Mihail Lermontov
Kalendari poetik: Lermontov (1814-1841)
Mihail Jurjeviç Lermontov, u lind në Moskë më 15 tetor 1814, në një familje me prejardhje skoceze; të parët e tij kishin mbiemrin Laermonth; poet, dramaturg dhe piktor, figurë e shquar e romantizmit rus. Kryeveprat e tij “Një Hero i Kohës Sonë” dhe “Demoni” mbeten edhe sot e kësaj dite mjaft të dashura për dashamirësit e letërsisë. Figurë me rëndësi e romantizmit rus, një prej poetëve më të shquar të shek. XIX.
Qe ushtarak i karierës; në prill të vitit 1841, në Pjatigorsk (Kaukaz), ritakoi një mik të vjetër dhe të dashur ushtrie, Nikollaj Martinov, me të cilin për një fyerje të kotë u ndesh në duel; gjaknxehtë Lermontov, para një viti kishte bërë duel me të birin e ambasadorit francez, por të dy qëlluan në ajër; edhe këtë herë, fisniku Lermontov qëlloi në ajër, por ish miku i ngushtë e qëlloi për vdekje duke i marrë jetën në moshën 27 vjeçare poetit të madh rus. Ja një poezi nga shqipërimet që kam prej tij:
I BURGOSURI (Узник)
Hapmani qelinë e shkretë,
jepmëni ditën plot jetë,
sillmani vashën syzezë
dhe një kalë jelezi.
Ah, atë vashëzë perri,
sa ta puth me ëmbëlsi
pastaj që të dy mbi kalë
si stepat merr erë e marrë.
Por shumë e lartë dritarja,
të rëndë ka llozin kamarja,
atë syzezë e kam aq larg
n’atë kështjellë të begatë;
dhe kali nëpër fusha rend,
vetëm, pa shalë dhe pa frerë
galop e trokthi gjithë shend
dhe bishti valëvitet në erë.
Vetëm jam, s’gjej ngushëllim;
muret e xhveshur përqark;
një fener i mjerë aty lart
me dritë të mekur ndrin;
brenda birucës dëgjohen
hapa të rëndë që largohen
në heshtjen e natës në terr
shkon roja dhe zë nuk nxjerr.
© shqipëroi nga rusishtja Maksim Rakipaj