Pse mungon iso te këngët e Veriut / Fragment i shkëputur nga libri “Shënjtëria e iso-s” të autorit Timo Mërkuri

 
Timo Mërkuri
 
 
Pse mungon iso te këngët e Veriut
 
(F r a g m e n t)
 
Kushdo që i ka dëgjuar këngët popullore të quajtura ‘’Këngë majëkrahi’’, të cilat këndohen nga një këngëtar i vetëm, që rëndom vendos pëllëmbën e dorës gjysëm të hapur në pozicion dëgjimi pas veshit, ka konstatuar mënjëherë se;
1 – Teknika e të kënduarit është teknikë e vjetër edhe kur këto këngë këndohen me lahutë ose çifteli edhe kur rëndom këndohen pa veglat e mësipërme, pavarësisht nga teksti i këngës.
 
2 – Këto këngë këndohen me zë të lartë, si thirje për t’u dëgjuar nga dikush që është larg.
3 -Rëndom këndohen nga një këngëtar, i cili, preferon një vënd të lartë dhe të dukshëm, kur është në ambiente të jashtëmë, në natyrë. Kur këndohen në ambiente të mbyllura, në oda, dhoma, salla etj këngëtari pozicionon trupin sikur është diku në një shkrep a mbi një shkëmb. Nqse kushtet s’ja lejojnë as këtë, ai nuk ndjehet rehat.
4- Ajo që na intereson ne në shkrimin tonë është fakti se këto këngë nuk kanë iso. Ndoshta është pikërisht vendi që të sqarojmë se fjala “iso”shpjegohet me gegnishten dhe ka kuptimin “iso= i + so”. “I” do të thotë “nji”, “një” dhe “so” do të thotë “soj”, pra “iso” do të thotë “një+soj” “njësoj” në kuptimin e disa zërave që këndojnë njësoj, me të njëjtën vijë melodike dhe gjatësi.
Pyetja që lind është :a ka patur edhe në këto zona të veriut tonë këngë me iso apo krijimi më i hershëm është pikërisht kjo këngë majëkrahi e kënduar nga një njeri, i cili duke e kënduar me tonalitete të larta, donte tu imponohej të tjerëve ta dëgjonin atë çfarë ai do t’u kumtonte?
5- Pranojmë faktin që kënga majëkrahi nuk ka iso në kuptimin tradicional të saj, por kjo këngë shpesh herë në fillim të vargut, në mes të tij dhe në përfundim të vargut ka një zanore, një zgjatim zanoreje ose një bashkëtingëllore në mes të zanoreve, si thirje të stërgjatur, e cila çuditerisht, nga ana strukturore të kujton diçka nga iso-ja e famëshme. Psh, interpretojmë një këngë të njohur;
 
Hej,he e e ej.O Bajram Curri,o ja hipi atit,oheee
O ja dha majës o ja dha shpatit ohe e e
 
