Poezi nga Ekrem Ajruli

 
Poezi nga Ekrem Ajruli
 
 
GJEKËTIMË POETI…
 
Mbrëmë, po mbrëmë, shpirti digjej flakë
Ca gota verë-melhem me fund kam rrëkllye
Tymos cigaret shpuzën hedh mbi plagë
Fjalët e shpirtartës i kërkova ndër yje
 
I besoj pulëbardhës që klith mbi dallgëdeti
Klithjet e saj janë ngushëllim dhembshurie
Provoj t’i derdh n’letër me gjekëtimë poeti
Rrjedhin pika loti t’nxehta si amë brishtësie
 
Si Skifter krahethyer ngrihem ngadalë
Dhe nis fluturimin mbi t’bleruarat bjeshkë
Nuk pyes për ngrica dhe të ftohtat fjalë
Se në kraharor timin digjet zemra eshkë
 
Wohlen-rruga që frekuentoj për kafenë e mëngjesit.
 
 
DIKU N’MAL TË THATË
 
Kur dritë e syve tu shkrep në sytë e mi
Zemra prushëron eshkë që digjet ndër vete
Një rekëtimë malli thellë më godet nën bri
Kujtimet i mbledh shukë dhe i lidh n’shervete
 
Nën vetullat tua shoh shikim hyjneshe
Në retinë të syve më digjen qindra përmallime
Nga buzëqeshja jote buzë-perëndeshe
Në net shtojzovallesh shpërthejnë t’prushta agime
 
Gjergjef yjesh shoh lart në univers
Qëndisur me shije nga ato duar natare
Në mes të korbnatës fjalën tënde pres
Të vjen e praruar si hëna lozonjare
 
Jo! s’i druaj errësirës së ferrit
Kur më pshtjellë me dallgë frymëdjalli
Me shikim skifteri përbuz shijen e zeherit
Që kërkon t’ngufatë m’të voglën shpresë malli
 
Ja, nisa fluturimin kah të ngrysurat re
Se i besoj fjalës të lënë amanet
Përmes shiut lotkripë do ngjitem atje
Mallin e përflakur loti nuk e tret
 
Edhe nëse nuk vjen hatri nuk më mbetet
Në takim njëorësh apo dhe të një dite
Etja nuk shuhet, jooo! as malli nuk tretet
S’fashiten përmallimet që digjen me vite.
 
Edhe nëntë plagë po i mora në shtat
S’ka stuhi as tufan që rrugën ma pret
Dhimbja është sfidë poetësh është shtrëngatë
Ndaj shpirti i trazuar varët do i lidh vet
 
Dhe ky shi që bie po me kaq furri
Dhe ky shi rrebesh mbi supe më lag
Në të lag ty unë nuk e di
Por mua zjarrin s’ma shuan aspak.
 
Ëndrrat seç mbaruan mbi pllajë djerrine
Krokamë sorrash sonte dëgjoj në mesnatë
S’dëgjohet kënga yte këngë kanarine
Si duket u fashit diku n’mal të thatë.
 
 
TË DUA SI RRUSHI GUSHTIN
 
Shtegëton kujtimi me vite rrugës sonë
Ti ndjen hapin që t’përvidhet pas shpine
Prushëron shpirti im në këto net lehonë
Dhe ndjek këngën tënde me zë gardaline
 
Porsi fllad ostrie puthjen të lash në buzë
Flokun derdhur qafës lehtë ta ledhatova
Ngadalësove hapin me elegancë o muzë
Kohën që iku pa ty, sot keq e mallkova…
 
Kur hapëron rudinës hapin ngadalëso
Buzëqesh ëmbël dhe ul t’bukurën qepallë
Rikthe kujtesën… por veten mos qorto!
Ç’ma ndrite shpirtin me ato t’ëmbëla fjalë
 
Na ikën do vite sikur s’u deshtëm kurrë
Eja, t’pres buzë lumit etjen për t’ma shua
Më përvëloi shikimi yt dhe balli plot nur
T’pres në rrugëkryq, të të them sa të dua
 
Ma shtri dorën e bardhë atë dorë pajtimi
Eja të shërojmë plagën që dhimbje pikon
Eja se s’shuhet lehtë për ty mallëngjymi
Mos harro…! Për ty malli syrin ma verbon
 
Ti diku buzë detit apo në t’cemtin përrua
Sot shuan vapën në këto ditë mesgushti
Unë s’gjej fjalë të të them sa fort të dua
T’dua si rrushi gushtin, e vjeshta mushtin.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s