vajta,putha gurë e drurë e pllaka varresh,
Qemerin e portës me gëlqere lyer në atë prag,
Veç syri nuk m’u qesh,s’kish prehje të përmallej,
U përkrip, therri e dhembi e prape u lag.
 
E pakët dhe e plakur mbetur toka,
Rënim,rrëpira e veç rrëke në vendlindje.
Shtëpinë e hallës kërkova,dot s’e shqojta,
Ferrat sipër saj një mal me dhimbje.
 
Divorcuar i gjeta lisat fisnikë,me ferrat kërleshur,
Nga pjergullat të ndarë pa vendim gjykate,
Edhe dheu vet s’di pse m’u duk i zbehur,
Si një meit i shtrirë pas një mandate.
 
Ne ikim e veç ikim si të marrë,
Aktakuza e harrimit pas na ndjek:
Nuk dhame një dorë që vendlindja të mbetej gjallë
E zemra si me hithër shpon e djeg.
 
 
Verë e vjetër
 
Më hipën shpesh në kokë një marrëzi,o njerëz,
Në bodrum të zbres e me cergat të luaj,
Të më ngjiten pas flokëve mbi shishet e verës,
Më të vjetrën prej tyre ta përkëdhel e ta gjuaj.
 
Pastaj,eh pastaj,të nusërojë e gjora mbi tavolinë,
Të thërres e të shtrohem me shokët e vjetër,
Ata që hynë në zemrën time si maji mbi lëndinë,
Ata që në jetë s’ma shkelën kurrë besën.
 
Por pak e më pak po mbeten në këtë kohë gri,
Veç shishet në bodrum nuk duan të mbarojnë,
E vjetra te vera dhe në shoqëri mbetet përherë rini,
Më shumë se kaq poshtë cergave shishet ç’të thonë?
 
 
GRUAJA TOSKANEZE
 
Ajo grua toskaneze më la vërtet pa mend
Dhe ishte e bukur sa më s’ka,
Shtëpinë e saj na hapi anekënd,
Madje dhe shtratin e vet na la.
 
Mos u shpejto,lexuesi im i dashur,
Të kërkosh Kupidin me shigjeta,
Të presësh me pishtar natës zemërplasur,
Në atë shtrat veç me gruan time fjeta.
 
Çelësin na la dhe iku tok me erën
Për të na marrë mëngjesin tjetër me makinë.
Ah,sytë e mi,për dreq,në Siena mbetën
Si një qiell që pret diku një vetëtimë.
 
Në darkë vonë bie telefoni,
Ish zëri i saj që erdhi në veri…
Një natë e vetme në Siena na mjaftoi
Për t’i zgjuar ëndrrës një mall të ri.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s