PETRIT RUKA YNË / Nga: Timo Mërkuri

 
PETRIT RUKA YNË
 
 
Sot ka ditlindjen Petrit Ruka, miku im dhe i të gjithë atyre që shkruajnë e lexojnë letërsi dhe poezi në veçanti. Njeriu Petrit Ruka nuk pati dhe nuk ka asnjë armik, poeti Petrit Ruka nuk pati dhe nuk ka asnjë rival: një fenomen i rrallë ky në kohën tonë, në vendin tonë.
 
Persosnalisht jam njohur von me Petrit Rukën dhe konkretisht në një nga “Manifestimet tona të Triremës Joniane” në Sarandë në vitin 2015, por shumë vite më parë sa herë që gjeja ndonjë poezi të tij në organet letrare apo portale, më dukej se në “lumin” ujëkthjelltë të poezisë së tij shihja tek shkëlqente një copë floriri dhe “hidhesha” ta rrëmbeja. Çuditërisht këto “copa floriri” nuk qenë të ngurta dhe ca më tepër, porsa i “mirrja” në dorë ndjeja nëpër vargje një si përpëlitje, një si rahje zemre të një zogu të vogël kur e mer në dorë. Aty kuptova se këto nuk qenë copa metali floriri por qenë copa shpirti të florinjtë që Petrit Ruka e shkëpuste nga vetja dhe jua jipte vargjeve që ti shpirtëronte. Prandaj ishin gjithmon të gjalla vargjet në poezitë e tij. Duke qënë se këto “vjersha të florinjta” u bënë të shpeshta gjatë shëtitjeve të mia në rrjedhën e lumit të krijimtarisë poetike, më ngjitën dhe mua “ethet e arit” dhe mu krijua bindja se ky lumë poetik buronte në ndonjë rezervat floriri nën tokë. Besoj se të gjithë jemi dakort që poezia e Petrit Rukës të lbyrte sytë, të trazonte mëndjen dhe ndjenjat, të hapte sytë të shihje thesare kudo rreth teje, ta bënte të dashur vendin dhe njerzit, ta “shndronte Vlorën në Mekë”. Të gjitha këto vlera i shtyjnë shumë krijues dhe dashamirës të tij, madje dhe lexues të zakonshëm që, nisur nga vlerësimi i poezisë ta quajnë Petrit Rukën “një poet i madh” dhe që deomos duhet ti ngrihet busti diku.
 
Mua, të më falni ju lutem, nuk e di pse kjo frazë mbi “poetin e madh” që i duhet ngritur busti patjetër më tingëllon si krisja e një dege të tharrë lisi kur thyhet nga era. Sepse edhe lisave në rritje u thahen disa degë për tu rrutur të tjerat. Le të mendojmë pakëz mbi krijimtarinë e Petrit Rukës. Askush nuk gabohet po ti quajë poezitë e tij “të arta” në të gjithë kuptimet e kësaj fjale, madje jam i pari që i çmoj të tilla. Veçse në letërsinë shqipe ka shumë poetë që kanë krijuar vlera të tilla letrare dhe Petrit Ruka është mes tyre si njeri nga ata.
Megjithatë Petrit Ruka dallohet në një aspect tjetër nga të gjithë poetët bashkëkohës apo të mëparshëm. Talenti i tij e kishte honestrën (rezervuarin, burimin) në brendësinë e “florinjtë” të shpirtit të kombit, te arti oral shqiptar, aty ku ishin strukur baladat dhe identiteti ynë. Ai, si një “poet magjistar” ringjalli dhe ripruri baladat shqiptare të stërmoçme në kohën tonë, duke shkundur prej tyre pluhurin e epokave, duke flakur përtokë mbetjet e veshjeve fetare të dymijë vjetëve të fundit dhe duke na i paraqitur ato me “veshjen” origjinale të epokës së tyre. Ishte njësojë si të nxjerrësh nga rrënojat e antikitetit statujat e tyre, ti pastrosh nga balta, tu riparosh thyerjet dhe ti rivëshë në piedestal duke i thënë botës dhe kohës: Ja si ka qënë kjo statujë! Shikojeni dhe studiojeni!
 
Dikush do më thotë që një punë të tillë ka bërë dhe Jeronim De Rada kur mblodhi këngët e “Një rapsodi arbëreshë” apo Mitrush Kuteli kur shkroi “Tregime të moçme shqiptare”. Këtu ka një të vërtetë dhe Petrit Ruka duhet të krahasohet me ata të dy së pari. Megjithatë dhe kjo duhet plotësuar dhe më lejoni ta sqaroj: De Rada i mblodhi këngët popullore dhe i botoi në gjëndjen që ato ishin, plot tym dyfeqesh e pluhur lufte mbi pelerinë dhe Mitrush Kuteli i paraqiti në prozë, me një shqipe të pastër, duke i bërë të lexueshme, të kuptueshme dhe të dashura për të gjitha moshat, të gjitha shtresat në të gjitha krahinat shqiptare.
 
