TRE POETË DHE AGIM MATO / Nga: Timo Mërkuri

 
Agim Mato
 
 
TRE POETË DHE AGIM MATO
 
Poeti Agim Mato njihej në qytetin e Sarandës si një dizenjator i talentuar i ndërmarjes së Grumbullim Përpunimit por si njeri publik u njoh në vitin 1969 kur botoi vëllimin e parë poetik JUG, libër që e bëri të njohur në botën letrare në mbarë vendin. Botimi i librit të dytë “Në pragun e shtëpive tona” në vitin 1974 kaloi disi në heshtje dhe që pasoi me heqjen e të drejtës së botimit për shkak të “ceneve biografike”. Problemin biografik të Agim Matos që rridhte nga dënimi politik i të jatit e dinin të gjithë në Sarandë se pikërisht për këtë problem, ai ishte i vetmi maturant i klasës së tij që nuk ju dha e drejta e studimit për shkollë të lartë. Çuditërisht në vitin 1987 Agim Mato fillon punë në redaksinë e gazetës lokale “Fitorja”, organ i Komitetit të P.P.SH. së Rrethit Sarandë. Qyteti filloi të gumzhinte: të niste punë në organin e komitetit të P.P.SH.të Rrethit një njeri me cene biografike dhe sidomos në kohën kur sekretar i parë ishte Syrja Dosti, që njihej për ashpërsinë e tij në zbatimin e luftës së kalsave, kjo ishte një çudi e pa parë në qytetin tonë. Kulmi ishte kur mori një hyrje banimi pas nja një viti e gjysëm, pikërisht në kulmin e ngushtësisë për strehim. Familje komunistësh dhe puntorësh të pararojës mbanin rradhën për vite, ndërkohë që “ky biri i armikut të kllasës, që Partia i kishte hequr të drejtën e botimit mirte hyrje të madhe në një pallat të ri”. Me siguri që me dhjetra letra janë nisur nga qyteti ynë në drejtim të udhëheqjes në Tiranë por asgjë nuk ndryshoi. Komentet ishin nga më të ndryshmet, hamendësimet ishin të gjithfarë llojëshme, por mbi të gjitha këto qëndronte një heshtje që e shtonte misterin gjer në fantashkencë.
Askujt sja mirte mëndja se gjithë ky mister kishte emrin e dy poetëve, Xhevahir Spahiu dhe Ilirjan Zhupa, madje ishte vetë Ilirjan Zhupa që ma “zbërtheu” këtë mister, madje duke qeshur pikërisht një mbrëmje fillim shtatori të këtij viti, te lokali i Hotel LINDI në Sarandë.:
“Ishte viti 1987 dhe unë punoja si gazetar te “Zëri i Rinisë” kur më planifikohet një shërbim për në Sarandë. Se nga e mori vesh Xhevahir Spahiu dhe më fton për një kafe. Nuk jam i sigurtë në se atë kohë ai ishte i dënuar me edukim me punë prodhuese në minierën në Valias apo ishte redaktor te Nëntori, por e rëndësishme është se ishim miq dhe nuk i
shikonim shumë këto “ndëshkime” në atë kohë. Pasi u takuam, madje ende pa u ulur për të pirë kafe, Xhevahiri më pyet: Mora vesh se do shkosh në Sarandë, është e vërtetë?
-Po ju përgjigja unë qetësisht.
-Atëherë do takosh një mikun tim aty. Quhet Syrja Dosti dhe është Sekretar i Parë.
-Sigurisht që do e takoj se kam edhe punë me atë, po ç’ne ti me Syrja Dostin- ja kthej me pyetje.
-Por është skraparlli Syrjai ore, më sqaron Xhevua, njihemi. Dhe më pas shton qetësisht, sikur të më jipte një porosi të rëndomtë:- Do t’i thuash ta ndihmojë atë poetin e Sarandës me ndonjë punë më të hajrit dhe ta nxjerrë nga ajo “bimca” ku është. Ta lejë të marrë frymë. Shtoi po qe nevoja që është dhe miku im më i mirë Agimi dhe se unë do jem në borxh me Syrjanë po e bëri.
