Lucilla Trapazzo (Zvicër -Itali) – Poetë të takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021 / Përktheu nga origjinali Dashamir Malo

 
Lucilla Trapazzo (Zvicër -Itali)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Lucilla Trapazzo është poete, përkthyese, redaktore librash, artiste dhe interpretuese e vlerësuar me
çmime, e njohur ndërkombëtarisht. Redaktore për poezinë në Mock Up Magazine (Itali) dhe anëtare e bordit të redaktimeve INNSAEI, Jurnal, Indi. Anëtare jurie e konkurseve të poezisë, moderatore dhe bashkë organizuese e festivaleve dhe ekspozitave artisitike ndërkombëtare. Veprat e saj janë përkthyer në 14 gjuhë, të botuara në antologji dhe revista ndërkombëtare. Mysafire e Festivaleve Ndërkombëtare – Maqedonia e Veriut (përfshirë Mbrëmjet e Poezisë në Strugë), Tunizi, Shqipëri, Serbi, Itali, Argjentinë, Kolumbi, Kroaci, Indi, Krime, Kinë, etj. Poezia e saj është vlerësuar me çmime të shumta. Disa poezi dhe libra vlerësuar me cmimit të parë: La Nicchia, Romë 2018, Isolimpia, Napoli 2019, libri me poezi “I Murazzi”, Poezi Civile dhe Filozofike, Festivali ndërkombëtar i vjeshtës, XI Cherckhov, Krime 2021. Medalje ari për “Çmimi për poetin më të shquar”, Yan’an 2021, RP e Kinës. Çmimi i dytë “Poezi nga gjithë bota”, Sicilia Esperantista, Mesina 2021Kreativitet Çmimi Nanji Naaman, Liban 2021. Vepra të tjera arti të saj shfaqen në ekspozita dhe festivale ndërkombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Francë, Itali, Belgjikë, Hollandë dhe Amerikën e Jugut. Ka botuar tre libra me poezi dhe një me hajku. Është bashkë redaktore në librat; “Në të njëjtin det”, antologji poetike tuniziano –italiane, Tunizi 2020, “Fjalët e arta”, antologji poetike shumë gjuhëshe, Indi Uzbekistan, 2021, bashkëredaktore dhe përkthyese “Transiti Poetici – Zëra nga bota”, antologji poezie ndërkombëtare, Itali 2020. Cikli me poezi i paraqitur në këtë antologji është shkruar gjatë periudhës së izolimit për shkak të Covidit. Është një reflektim pjesërisht shpirtëror dhe pjesërisht filozofik, për atë që na bën njerëzorë, për humbjet, pikëllimet, dëshirat, jetën.
 
 
QËNDRESA E FARËS
 
Me konturet e hijes mbi kodrinë
kthehet klithma e mbytur
në fërshëllimën e mprehtë të trenave. Zbrazëti
– për t’u ricikluar apo humbur, nuk e di –
e pluhurit të lehtë.
 
Në objektin e pyetjes midis kufjeve dhe celularit
leh fjala në arratisje
(pa një adresë mbi zarf)
 
Ndërsa sonte me këtë hënë të plotë
derdhet në lumë shkëlqimi i bardhë si bora
shtatëmbëdhjete kate distancë
dhe pasqyra pothuaj
do të ndiçohet.
 
 
ANTHOZOA
 
Lipset nuri dritëplotë i koralit
në artin e shkëputjes.
Mbyllni sytë dhe hapni dorën
deri në çastin që fara nuk ka rënë
duke iu nënështruar një transformimi
simbiotik:
prej kafshës në lule
ngërthyer.
Pastaj humbasim në largësi.
Lipset një vulë e qartë në vërtetim.
Në fund lipset vetëm
dashuri.
 
 
DITA PAS KAQ KOHËSH
 
Kishim harruar hapat e lehta
përbri lumit ndërmjet kryqeve
dhe murrizave, harrumam ujin
zukatjen e bletëve të egra.
 
Dhe të verdhën e furgonit të postës
të kuqen e vinçit.
Kujtuam me mundim të madh tabelat e ndiçuara
të dyqaneve, të ndryshme dhe gjithmonë po ato.
 
Dhe sot na befason simfonia e qytetit
zërat e tij në një mospërkim
harmonik- davaritur në një partiturë unike
(dhe nuk dhembin më ndjesitë).
 
Rikthehet treni që transporton grurë
në rropamë dhe kërcitje në bllokimin e trafikut
të kamionëve
Ky moment më mbush hundët me fëmijëri
me stinë vere katundi.
 
Dhe jemi kjo. Jemi kjo Botë.
Jemi këtu ngulur në histori.
Thërrmia që nuk e njohin pafundësinë
lundrojmë thjeshtë me të parë në këtë
gjeometri.
 
 
“FATTI NON FOSTE…”
 
Ku e shfaq ende veten njeriu
në këtë rrethor të këputur levizje
në këtë përvjedhje të pafund milingonash,
përtej arsyes dhe respektit?
 
Ku e gjen njeriun ende në zemërim
pa vetëdije. Pas dyerve të mbyllura,
tërë mllef, në muzgjet e njollosura
me pushtet suprem?
 
E gjej në ritmin e ngadaltë të një përralle
treguar gjatë natës
në gjestin e një fqinji, në shpezat e bëra
për ushqimet, tek një racion gjelle e ngrohtë
E rigjen në sekretin intim të qelizave
që pulsojnë ethshëm në univers.
 
Dhe mandej e gjej në të kaltrën
që pllakos
pa marrë parasysh grinë e borës
së shkelur
pa marrë parasysh mendimin e zbrazët.
 
Do të kthehemi përsëri në sheshet e lulishteve
përgjatë lumenjve
do të numërojmë përsëri xixëllonjat në verë
(Oh, më të mëdha se yjet)
dhe yjet më të largëta janë xixëllonja.
 
Vështro foletë e zogjve si bistakë
nëpër pemë
dhe sqepat e zogjve të papupluar ende
që fillojnë këngën e jetës.
 
 
ISHIM TË PAPËRGATITUR
 
për vdekjet e pafytyra
– mospërputhje tolerance –
ne ishim brishtesisht të papërgatitur
të ekspozuar ndaj fatit
 
ne që jemi ende ne
ata që qëndrojnë
nuk lejojme largësi
ne duhet – shkojmë atëherë pra-
prej numrave hiqen emrat
prania ndrin, me kujtu
mandej me qenë përsëi
me pasë kurajo me plugue
për të mbjellë një ulli.
 
Përktheu në shqip Dashamir Malo
 
 

Antologji e takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s