Petrit Ruka bëri shumë më shumë se kaqë. Ai i mori baladat siç kishin ardhur në kohën tonë plot pluhur shekujsh e roba fetare, u shkundi pluhurin dhe u hoqi veshjen zhele, siç u hiqet statujave balta e ngjitur apo myshku i mbirë mbi to. Edhe kaq do ishte një ndërmarje madhore sepse do ti tregonte botës moderne njeriun pagan shqiptar, njeriun autokton, por ai nuk u mjaftua me kaqë. Ai ndërmori një nismë që i kalonte kufijtë e një “poeti të madh”. Ai i rikrijoi ato edhe një herë artistikisht duke i fytyrë bashkëkohëse, ndërkohë që u ruajti shpirtin e hershmëm. Ato tani duken thjeshtë si baladat origjinale të periudhës së krijimit (fundi i matriarkatit- vijimi i patriarkatit) që gjallojnë në letërsinë modern.. Njësoj si statujat e antikitetit të pastruara nga arkeologët dhe të ekspozuara nëpër muzeume, por që dikush u ka dhënë edhe shpirt. Shpirtin e jep vetëm Zoti dhe …poeti. Petrit Ruka duke i rishpirtëruar baladat na tregoi konkretisht se këto janë thjeshtë shqiptare (kot kërkojnë ti paisin me pasaportat e tyre vendet fqinjë) dhe se populli ynë nuk ishte ndonjë popull “i egër” shpellash por ishte një popull që krijoi artin kulturor oral në këtë botë. Kaq mjafton që ne sot të krenohemi se jemi bijtë e Ajkunave dhe vëllezërit e Kostandinit.
 
Ndaj miqtë e mi, mos nxitoni t’i ngrini bustin Petritit, se ky “i tepelentë” do ngrihet e do e shkrijë vetë, si Selam Musai i Agim Shehut. Unë do t’ju ftoja të mirni kopjet e librit të tij të fundit “Andej baltë, këndej erë”, të shkoni para Parlamentit dhe t’ju jipni (falas) nga një kopje çdo deputeti. Ka rezik që deputetët të mos e lexojnë fare prandaj duhet biseduar me njerin prej tyre që në vend të fjalimit, në foltoren e Parlamentit të nisë të lexojë një baladë të Petritit, psh baladën Kostandini dhe Doruntina. Jam i bindur që deputetët e sallës në fillim do qeshin, por vetëm te dy tri faqet e para do ndodhë kjo se pastaj, si shqiptarë që janë do fillojnë ta lexojnë vetë baladën dhe librin. Sigurisht që do bllokohen punimet e një séance parlamentare, por do fitojmë e do shqiptarizohen plot njëqintedyzetë deputetë, Me siguri që këta deputetë në një seancë “do marin” (dhe duhet ta mnarin) një vendim që ky libër të ribotohet dhe leximi i tij të jetë pjesë e detyrës së punonjësve dhe titullarëve të ministrive, gjykatave, policive, madje e gjithë punonjësve të supërstrukturës shtetërore si dhe të jetë lëndë mësimore në shkolla dhe universitete…
 
Shumë shpejt do shikojmë se rinia sdo kërkojë të largohet nga vendi, nëpunësit do jenë të sjellshëm me popullin, qeveritarët s’do zgjatin duart drejt tenderave, qeveria do qeverisë dhe vendi do ecë. Kjo nuk është ëndër. Ky libër ka brenda vetes ilaçin e shërimit të “sëmundjes” të pushtetit, sëmundje “ngjitëse” që dobëson Shqipërinë dhe shqiptarinë. Me shërimin e kësaj “sëmundjeje” fillon epoka e profetizuar nga Naimi : Për Shqipërinë/ Ditët e mira/ Pas kësaj vijnë.
Ky është monumenti që do t’i ngrihet dhe duhet ti ngrihet Petrit Rukës, se ai nuk punoi për vete (ai vetë qe i papunë 15 vjet) por punoi për vendin e tij dhe krijoi një vepër që vërtet mund të edukojë një popull.
 
Petrit Ruka nuk qe thjeshtë “një poet i madh”, ai qe shumë më i madh se kaqë.
 
Sarandë, më 21 Gusht 2021
 
 

Nga: Timo Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s