Në një rrugicë “të bukur”! / Skicë nga Dhurata Haxhiu Kasa

 
Skicë nga Dhurata Haxhiu Kasa
 
 
Në një rrugicë “të bukur”!
 
Edhe Tirana ka rrugë të këtilla, të ngushta dhe me mure guri përreth disa vilave-shtëpi të vogla. Në vjeshtë duken akoma më të bukura. Nën ngjyrat e kafta të ndritshme këto rrugica të japin ndjesinë e një qyteti të vogël brenda një të madhi. Një rrugë me një trotuar të vogël sa kalon veç një njeri, të fal ndjesinë e një qyteze, për një çast harron se je në kryeqytet. Besoj të gjithë i keni provuar trotuarët e veckël të qyteteve, unë po! Shumë qetësi diku në fundin e një lagje të njohur, këto vila të heshtura sikur të ndjellin që ti të mbretërosh në heshtjen e këtyre rruginave duke shpërfillur rrugët e gjëra, të zhurmëshme, herë , herë edhe të pista! Dielli dilte dhe fshihej ndër gjethet e sapo zverdhura të disa blirëve të vegjël. Sa mirë që të paktën e paskan ruajtur autencititetin agrokulturor të Tiranës. Edhe gjethet e tyre gjysëm të gjelbërta në të verdhë lëviznin lehtë, si pa u ndier, pak, si në një qytet të paqtë! Harrova një çast që isha në Tiranë.
Ngre dorën të bëj një foto të blirëve, më pas e hap pëllëmbën të kap një rreze. As makina nuk po kalojnë për disa minuta. Mendoni sikur kjo gjendje e paqtë të jetë të paktën kudo në Tiranë, të shtunë dhe të djelë. Kushedi sa shlodhje psikologjike do kishim, kushedi sa zëra njerëzorë do dëgjonim në qetësi ajri dhe mjedisi. Ecjet e mia dëgjojnë veten. Kisha vite që hapave nuk ua dëgjoja zhurmën, tashmë më të lehta, dëgjoja edhe biseda të shkurtra pas avllive. Në cep një gjysh me mbesën afrohet, edhe vajza shikon sandalet e saj që i përplas duke u varur në dorën e gjyshit. Si dikur, pa celular, pa zhurma të shpeshta makinash veç me hapa njerëzish. Sa na ka marrë malli! Për trotuarët e vegjël, gurët dhe samdalet që kërcasin. Edhe rrezet e diellit në atë rrugë ku ndihej veç numërimi i hapave nga vajza që kthehej nga kopështi kryenin atë mision hyjnor të përkëdheljes thjeshtësisht të rrugës dhe fytyrës sime të kremtë, e bërë gati për rrugë metropol. Sa keq më erdhi për lëkurën time të pafat që nuk po e jetonte ecjen e qetë e të natyrshme sinkron këtij cepi bio. As autobuzë dhe trafik nuk pashë, për gati 20 minuta sa u vërdallosa qëllimisht nën qetësinë e kësaj rrugine. Në fakt u hutova se mendjen kuadratet e vogla të blirëve rrethuar me një beton të hollë ma kishin marrë, i numurova. U bëra fëmijë, u bëra vajzë se flokët një erë m’i hodhi mbi sy, isha grua se peshova moshën e trotuarit. Ai i ri, blirët të rinj, vajza e vogël dhe gurët e avllive të reja. Dhe unë që nuk doja zhurma dhe që u mahnita nga qetësia në cepin e një lagje pa autobuzë.
Edhe ato pak gjethe të blirit, të verdha mes një morie të gjelbërash m’u duk se moshën më kishin lexuar, por ende asnjë nuk kishte rënë në tokë se pas degës mbaheshin fort.
Kalova në tri porta, njëra me një dry të vjetër, tjetra pa dry por pa njerëz, e fundit me zëra. Më përshkoi një përfytyrim i tri gjendjeve, shtëpi pa njerëz me dry, shtëpi pa njerëz pa dry, shtëpi me njerëz pa dry, tri kohë që flasin në këto porta. Largimi i vdekur larg, largimi i gjallë i zhdukur, mërmërimat pas avllisë. Kujtova fjalët e dëgjuara:
– Nesër do fusim letrat në ambasadë!
Isha lumturuar me dhimbjen në këtë rrugë!
Megjithatë unë u shkëmbeva me vajzën dhe gjyshin e saj!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s