Cikël poetik nga Shazim Mehmeti

 
Cikël poetik nga Shazim Mehmeti
 
 
SOT ËSHTË DITAKOT
 
Qaj duke kënduar,
qaj duke ia shkelur syrin ditës,
e sot është Ditakot.
 
Ditakot është sot,
e s’më sheh më kush.
As unë veten nuk e njoh.
 
Zhytur thellë vetes,
n’terrin e drittë mbytur,
si një mikrob i verbër,
gjakun tim pi.
 
S’di ç’bëj,
s’di ç’bën me bë,
as di ç’orë lajthitet
në këtë çast.
 
M’iku moshë e zellit,
kur m’zhvishej drita,
m’shihte n’sy.
M’iku moshë e zellit,
kur me dritën bëja dashuri.
 
Ditakot është sot,
e prapëseprapë,
nga dy gjëra t’ndritshme,
njërën mund ta bëj:
mund ta ujis lulen e mendimit,
o ta këpus lulen e vdekjes…
 
 
OOO, DITË SHTERPE!…
 
Ooo, ditë shterpe,
jam kaq i rënë!
 
Mëtoj të vjell,
mëtoj ta ngjyej diqysh
këtë copë flete të bardhë,
mëtoj të gjej diç për të thënë,
por nuk kam ç’them.
 
Ti ditë je shterpe,
dhe shteti vazhdon t’më jetë
po ai vrasës,
po ai hajn.
Kryeparë të vendit
vazhdojnë të jenë
po të tillë pederastë,
po të tillë hajna.
Liria vazhdon t’më jetë
po ajo grua e dhunuar,
po ajo grua vejane.
Gjuha vazhdon t’më përdhunohet
me po aso matematikash,
me po aso përqindjesh.
S’më punon më mendja,
s’më punon as palla.
As një shurrë të vogël
s’mund të bëj
pa një shtërzim të madh.
Zogjtë e mendimit
vdekur m’bien, përgjakur
si ushtarë luftërash
të sapohumbura.
Asgjë s’fekton,
asgjë s’lëviz mbi këtë dhé.
Nuk ka as grimë dielli
mbi këtë ditë,
nuk ka as grimë ere.
Pezullon, pezullon,
pezullia e marrë
e marrëzisë…
 
 
USHQEVA CA ZOGJ ERE…
 
Ushqeva ca zogj ere, dola.
 
Por, mëngjes është akoma,
është mëngjes i larë me vesë.
Ora është diç më pak se nëntë.
Në trotuarin djathtas,
shoh fqinjin tim Hasanin.
I bëj një shenjë nderimi atij,
i përkulem disi,
i them “mirëmëngjes”.
 
Ai, si mos me pa njeri,
as mpreh, as ndërron shikimin,
as rrudh ballin, vetullat.
Shikon tutje ai,
shikon përpara,
ec, lëviz,
e nuk ma kthen
as përshëndetjen.
 
Vazhdoj tutje,
arrij disi n’mes t’qytetit,
përballem me mikun tim Hysenin,
dhe ngutem,
edhe atë, ta nderoj,
ta përshëndes.
 
Çuditërisht, dhe ai,
si mos me pa njeri,
as ndërron, as mpreh shikimin,
as rrudh ballin, vetullat.
Vazhdon tutje ai,
pa ma kthyer përshëndetjen.
 
Dita është e mirë,
mëngjesi është ar.
Unë, si mbret i vetmuar,
vazhdoj tutje,
mespërmes qytetit.
 
Ja ku më del para syshë,
edhe e dashura ime Artan’ja.
Gëzohem shumë,
(është e bukur dreqka!,
s’duroj dot pa e puthur!).
Zgjas duart drejt saj.
“Zemër!”, i them,
“Gëzohem që të shoh!
Pa ty jetë nuk ka!…”.
 
Por, edhe ajo,
si mos me pa njeri,
vazhdon tutje.
 
Më kap një lemeri.
I dal përpara asaj,
ia vë duart mbi supet,
provoj ta ndal, ta puth,
por nuk bëhet as kaq:
ajo, si me qenë prej ere,
kalon nëpër trupin tim
dhe vazhdon tutje,
e bukur, e njomë, dritëmirë,
si vet Sorkadheja
e Ëndrrave t’Malit…
 
Çuditërisht,
dita vazhdon të jetë e bukur.
Edhe dielli vazhon të jetë
si i derdhur n’ar.
Veç unë jam disi dëshpërueshëm,
dhe se si bëhem
edhe më dëshpërueshëm.
 
Shëtis kështu deri n’pasditë,
dhe kthehem ngadalë, ngadalë,
e po aq ngadalë,
ndalem edhe gjej,
(mu përpara shtëpisë sime!),
një turmë të vockël
pesë a gjashtë njerëzish,
dhe një hoxhë mjekërrcjap,
duke e ndrequr për në Tejanë,
kufomën time!
 
Nuk u besoj syve.
Tmerrohem teksa e shoh
si ma bën
edhe atë ritualin e fundit
të futjes së gishtit…,
ai hoxhë i mallkuar!
 
Dhe, teksa e dëgjoj
edhe dikend që thotë,
“Ky i ndjeri, Shazimi,
vërtet qe njeri i mirë,
ama poet i dhirë!…”,
më vuloset bindja
se paskësha pas vdekur
diç para mëngjesit…
 
 
TERRI DREMIT MBI LULE…
 
Terri dremit mbi lule.
Hëna lëvar kokën,
palos qepallat.
 
Buzëqeshur fle hëna,
buzëqeshur ëndërron.
Hëna, mbase pret
një princ me yll në ballë,
unë plakur rëndoj mbi tavolinë.
 
Përhumbur si eremit,
kundroj një yllkë zjarrmoshe,
që shkëputet qiejsh
e bie drejt meje,
e m’fiket n’gotë…
 
Verbohem
nga shkëndijë e ylltë e fikjes,
e mbrëmja m’përqafon
si vashë lozonjare.
 
Por, oh, ç’lajthitje!:
Hëna, mbase, është
veç një mashtrim optik;
As mbrëmja, mbase, nuk është vashë;
Mbase, i verbër është
edhe ky verbim;
Mbase, nuk jam;
Mbase, s’jam as n’ëndërr;
Mbase, sërish takuar jam me pijen,
e pija m’thotë: “S’jam birra!”…
 
“S’ka dert”, i them,
“s’ka dert,
as unë s’jam Shazimi!…”
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s