Kalendari poetik: Hilda Doolittle (1886-1961) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Hilda Doolittle
 
Kalendari poetik: Hilda Doolittle (1886-1961)
 
Shkrimtare dhe poete amerikane, u lind 135 vite më parë. Në fillimet e karrierës së saj letrare ishte ithtare e rrymës imazhiste, që udhëhiqej nga i madhi Ezra Pound, më pas përqafoi temat mitologjike dhe vetiake, e ndikuar nga teoritë psikanaliste të Carl Gustav Jung. Ja një poezi e saj:
 
 
ADONIS*
 
1.
Secili prej nesh njësoj si ti
pat vdekur njëherë
si gjethet e pemëve pat rënë
coptuar e shkelur me këmbë
munduar me shpirt ndër dhëmbë
dimrit në acar
shkrirë, zverdhur si ar,
pastaj ndezur sërish,
si qelibar i brishtë, si leskra ari,
pastaj kthyer në ar
nga ngrohtësi e diellit;
 
cilido prej nesh
pat vdekur njëherë,
cilido prej nesh në shteg të pyllit pat ecur
dhe ka parë gjethet në dimër
nga dielli të prarojnë
kur dhe vetë lulet
dukeshin të nxira.
 
2.
As ari në ballë të tempullit
ku po qëndron më këmbë
nuk praron kështu
as fijet e arta që sandalet e tua lidhin
kaq ar s’janë
as kurorë e artë
që ke mbi ballë
e artë s’është si kjo gjethe e tharë
as ari i punuar, rrahur e gdhendur
mbi fytyrën e dashur
apo ç’mban mbi ballë dhe krahëror
s’është ar si ky:
 
cilido prej nesh njësoj si ti
pat vdekur njëherë
cilido prej nesh njësoj si ti
mënjanë rri, si ti,
i denjë për adhurim.
 
Shënim – Adonisi është personazh mitologjik, personifikim i bukurisë mashkullore, i vdekjes dhe ripërtëritjes së natyrës; pas vdekjes, Zeusi e lejoi të kalonte gjysmën e kohës me të gjallët.
 
 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s