Ajo që bie në sy menjëherë është numëri i madh i zanoreve në formë thirore dhe të stërgjatur.
E marë në konteks, është shumë larg isos tradicionale, por le të bëjmë pak durim. A nuk përbëhet vetë isua nga tinguj zanoresh që zgjaten në mënyrë të njëllojtë. Ja ku janë zanoret pak më sipër. Po stërgjaten dhe ajo që ka rëndësi është se stërgjaten në funksion të këngës. Veçse, pranojmë se këtu nuk ka funksionin e shtratit që mban lumin ose të qiellit që mban shpendin siç është funksioni i isos.. Nuk e kryen dot këtë funksion. Një nga shkaqet është se është thjeshtë një zë i vetmuar. Një zë që thërret, ndoshta për ndihmë. A ndoshta kumton një gjëmë, por gjithsesi është një zë i fuqishëm që çan qiellin si një krismë pushke. Dikush që e dëgjon nga larg, ndoshta nuk e dëgjon dot tekstin e këngës, por këtë thirje e dëgjon gjithsesi. Kështu dëgjohet edhe iso e këngës për së largu.
6 – Le ta shohim pak me vëmëndje këngën e mësipërme, ose këngë të tjera të ngjashmë. Ato fillojnë me një thirje,’’Hej, heeeej’’ e cila, duhet të pranojmë se është me një tonalitet të lartë. Kështu fillojnë dhe në Himarë e Labëri logatjet, me një imitim iso-je në formën e një rënkimi, si psh;’’O o o.O h o o o’’
Ndryshimi vërtet që është se, te kënga majëkrahi kjo thirje ‘’Hej, heeej’’ bëhet me një zë të mprehtë si brisk, sikur do të theksojë vetminë e tij, ndërsa te logatja himarjote dhe labe bëhet me një zë të trashur, sikur do të imitojë shumëzëra, por kjo ka lidhje me kohën e gjatë të përdorimit, e para vetëm dhe e dyta në kolektiv. Pavarësisht këtyre ndryshimeve ajo egziston, ndonëse e ndryshuar në formë nga mospërdorimi i gjatë. Pra këtë thirje të kënga majëkrahi, këto zanore të shoqëruara nga bashkëtingëlloret që zgjaten pambarim mund ti quajmë shumë mirë si ‘’atavizma të isos’’ së dikurëshme.
Nisur nga fakti se, kënga ka lindur nga vajtimi, nuk ka pse të egzistojë një ndarje si me thënë, si e prerë më thikë midis veriut dhe jugut. Në qoftë se iso-ja te këngët majëkrahi nuk egziston në formën e saj tradicionale, por egziston si një atavizmë, si një mbeturinë jo shumë funksionale, (nuk e di në se është kjo fjala e përshtatëshme që duhet përdorur) kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që egziston në të dy rastet, gjë që do të thotë se dikur edhe në veri ka patur funksion parësor. Rëndësi ka që egziston, duke vlejtur kështu edhe si një dëshmi më tepër për unitetin e etnitetit tonë.
7- Spostimi i funksionit të iso-s në këngët e veriut është produkt i kushteve të ndryshuara të jetesës në veri krahasuar me jugun. Edhe kënga është produkt shoqëror dhe ndryshon me ndryshimin e kushteve shoqërorë te jetesës, të banimit, të mirëqënies etj etj.
Le të diskutojmë bashkërisht. Himara edhe Mirdita (për të marë këto dy krahina për efekte krahasuese për thjeshtesi dhe jo se janë vetëm ato që mund të studiohen) kanë qënë zona me një autonomi dhe të panënshtruara ndaj çdo lloj pushtuesi që ka kaluar apo shkelur vendin tonë. Duke qënë se kanë qënë të dyja zona të lira atëherë lind pyetja: pse kanë një ndryshim në të kënduar, e para me iso dhe e dyta këngë majekrahi? Mos vallë ky shëmbull e rëzon pretendimin tonë?
Himara ka qënë zonë autonome e rrethuar nga tre anë nga zona të pushtuara nga armiku, por gjithsesi krahu i saj perëndimor ka qënë i lirë. Nëpërmjet detit himarjotët çanin nëpër Europë dhe haronin se ca male më tutje ishte pushtuesi.
