Agim Mato (Albania) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2021

 
 
Agim Mato  (Albania)
(1947-2021)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Agim Mato u lind në Sarandë, në vitin 1947. Në vitin 1969 boton vëllimin e parë me poezi “Jug” dhe në vitin 1974 vëllimin “Në pragun e shtëpive tona”, ku edhe i hiqet e drejta e botimit për shkak të luftës së klasave, e drejtë kjo, që ju dha vetëm në prag të shembjes së regjimit totalitar, kur boton edhe vëllimin e tretë “Buka e fjalëve”. Pas vitit 1990 iu kushtua tërësisht punës, për ngritjen e një shtypshkronje dhe të Shtëpisë Botuese “Milosao”. Ka rinisur pas 30 vjetësh deputimin në poezi dhe brenda vitit 2012, nxjerr nga shtypi përmbledhjet “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”. Në vitin 2014 botohet vëllimi “Lundrimet”. Në nëntor të po atij viti, Presidenti i Republikës i jep titullin “Mjeshtër i Madh”.
Në vitin 2016 boton të kthyer në shqipen e sotme “Rapsodi të një poemi arbëresh”, të mbledhur nga De Rada. Po në vitin 2016, me bashkëpunues Daniele Giancane boton antologjinë me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut, të titulluar “Një det na bashkon” (Un mare ci unisce).
Në vitet që vijnë boton të tjerë libra në shqip, greqisht, italisht. Mund të përmendim librin “Pluhiri i artë i përjetësive” botuar në italisht. Në vitin 2017 botohet në Greqi nga shtëpia botuese “Odhos Panos”, antologjia me poezitë e tij e titulluar: “Kopshtet e kujtesës”. Në vitin 2018 botohet në Kosovë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, “Shkretëtirë harrimi”, antologji me poezitë më të zgjedhura të tij e hartuar nga profesor Anton Nikë Berisha. Shumë cikle poetike të tij janë botuar në gjuhë të ndryshme, të vlerësuar në mediumet përkatëse. Agim Mato ka lënë pas një trashëgimi të vyer në poezinë shqipe . Prej disa vitesh ai ka dhënë kontributin e tij të veçantë dhe ka qënë drejtues i Klubit të Krijuesve “Jonianë”.
 
 
NË MUZG ZBRESIN HIJET
 
Në muzg zbresin hijet,
si mjegulla e dëndur tretin brenda vetes shpatet me
ullinj,
mbushin me mister detin atje poshtë,
rrëmihin
mbi sipërfaqen e ndritëshme të tij.
 
I mbërthyer jam midis brigjeve.
 
Hijet dendësohen mbi detin e plumbtë.
Dritëzat e tij rrëshqasin,
zbojnë heshtjen e kësaj nate pa gjumë.
 
Qenia ime, lëviz edhe ti,
dil jashtë nga hijet,
nga plogështia.
Nuk sheh se fyti t’u vulos?
 
Me lopatëzën e një ëndrre
shvendose errësirën rreth e rrotull,
shblloko shtigjet që të lidhin me botën!
 
 
VALLJA E PULËBARDHAVE
 
Cili mjeshtër e përpunoi koreografinë e valleve të
pulëbardhave në gjiun jonian të Sarandës
në këtë dimër të dielltë? Shiko si e mbushin ajrin
me frushullima, sulen sipër velave të anijeve, mbi
palmat,
mbi rënojat antike, në verandat e lokaleve buzë detit,
rrotullohen, bashkojnë krahët, klithin nga gëzimi,
zhyten nëpër valë, grupe grupe, me diellin në sqep
duke xixëllitur me lëvizjet e tyre
mesazhet e përjetëshme të dritës!
 
Fëmijtë u ikin nënave të reja nga duart
dhe të mrekulluar mbështeten tek muri i bulevardit
të soditin këtë rit të përditshëm
plot reflekse bardhësie
që shkundullon para syve të tyre.
 
Të dashuruarit e ngeshëm bëjnë selfie me spektaklet e
pulëbardhave në sfond,
i hedhin në facebook, i koleksionojnë,
duke u përzir me to
si me ca metafora shkrepëtitëse.
 
Një kamariere zbret shkallët,
u afrohet pulëbardhave dhe u shpërndan
me tabaka ushqimin e mesditës.
 
Tabakaja zbrazet në çast
dhe mbushet me fluturime.
 
Vetëm peshkatarët e ndjejnë bezdinë e këtyre
valleve të çmendura,
që çvendosen me anijet në ikje,
çukisin në rrjetat
dhe klithin rrotull tyre deri në shurdhëri.
 
Koncerti i pulëbardhave,
i dirigjuar nga erërat joniane,
nuk ka të ndalur në këtë dimër të dielltë,
në gjiun e Sarandës,
si në skenën vigane të një teatri antik.
 
Nuk e di ku gjejnë prehje,
nuk e di ku i kanë foletë,
ku i lëshojnë vezët, nuk e di.
 
Që fëmijë i kam menduar
të ngjizura nga shkulmet detare,
nga batica e zbatica,
të mbushura me energjinë e pashterëshme
të dritës,
për t’u prehur vetëm tek lëvizja.
 
Gjithë jetën kam që bredh shkëmbinjve,
po një vezë të tyre s’e kam gjetur kurrë.
 
Ah, retë, retë –
ende në to s’ kam kërkuar.
 
 
E BUKURA E DHEUT
 
Atëherë poezia për mua ishte e Bukura e Dheut,
që e pushtoi si me magji rininë time të hershme.
Jetonim së bashku në të tjera dimensione, në të tjera
hapësira,
dhe botë të reja krijonim
nga fermentimi i shpirtrave tanë.
Çapiteshim në një truall mitesh,
duke ngjeshur me këmbët tona dheun e përrallave
të mbushur me mistere.
Hipnim në maja të thepisura ëndrrash
dhe koloviteshim nëpër meridianë.
 
Po një ditë, perënditë e rreme, me një dekret të zi
ma shqitën nga krahët të Bukurën e Dheut,
dhe m’i shkulën nga shpirti një nga një të gjitha lulet
dhe metaforat.
Vetmoja në qytetin që tashmë më shfaqej përsëprapthi,
me detin që zhurmonte atje lart mbi Manastirin e 40
Shenjtorëve
dhe qiellin të bridhte nëpër rrugë, duke hequr zvarrë retë e tij,
si një karro e shkalafitur.
I trallisur nisa të bëja pazar me vdekjen,
groposja motivet e lëna përgjysmë,
me titujt si emra të vdekurish,
gjersa shpirti i shkretuar u mbush si një varrezë
dhe nata,
tridhjetë vjet e gjatë,
pllakosi qenien time.
 
 
NUK JAM AI QË SHEH
 
Nuk jam ai që sheh.
Jam tërësia e mungesave dhe atyre që nuk i arrita t’i bëj.
Të gjitha i tërheq me vete e s’mund të ndahem prej tyre.
Jam gjithë ëndrrat që më kanë ndjekur si një film që nga
fëmijëria e hershme.
Kisha kaq dëshira, kaq pasione! Me një ashensor drite
ngjitesha në dritaren e një ylli,
dhe shihja atje poshtë,
si nga dritarja e Perëndisë,
gjithë padrejtësitë e një ideologjie,
që s’kishin të sosur.
Shihja si na veçonin sipas llojit,
na mohonin liritë, të drejtat
dhe fabrikonin robotë njerëzorë,
të programuar në emër të një utopie.
Nuk jam ai që sheh.
Jam tërësia e mungesave
dhe atyre që nuk më lanë t’i bëja në jetë.
 
 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s