Cikël poetik nga Gladiola Jorbus

 
Cikël poetik nga Gladiola Jorbus
 
 
Fijet e barit
 
Fijet e barit,
si të marra vallëzojnë
nën tingujt e shiut.
Qeshin me lamtumirën e zogjve,
me kuakjet e bretkosave të gjelbra,
me lotët artificialë të vajzave,
me mburrësitë e djemve.
Kapen shtrënguar pas erës,
edhe pse nga vendi s’shkulen.
Ëndërrojnë krahë fluturash
që i çojnë drejt horizontit…
Dhe dita e zymtë, e vetmuar, e trishtë
shndërrohet në buzëqeshje të purpurt
mbi shtëllunga resh pupëlore.
 
 
Nëntori në Shkup+
 
Fshihem nën hije plepash,
të zbehura nga dielli i nëntorit.
Ditënata në Shkup
me një baladë vjeshte, më ngjet.
 
Ndonjëherë si murmurimë,
Ndonjëherë si vajtim
Dëgjoj te dridhen
fletët e trëndafilit.
Sa shumë i afrohen parajsës,
Që vjedhurazi,
vjeshta ka endur
mbi tokën e Shkupit!
 
Fëëëshsh…fëëëëshshshsh…
fëshfërimë në kor.
Gjethet pikojnë
si lotë, të ngjyer në ar…
Hareshëm fluturojnë ngado,
mbi dhe, mbi ne, mbi Vardar.
 
Këpucët, tutje i flaka,
E këmbët stolisa me to.
Gjethet e Shkupit, në shpirt
më shenjuan përgjithnjë.
 
Ëndrrat e mia
po ngrihen mbi re,
po vallëzojnë me zogjtë shtegtarë.
Dehur me afsh, e puthur plot zjarr
për të vdekur dhe lindur
sërish, mbi Vardar.
 
 
Vanitet+
 
Në rrjedhën e këtij mijëvjeçari
Të babëzitur nga vaniteti,
Qiejt blu dhe retë e bardha
Shërbejnë si sfonde dekorative vetëshkrepjesh,
të zhveshura krejtësisht,
nga misteri i krijimit.
 
Tashmë Jeta i NGJET
një ekspozite pompoze fotografish,
me karafilë mungues
në thiletë e etërve –
dhe tonelata pudre
që zbehin ndrojtjen e purpurt
të mollëzave femërore.
 
Vlerat zvarriten egërsisht.
si qenie te gjalla kridhen
mbi trumbetat kumbuese
të meskinitetit.
 
 
Retro+
 
Koha shkokëlohet
në kopshtin tim.
Ngjitem në qiell
dhe bëhem re e bardhë.
Jeta i ngjan
flakës së qiririt,
lules së Xanës
që zverdhon krenare.
Frymëmarrje të shuara,
pluhurizë eshtrash,
hije të braktisura,
emra të përveçëm
nën Tokën gjumëndjellëse.
Kambanoret heshtin …
Ëndrrat e mia.
Ditët e mia.
Lutjet e mia.
Si dhembje amorfe kridhen,
në detin e leksikut të pakuptimshëm.
Udhëtoj në kohë.
Lis tragjik, i plakur, i moçëm.
Petël e mëndafshtë.
Kurorë dafine.
Kumbull e harbuar.
Aromë jasemini dhe barbarozë.
Retro – në kopshtin tim
kohëshkokëluar.
 
 
Kupola e mbrëmjes
 
Në kupolën e mbrëmjes shuhen
jehonat e zërave pa ngjyra.
Shija e pluhurit ngjan me lotët
që trashëguam nga Dhiata e vjetër.
Sonte zhytem në qepallat e tua,
notoj në dhembjen skllavëruese,
buzë një dritareje pa yje.
Të vdekurit ëndërrojnë
më shumë se të gjallët.
Shpirti im ka vetëm një stinë,
por endet në dukuritë e motit
të kthjellët, të ngrysur, të ashpër, të lagësht.
Si një flutur nate i përvidhem
shtratit tënd të llohës.
Dhe dashuria tretet
në një britmë lotësh.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s