Në Europë ushtronin profesionin e lirë të luftëtarit. Jo më kot vetëm Venediku kishte disa gjeneralë nga Himara, pa përmëndur kolonelë e graduantë të tjerë. Ishin të rallë djemt e Himarës që nuk e kalonin rininë sheshbetejave europiane. Por në Europë veç të tjerave, mirnin edhe një arsimim e kulturë për jetën dhe mënyrën e jetesës. Dhe kur vinin në Himarë, vinin kapardisur, flisnin e shkonin serbes dhe as që e kthenin kokën për të parë një ‘’halldup shallvare gjërë’’ që ishte disa fshatra më tutje. Tradicionalisht, nuk kanë njohur mbret e princ. Aty komandonine drejtonin vetëm kapedanët e emëruar nga pleqësia e vilajetit, dhe këta vetëm për periudhën e luftës se më tej s’u dëgjohej fjala më shumë se të tjerëve. Këta kapedanë dalloheshin vetëm për aftësinë drejtuese e organizuese të luftës dhe jo nga pasuria. Besoj se ju kujtohet kënga ;O more Llazo kofina/që s’pranove kurrë sqima.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se Himarjotët kanë patur kolektivitet në jetë. Në kohën e të vjelave psh të rrushit, mblidheshin të gjithë tok, fshatçe dhe mbaronin vjeljen e rushit të një familjeje, pastaj shkonin tjetra e kështu me radhë. Shtëpia ku bëhej puna kishte si detyrim moral të shtronte drekën për fshatarët që punuan dhe asnjë lloj pagese, për arsyen e thjeshtë se kjo punë do të bëhej te të gjithë fshatarët me radhë.
Kolektiviteti çfaqej edhe në faktin se, fshatarët i kishin shtëpitë pranë njeri tjetrit, duke krijuar kështu lagje në kuptimin e saktë të fjalës. Fakti që këto lagje përbëheshin prej banorëve të afërm me njeri tjetrin, shpesh prej pjestarëve të të njëjtit fis, ka shërbyer si nxitës i forcimit të kolektivitetit, qoftë për të përballuar situatat luftarake, qoftë hallet e përditëshme jetësore. Shtëpitë në fshatrat himariote jo vetëm që ishin ndërtuar pranë e pranë, por mes tyre krijonin një lidhje si murret e kështjellave ku smund të kalonte dot armiku.
Gjithashtu në ditë festash apo ditë pushimi të dielash (dita e diellit) burrat mblidheshin te rrapi i fshatit, i cili rëndom ishte pranë klubit, dhe duke pirë ndonjë gotë raki, hidhnin e prisnin romuze me njeri tjetrin, bisedonin , shtronin halle e probleme të fshatit, të lagjes ose krahinës apo atdheut dhe gjithmon ja mirnin këngës iso-polifonike.
Pikërisht ky ambient kolektiv e mbajti gjallë ison në këtë formë që e kemi ne sot.
Por në zonën veriore, në Mirditë, psh, që e morën si shëmbull, kemi një ambient tjetër. Rethim nga të katër anët, gjë që kufizon kontaktet me botën. Për pasojë edhe kultura e jetesës u mbajt fort pas disa konvecioneve. Shtëpitë të ndërtuara larg njera tjetrës, tip kulle me dritare në formë frengji, ku më shumë se sa do hinte drita e ajri, kishin si funksion të të mbronin nga hasmi, armiku etj. Kontaktet me bashkfshatarët ishin me raste. Tereni i thyer dhe klima e ashpër vështirësonin këto kontakte. Lufta për egzistencë ishte shumëfish e ashpër, si me kushtet e terenit, kushtet natyrore me dimër të gjatë e të ashpër, toka inproduktive etj etj Ambienti , klima e ftohtë depërtonte edhe në këngë, si te vargjet’’ Mori e mira n’ortek të borës’’ ‘’Kah po shkon oj bor e madhe’’,’’Tuj fry er’ e tuj ra bor,mu ka ngri marrtina n’dor’’ etj etj.
Individualizmi po diktonte kushtet e të jetuarit dhe të menduari dhe për pasojë dhe të të kënduarit. Nga biseda e përditëshme u largua humori dhe jeta u bë tejet serioze.
Në këto kushte u kultivua të njeriu malsor krenaria individuale, ajo krenari që manifestohej edhe në ecjen e tij pak si kapardisur, si duke u tundur, si me thanë sikur bëhej gati të ‘’fluturonte me supe’’, një krenari e ligjëshme që ai, një malsor i varfër, nuk ju nënshtrua një perandorie, e cila kishte zaptuar gjithe botën por jo atë, fshatin e krahinën e tij, krenari që u shtri dhe në këngë:
 
