SEMANTIKA E GUXIMIT DHE INTELEKTUALI (Kumtesë e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit “Guximi Intelektual” nga Kadrush Radogoshi)

 
SEMANTIKA E GUXIMIT DHE INTELEKTUALI
 
Kumtesë e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit “Guximi Intelektual” nga Kadrush Radogoshi
 
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” po më nderon me Çmimin “Guximi Intelektual”. Para se të falënderoj më duhet të tregoj se si e kuptoj togfjalëshin emërtues “Guximi Intelektual”.Të kuptuarit e tij, për mua, nënkupton përgjigjet, të cilat duhet dhënë në pyetjet:
 
1. Cili është denotacioni i tij brenda qytetërimit evropian dhe atij shqiptar si pjesë e pamohueshme e tij? Po, konotacioni i tij në të njëjtin kontekst qytetërues, cili është?
Nëpër fushën semantike të terminologjisë
Në qoftë se duam të shtegtojmë metaforikisht nga Fjalori i Oksfordit, Kembrixhit, Kollinsit e deri te Enciklopedia “Britannica” duhet të përpiqemi për ta njohur tërë hapësirën semantike të togfjalëshit “Guximi intelektual”, i cili s’është gjë tjetër pos formë inverzive e togfjalëshit “Intelektual i guximshëm”. Fjala “guxim” nënkupton një vlerë të adhurueshme të njeriut, i cili është i aftë për t’iu kundërvënë gjërave, fenomeneve, individëve dhe grupeve shoqërore, që janë shndërruar në pengesë për zhvillimin normal të një shoqërie. Në këtë kontekst mund ta aktualizojmë njërin nga nëntitujt më domethënës të monografisë kushtuar heroit kanadez Tomi Daglas “Tejkalimi i pengesave” (Overcoming obstacles), që tregon guximin e tij për të zgjidhur çështje me rëndësi të veçantë për shoqërinë kanadeze. Por, Tomi Daglas para se të ishte zyrtar shtetëror, ishte njeri mendjehollë apo mendjemprehtë.
Ka kohë, që për kompozitat e shqipes “mendjehollësi” dhe “mendjemprehtësi” përdoret termi “inteligjencë” dhe derivati i tij “inteligjent” si cilësor për individët me kapacitet të madh mendor. Njerëzit në përgjithësi ndryshojnë për nga shkalla e mendjemprehtësisë, e cila përcaktohet prej faktorësh të ndryshëm nga gjenetika, arsimi dhe përvoja. Është fakt i pamohueshëm se të tillë konsiderohen individët me nivel të lartë të koeficientit të inteligjencës (IQ).
Fjala “intelektual” vjen nga fjala latine “inteligere”, që do të thotë të kuptosh, prandaj për ne sot nënkupton individin, që posedon aftësi superiore intelektuale. Kjo fjalë në gjuhën shqipe përdoret si mbiemër apo si substantiv i tij dhe iu referohet njerëzve mendjehollë apo mendjemprehtë, që kanë aftësi për të menduar dhe kuptuar ide komplekse, për të zgjidhur probleme dhe për të arritur në përfundime të sakta për atë se çka është e vërtetë dhe çka e rrejshme. Ky mbiemër apo substantivi i tij ka të bëjë me njohjen – me proceset racionale mendore, që lidhen me aftësinë për të identifikuar, analizuar, memorizuar dhe kategorizuar. Po Sokrati, a ishte intelektual dhe vendosmëria e tij për ta pirë me vetëdije
gotën e helmit e për të mos hequr dorë nga idetë e tij, a ishte Guxim Intelektual? Përgjigjja është e nënkuptueshme për të gjithë. Togfjalëshi “Guxim Sokratik” është kuptimi konotues i togfjalëshit “Guxim Intelektual”.
Intelektuali gjatë shekujve, duke e përdorur në mënyrë kreative intelektin, e ka ndier veten shumë ngushtë brenda definicionit të cilitdo fjalor, prandaj shumë herët e ka kuptuar se fillimisht ndodhin apo krijohen ndodhi e fenomene dhe tek pastaj leksikografët apo autorët e fjalorëve i shënojnë, duke u përpjekur ta shpjegojnë hapësirën e shtrirjes semantike të tyre, të cilën zakonisht e quajnë denotacion dhe nënkupton njërën nga normat apo rregullat. Normat apo rregullat për fenomenet natyrore dhe shoqërore, fillimisht mësohen nga intelektualët kreativë, të cilët pasi ta kenë arritur kulmin e njohjes së tyre kuptojnë se duhet t’i thyejnë ato për ta zgjeruar hapësirën e njohjes, e cila sipas logjikës së tyre nuk ka fund. Duke arritur në këtë përfundim intelektualët bien në kundërshtim me mbrojtësit e normave apo rregullave në të gjitha fushat. Thyerja e vetëdijshme dhe e qëllimshme e normave apo rregullave nënkupton guximin e madh për të thyer statusquotë, guximin që i karakterizon gjenitë, të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e shkencës, artit dhe shoqërisë njerëzore. Këta intelektualë guximtarë zakonisht janë kundërshtuar dhe mohuar nga mediokrit e përkrahur nga pushteti dhe janë ndëshkuar në forma të ndryshme gjatë historisë.
Guximi intelektual në gjuhë
Guximi intelektual shprehet në gjuhë, në arte, në mendimin për lirinë dhe mungesën e saj brenda një shoqërie apo për drejtësinë e munguar. Varësisht nga fusha se ku shprehet mund të bëhen tipologji të ndryshme të guximit intelektual.
