Poezi nga Bardhyl Maliqi

 
Poezi nga Bardhyl Maliqi
 
 
RRËNJËT…
 
Rrënjët, ah rrënjët!
Rrënjët e bredhave dhe lisave,
rrënjët e pemëve dhe trëndafilave,
rrënjët e viseve dhe fiseve,
rrënjët e popujve dhe kombeve,
rrënjët e së keqes dhe së mirës,
rrënjët pellazge të gjenezës,
rrënjët tona tek ilirët!
 
Rrënjët e gjakut dhe rrënjët e tëmblit,
rrënjët e babës dhe ato të nënës…
 
Të përvuajtura enden galerive
për hatër të trungjeve e të degëve,
për hatër të kurorës e të gjetheve,
për hatër të luleve dhe frutave,
mohojnë vetveten,
bukurinë dhe ajrin,
hapësirat dhe dritën,
që ti të rritesh,
si bir luftëtar i Marsit,
si bijë bukuroshe e Afërditës!
 
Pa sakrificën e tyre çdo të ishim ne, vallë?
As të vdekur, por as dhe të gjallë!
Ca qenie hibride pa gjak e valë,
ca qenie amorfe, pa trup,
pa fytyrë, pa identitet,
as lolo, as mbret!
Pa etnogjenezë,
pa bashkëkombës,
thjesht ca homo sapiens,
një pyll qeniesh,
pa shtet!
 
Rrënjët, ah rrënjët!
Ato që lindin dhe vdesin veç në errësirë,
pa i parë kurrë lartësitë e bijve;
rrënjët, ah rrënjët,
heroinat e përjetshme të thellësive!
 
Ndërsa degët,
degët tundin e shkundin dekoratat,
si veteranë qesharakë,
që duken ditët e festave zyrtare
me kostume e borsalina
për të pohuar “ vlerat”, për t’u dukur;
ata që kurrë s’e derdhën gjakun,
por ndenjën galiç e strukur,
ca qenie të përçudnuara,
tmerrësisht të pabukur!
 
Tundin dekoratat e luftës dhe të punës,
si qeveritarë qesharakë,
që tundin titujt dhe gradat
a thua se prej tyre na vijnë begatitë:
buka dhe qumështi i mëngjesit,
sallata dhe peshku i drekës,
kosi dhe omeleta e darkës,
ëmbëlsirat dhe frutat,
të thatat
dhe të butat!
 
Të mjerët ata:
akademikët,
profesorë-doktorët,
asistentët, lektorët,
pedagogët, gazetarët,
analistët (të gjorët!)
tunden e shkunden,
mbushin dhe zbrazin thesin e fjalëve,
a thua janë kompetentë për gjithçka,
pro e kundër rrymës,
si troftat e Valbonës,
që harrojnë se jetojnë në vaska,
në rezervatet e Delvinës!
 
Ata,
heronjtë e statujave,
të monumenteve dhe memorialëve
sa i rëndojnë dheut,
në emër të vrasjes së të gjallëve.
Ata harrojnë se janë vrasës
vrasës të lirisë së popullit të vet
vrasës të lirisë së popujve të tjerë,
vrasës nënash dhe fëmijësh.
Ata kërkojnë rroga të majme sa janë gjallë,
shpërblime për “sakrificat e mëdha”,
ndere dhe pensione të veçanta,
bile edhe pas vdekjes,
kërkesat i kanë më të larta,
në emër të fëmijëve dhe të nipërve,
të vëllezërve dhe motrave,
të gjithë kërkojnë të vjelin fryte
nga lavdia e të parëve,
ata,
heronjtë e pseudo lapidarëve!
heronjtë e monumenteve,
të flladit dhe furtunës,
të luftës dhe të punës,
bile dhe heronjtë absurdë,
ata,
palaçot e politikës,
kërkojnë në gjallje dhe në vdekje,
hisen e diellit
dhe hisen e dritës!
 
Ata, të gjithë,
absolutisht, kurrë nuk kujtohen për rrënjët!
historia fillon gjithmonë me ta!
Mos u çudisni:
ata janë heronjtë absurdë të iluzioneve të mëdha!
 
 
Ç’ VLERË KANË ATLASET?!
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë ngjyrë kafe të një gruaje?
Ajo është nëna ime.
Sytë e saj janë si dheu i butë i kopshtit nën pjergulla,
që kur bie shiu i parë i vjeshtës avullon erëmirë si bukëvale.
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë e kaltër të një gruaje?
Ajo është gruj ime.
Sytë e saj janë si ujrat, si qiejt ku flatron perandoria ime e zogjve,
që kur gurgullojnë burimet çlirohen të gjitha energjitë burrërore,
prej këtyre ujrave gjëmojnë turnbinat e hidrocentraleve
dhe vijnë brenda meje si dritë kaltëroshe.
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë e gjelbër të një vajze?
Ajo është ime bijë.
Sytë e saj janë si rritja dhe harlisja e gjelbër e bimëve,
Janë lulnaja që aromon pranverën
dhe zgjon brenda meje vetëm dashuri të pafundme.
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë e thellë të motrave?
Janë brengat e tyre që zhyten në kujtesë;
lodrat e femijërisë që rendin hareshëm
dhe çikrikët e dhimbjeve i lenë në harresë.
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë e zes të një gruaje?
Ajo është kolegia ime.
sytë e saj janë si ullinj të pjekur,
janë si tuli i tyre i butë erëmirë si vaji i ullirit,
që lubrifikon gjithë qenien time.
 
Ç’vlerë kanë atlaset kur e gjithë toka pikëzohet në sytë ngjyrë ylberi të një klase?
Ata janë nxënësit e mi.
Me ngjyrën e parë bëhem bir, vëlla dhe prind, me të dytën mësues e poet,
them se ata më falin rininë e përhershme në jetë.
Aka sy më të bukur se të vogëlushëve apo të adoleshentëve?
Nuk e di. Edhe mundet, po në një tjetër planet!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s