O o o.O po shtat’krajlat o po pëvesin
O ku e ka o Shqypnia mretin
N’Pej’ të vogël o Haxhi Zekin.
Ose te kënga tjetër:
Osman Daka o pika e djalit
Gjen e gjat po i bjen pazarit
Gjen e gjat po i bjen çarshis
Shkon tuj i ble o fishek alltis.
 
Apo:
 
More fmi,mos folni keq
M’ka lidh nana i her në djep
Sun me m’lidh as krajl as mbret.
 
Dhe familja e kultivonte qysh te fëmija këtë krenari dhe këtë mision e kryente si kudo në Shqipëri për së pari, gruaja, nëna.
 
Mic Sokoli n’dy tagana
Udh’ e mbar i ka than nana
Lufto bir ti për Shqipni
N’qoft nevoja vij me ty.
 
Nuk kishte asgjë të çuditëshme në qoftë se shikoje në një shpat mali një malsor të armatosur që po nisej në luftë i vetëm. Rëndësi ka të nisej se të tjerët do vinin vetë e do ta gjenin ose do ti gjente aty, te lufta.
Kjo krenari vjen që nga lashtësia. Malsorët tanë nuk janë tjetër kush, porse ata gjigandët e legjendave të antikitetit. Këtej vjen fjala ‘’gegë’’ që do të thotë ‘’gigas’’ gjigand, i madh, shtatlartë dhe i fortë. Këto cilësime i ka dëshmuar historia.
8- Diku kam lexuar një koment për Iliadën; Edhe Homerin e urtë e zë shpesh gjumi .Këtu ka qënë fjala për ripërsëritje vargjesh ose figurash artistike nëpër vargje sa që kur i lexon të kujtohet menjëherë që i ke lexuar edhe më parë.
Nuk e di në se kjo është ‘’përgjumje’ e Homerit apo e atyre që e kanë përkthyer apo hedhur në letër këtë vepër, por ajo që dua të theksoj unë është se të njejtën ‘’përgjumje’’ e shohim edhe te këngët e kreshnikëve dhe te këngët historike, si psh te Kënga e Shaqir Grishës;
 
E po na faroi more Shaqir Grisha
E po na faroi more qi na ka farue
E po t’shtat karollat more ai na i ka zaptue
E po Milan Begu more sa fort ish ngushtue… etj.
 
Siç shihet dhe më sipër, kemi të njëjtin fillim kënge dhe ndërprerje si E po… dhe.. more , e cila në fakt, si tekst, nuk e ka muzikalitetin e duhur dhe të krijon një farë ‘’përgjumjeje’’, por e kënduar me lahutë evidenton vlera muzikore vazhdimësie të këngës, duke dëshmuar edhe për një teknikë të vjetër, të lashte të të kënduarit.
Ne po flisnim për vetminë e jetës. Ditët e netët e gjata me dëborë ishin pambarimisht të gjata, se s’kishin me se të mbusheshin. Pjestarët e familjes vinin rotull nëpër shtëpi e sajonin punë pa punë, për të hequr mërzinë, bashkëfshatarët ishin larg e ‘’kush dilte nëpër gjithë atë dëborë’’.(Flasim për raste normale jetese e jo ngujime në kullë për ti shpëtuar hasmit).Vetiu lindte dëshira për të kënduar qoftë edhe brengën e mërzisë së përditëshme, apo një ëndër të tretur dashurie, apo një trimëri. Po kush tja priste e kush tja hidhte e kush të mbante iso, kur s’kishte njerëz reth e qark. Ti do të thuash; qenë familjarët. Po jo gjitë familjarët dinë të këndojnë e jo gjithmon këndohet me familjarët. Kështu u largua nga kënga isua, pritësi e hedhësi.
Shpesh herë kënga do të kumtojë diçka dhe ata të cilëve do tu kumtohet janë larg. Atëherë për ta dëgjuar ata, u dashka kumtuar(kënduar) me zë të lartë, qoftë kjo edhe vajza që ai dëshiron. Atëherë ja jep piskamës në kupë të qiellit;
 
O he he he e e j.
O mori e mira o po n’dritn e hënës o he e e j….
 