Unë e njihja Agim Maton nga libri JUG, plus që ai ishte fterjot dhe unë çorrjot, nga dy fshatra fqinjë ndaj dhe e mora me dëshirë porosinë. Nejse , shkova në Sarandë pas nja dy ditësh dhe pasi mbarova punë në Komitetin e Rinisë, shkoj në Komitetin e Partisë dhe drejt e te Syrja Dosti. Se ç’nam kishte në popull e dija ndaj ftesës së tij për të pirë një kafe bashkë, ju përgjigja drejt dhe shkurt:
-Lere kafen tani se dhe ju kini shumë punë, do ta pimë në darkë te Hotel “Butrinti”, por unë do sjell me vete edhe një shok timin, që është njëkohësisht edhe miku i mikut tënd, Xhevahir Spahiut. Sigurisht që pranoi, madje edhe me një kuriozitet që të mësonte se kush na qënkish ky miku i mikut të tij. Nga Komiteti i Partisë uën shkova dhe gjeta Agimin te ajo “bimca” e tij në fabrikën e miellit te Plazhi i ri. Me zorrë ja mbusha mëndjen që të vinte në takim, i dukej sikur do e shpija te “kuçedra” që kishte zënë burimin e ujit te Syri i Kaltër. Pranoi vetëm kur i thashë që “t’i nuk do flasësh fare” gjatë bisedës se kjo është punë e imja. Kur vajti ora e takimit, erdhi Syrja Dosti dhe hapi sytë kur pa që “miku i mikut” ishte Agim Mato me “biografi të keqe” dhe shikonte nga unë se çdo ti thoshja. Mos ta zgjasim, pas një ore e gjysëm biseda me pyetje e përgjigje ku edhe Agimit ju zgjidh gjuha, para se të ngriheshim të iknim Syrjai i thotë Agim Matos:- Nesër duku pas andej nga kuadri i Komitetit.
Të nesërmen Agim Mato nga Komiteti i Partisë shkoi drejt e te redaksia e gazetës Fitorja” përfundoi Ilirjan Zhupa mes të qeshurit dhe habisë sime.
Agim Mato punoi në redaksinë e gazetës “Fitorja” gjer sa kjo gazetë u mbyll në fillim të viteve ’90. Gjer atëherë ai kishte botuar edhe librin “Buka e duarve tona”, por pas kësaj kohe ai nuk botoi më. Më kujtohet që në aktivitetet tona letrare ai vinte si dëgjues i jashtëm, jipte mendime e sugjerime për shoqatën, madje ai e “gjeti” edhe emrin e shoqatës sonë “Klubi i krijuesve jonianë” dhe të revistës sonë “Arti Jonian”, por poezitë që krijonte i mbante në sirtar dhe nuk i botonte. Justifikohej me faktin se tani ai kishte themeluar Shtëpinë Botuese “Milosao” dhe ishte larguar nga rruga e letërsisë.
Befas një ditë prilli të vitit 2011 vjen në Sarandë Fatmir Terziu dhe shkon e takon te shtypshkronja e tij. Biseda e tyre zgjati rreth tre orë dhe kur iku, Fatmir Terziu mori me vete një cikël nga poezitë e Agim Matos të cilat i publikoi te portali fjalaelirë. Kjo datë ishte rikthimi i Agim Matos si një urugan poetik, me krijime gati të përditëshme, poezi me një fantazmogori befassuesse që më pas u përmblodhën në disa vëllime poetike, për të cilat kam folur dhe shkruar disa herë…
 
Realisht këtë material e kisha për ta folur në tavolinën diskutuese të Manifestimit Poetik “Trirema Jonaine” ditën e sotme, ku ishte planifikuar një bisedë rreth Agim Matos dhe poezisë së tij. Fatkeqësisht nuk mora pjesë në këtë tavolinë, madje as në Manifestimin Poetik për faktorë që penguan pjesmarrjen time, ose më saktë për faktorë që kanë disa vjet që pengojnë pjesmarjen time në aktivitetet e shoqatës sonë. Por për këto do flasim herë tjetër. Sot unë dua të falnderroj publikisht tre poetët Xhevahir Spahiun, Ilirjan Zhupën dhe Fatmir Terziun që e çliruan nga “prangat” këtë poet për të shpërndarë kudo zjarrin e artit të tij poetik. Kushdo tjetër që pretendon në këtë drejtim, nuk ka të drejtë autorësie.
 
Sarandë, më 02.10.2021
 
 
 

Nga: Timo Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s