E fillon me një thirje të stërgjatur dhe po me të njëjtën thirje ( afërsisht të njëjtën ose
funksionalisht të njëjtën) e mbyll. A nuk të duket se pikërisht këtu janë elementët e iso-s së famëshme ose së paku atavizmat e saj. Sepse ai është vetëm dhe s’ka me kë të këndojë. Ndaj lëshon piskamën në kupë të qiellit, që ta dëgjojnë dhe ti bashkohen këngës së tij. Dhe kjo piskamë nuk ka një, dhjetë apo njëqint vjet. U deshën shekuj të tërë për tu konturuar në kënge. (Dhe me gjithë atë dhe sot që ka marë portretin e saj të plotë, përsëri në rastet kur këndohet me grup këngëtarësh me çifteli, ajo thirrja “Oheeej” tingëllon si iso, në disa zona veriore gjënden gjurmët e iso-s, në disa fshatra të Maqedonisë dhe të Kosovës “këndohet me iso”, qoftë kjo edhe iso e fshehur)
9-Por në qoftë se kënga mbeti simbol i vetmisë, vallja shpëtoi nga kjo.Vallja gjithmon e ruajti kolektivitetin (pavarësisht se kemi raste vallesh të vallzuara edhe vetëm, por gjithsesi shumë të ralla. Ndoshta vallen e ndihmoi së tepërmi tupani, gjëmimet e të cilit kursesi se pranojnë vetminë. Veçse kënga, kënga flet për vetminë e madhe të jetës, të cilën gjithsesi malsori do ta largojë nga vetja e tij.
10- Pikërisht në këtë vetmi të zymtë, një ditë një malsor mori një dru ahu a lisi dhe diçka gdhëndi. Thonë se diku e kishte parë më parë, atë që gdhëndi dhe se ajo kishte ardhur nga vendet e largëta arabe. I lidhi nga kreu në fund një tel të hollë a zorrë bagëtishë të prera hollë. Mori dhe nje degë të njomë nga i njëjti dru dhe bëri një hark, njësoj si harqet e luftës, lidhur me një fill të tendosur. Por te ky hark nuk mbështeti shigjetën për të qëlluar, por e mbështeti mbi telin e ‘’asaj gjësë’’ që ndërtoi. I tendosi dy telat me njeri tjetrin dhe e lëvizi harkun me dorën e djathtë. Çuditërisht ajo ‘’gjëja’’ nxori një tingull. Malsori filloi të këndojë një këngë trimash dhe me një dorë mbante veglën e krijuar dhe me tjetrën vijonte të rëshqiste harkun mbi të. Ky fërkim nxirte tingull sikur qe pjesë e këngës. Kjo ‘’gjë ‘’ i hutoi ata që e dëgjuan, i la të hutuar nga magjia e saj, i ‘’ la hutë’’. Kështu dhe i mbeti emri ‘’lahutë’’, që nënkupton ajo që i la të hutuar njerzit që e dëgjuan. (Mendimi se emri lahutë vjen nga arabishtja ‘’Al ud’’ mendoj se nuk qëndron, pavarësisht hipotezës e ardhjes së veglave muzikore të këtij tipi nga vendet arabe. Madje unë mendoj se edhe koka e dhise, e gdhëndur, jo vetëm te çiftelia, nuk e ka origjinën nga përkrenarja e Skënderbeut, por koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut dhe në krye të lahutës e ka origjinën nga dhia Amaltea, që ushqeu Zeusin. Skënderbeu, siç dëshmojnë historianët, ishte shumë i kujdesshëm për të gjetur rrënjët e kombit tonë. Nuk ishte i kotë interesimi i tij i madh për Piron e Epirin apo për Aleksandrin e Madh dhe Aleksandër Mollosin. Ndoshta vlen të theksojmë këtu se vetë Homeri i urtë e quante Zeusin ‘’Zeusi pellazgjik’’ Fakti që erdhi epoka Skënderbejane dhe koka e dhisë ishte dhe simbol i përkrenares së Kryetrimit shqiptar, qe një argument më shumë për ta gdhëndur edhe në lahutë).
Le të kthehemi te lahuta. Zëri i saj filloi të shoqërojë zërin e këngëtarit, duke zvëndësuar kthyesin e hedhesin, duke i larguar disi vetminë e jetës dhe të këngës.
11- Është nga veglat më të herëshme muzikore që futet në këngë dhe që shoqëron këngën. Ndoshta vetëm fyelli mund të ketë prioritet, sepse dokumentohet nga lashtësia e herëshme si vegël muzikore, bile e përdorëshme nga vetë perënditë e Olimpit (Dodonë). Vetkuptohet që çiftelia është një vegël më e vonëshme, si me thanë, e kohëve ‘’më moderne’’dhe lehtësisht e përdorëshme, jo vetëm në këngë trimërie, por edhe në këngë dashurie, lojna, këngë gazmore etj etj. Duhet te theksojmë dhe ritheksojmë se, me lahutë këndohen vetëm këngë epike, këngë legjendare dhe në asnjë rast këngë ‘’të lehta’’ si këngë dashurie, dasme, etj etj. Bile edhe këngët e trimërisë, jo të gjitha këndohen me lahutë. Duhet ose të jetë trimëria tepër e rallë dhe e madhe, ose trimi të jetë dalluar në shumë raste, aqë sa të jetë bërë gati gati legjendë emri i tij.
Por, ndërsa burrat këndonin tradicionalisht këngë trimash e trimërish, si psh këngët e Mujit dhe Halilit, nënat vijon të vajtonin si dikur me ligje duke gërshetuar dhimbjen e tyre si nëna, me dhimbjen për fatet e vendit;
Shka ta bëj un’ t’gjallët pa ty/Si mun’ t’shoh o un pa sy
…………………………………………………………………………………
Kur të shkosh n’at’ jetën tjetër/Ke me ndesh ndër burra t’vjetër/
Diftoj’burave t’malsis/Si vojti halli i Shqyptarisë/
Mbaroi Gruda me gjith Hot/Paçim ra n’dore Tënzot
12- Më sipër thamë që burrat këndonin këngë trimërie të Mujit dhe Halilit. Mirpo te ky epos ka një perlë të pakrahasueshme për nga bukuria e ndjeshmëria, që nuk e gjen kurkund në këngët e tjera. Është fjala për vajtimin e Ajkunës për Omerin. Le ta dëgjojmë pak këtë vajtim rrënqethës;
…………………………………………………………………………………..
Po a se din se kush t’ka ardhë/Q’i nuk çohesh për me u falë/
More i miri i nanës-o/Amanet o more bir/
Dil nji her’ ksi burgut t’erëtFol me nanën q’i t’ka rit
A thue gjogun me ta prue/Del ndonji her për me lodrue/
Kërkon majet bashk me zana/Se ty varrin ta ruen nana…
 
Më rrënqethëse nuk mund ta bëjë njeriu. Kursesi nuk mund ta lexosh pa u rënqethur, pa lere më që të keshë fatin ta dëgjosh të kënduar me lahutë
Të të rjedhin lotët është gjëja më e pakët. Por mendojmë se kjo nuk është këngë e thjeshtë e ciklit të kreshnikëve. Ky është vërtet një vajtim i një nënë për birin e saj të vrarë në moshë të njomë, diku në bjeshkë a lugje, që rapsodi më pas e ka marë dhe e ka futur si pjesë organike, si këngë më vete në këtë cikël.
Këtë mendim e shprehim se vetëm nënat, kur qajnë me lotë shpirti, mund të krijojnë vargje të tilla madhështore, te të cilat , jo te çdo varg e te çdo fjale, por te çdo gërmë kullon dhimbja e madhe dhe e shenjtë e nënës. (Dhe kur vajtojnë nënat hesht edhe zoti vetë.)
A mund të ndodhë kjo, që të miret lehtësisht një vajtim e të këndohet si këngë.
Po a nuk kemi thënë se kënga e ka origjinën nga vaji. A nuk kemi gjithashtu, një numër pambarimisht vajtimesh të kthyera në këngë të cilat këndohen edhe sot.
Ky rit nuk është kapitull i shekujve të kaluar. Fatkeqësisht kjo u vërtetua edhe njëherë, në vitin e mbrapshtë ’97.
 
Marrë nga libri “Shënjtëria e iso-s”
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s