Në këtë kontekst kam prirjen të filloj me guximin intelektual në gjuhë. Njerëzit e zakonshëm gjatë komunikimit të tyre gjuhësor përdorin një numër të kufizuar fjalësh p.sh. një qytetar i thjeshtë kanadez zakonisht përdor rreth 7500 fjalë edhe pse anglishtja ka arritur të ketë rreth një milion fjalë dhe kjo shumësi fjalësh është e barabartë me fondin leksikor të tri gjuhëve të mëdha botërore. Në parathënien e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 shkruan se ai fjalor i ka 41.000 fjalë dhe shprehje, por në skedat e Institutit të gjuhësisë së Tiranës janë të evidentuara rreth 150.000 fjalë. Duke pasur parasysh qëndrimin e padrejtë të autoriteteve gjuhësore të Tiranës, të cilat me përkrahjen e politikës dogmatike mbanin qëndrim të padrejtë dhe nënçmues ndaj fondit leksikor të gegërishtes mendojmë se një pjesë e tij nuk është vjelë në teren dhe tradita e pasur shkrimore e gegërishtes është shpërfillur, prandaj në këtë kontekst, pa frikën se mund të gaboj, pohoj se shqipja mund të ketë nga 200 000 – 250 000 fjalë. Disa prej gjuhëtarëve të painstrumentalizuar politikisht nuk e kaluan në heshtje këtë fenomen, por kundërshtuan me guxim dhe ky guxim ishte guxim intelektual në gjuhësi. Njëri nga ata ishte edhe intelektuali dhe bashkëqytetari ynë Selman Riza, i cili u ndëshkua me persekutim dhe largim nga Tirana. Mediokritetet, këto qenie që mund të kenë gjithçka, por jo guximin intelektual, mburren kur arrijnë ta mësojnë, më pak apo më shumë, denotacionin (kuptimin në bazë të fjalorit) e fjalëve dhe ai është i mjaftueshëm për ta. Nga një pozicion i tillë ata e glorifikojnë fjalorin. Intelektualët e guximshëm, të cilësdo sferë të dijes dhe veprimtarisë shoqërore, janë kreativë në ide dhe duke qenë të tillë e kuptojnë se idetë e tyre nuk mund të shprehen me metaforat e shpenzuara apo me “metaforat e vdekura” siç i quan shkrimtari i shquar Xhorxh Oruell në esenë e tij të njohur “Dead metaphors in politics”, prandaj e zgjerojnë fushën semantike të fjalëve duke iu dhënë atyre kuptim të ri metaforik apo konotues.
Guximi estetik
Me togfjalëshin “guxim estetik” nënkuptojmë aftësinë e artistëve për të mos respektuar normën ekzistuese estetike. Aftësinë e tillë për të thyer normën estetike dhe për të krijuar normë të re nuk e kanë artistët që emitojnë dobët apo më mirë pararendësit e tyre estetikë. Mendoj se fenomeni i guximit estetik mund të argumentohet në artin e letërsisë. Guximi estetik i një shkrimtari fillon te krijimi i kuptimeve të reja konotuese të fjalëve, por edhe kontekstet e reja në të cilat vendosen ato. Veprimi i tillë i guximshëm krijon mundësi të panjohura shprehëse gjer atëherë të ideve të reja dhe të një ndjeshmërie të re dhe të freskët. Shkrimtarët e tillë japin kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e nivelit shprehës të gjuhës në të cilën shkruajnë. Shkrimtarët e tillë kuptohen me vështirësi apo nuk kuptohen fare nga lexuesit me shije tradicionale apo pa horizont të pritjes, siç e quajnë teoricienët kulturën e të lexuarit, e cila evoluon me vështirësi. Historia e letërsisë botërore, por edhe historia e letërsisë shqipe na jep shumë shembuj të shkrimtarëve estetikisht të guximshëm, që nuk u përfillën, u mohuan dhe u përbuzën në forma të ndryshme, të cilat fillojnë nga censurimi i plotë apo i pjesshëm dhe përfundojnë me mohimin e plotë dhe me ndëshkimin fizik të autorit.
Shembull domethënës i refuzimit estetik i shkrimtarit estetikisht të guximshëm mund të merret Sharl Bodler me librin e tij poetik “Lulet e së keqes”. Njëri ndër poetët shqiptar të shquar për guximin e tij estetik është Lasgush Poradeci, poezia e të cilit u prit me adhurim nga elita e vërtetë intelektuale, por u mohua nga shija e konservuar dhe e instrumentalizuar ideologjikisht. Në këtë kontekst është i patejkalueshëm fakti se shkrimtarët e guximshëm shprehin edhe ide të reja dhe të guximshme, të cilat në shoqëritë autoritare dhe dogmatike bëhen shkak për ndëshkimin e shkrimtarëve. Njëri ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë, Mitrush Kuteli në seancën gjyqësore ndër të tjera u akuzua edhe për veprën e tij letrare “Poem Kosovar” dhe u dënua me burg. Për guximin e tyre estetik dhe ideor u dënuan me pushkatim edhe dy poetët Vilson Blloshmi dhe Gazmend Leka, ndërsa Favzi Nela u var në litar në qendër të qytetit të Kukësit. Të njëjtin fat të zi e pat edhe poeti Trifon Xhaxhika. Numri i shkrimtarëve shqiptarë në ish Jugosllavi, të cilët janë vrarë, burgosur, persekutuar dhe detyruar të largohen nga atdheu ishte i madh. Guximi intelektual i shkrimtarëve kosovarë buronte nga vetëdija e tyre kombëtare, e cila artikulonte idetë për mungesën e lirisë dhe afirmonte përpjekjet për çlirim nga pushtimi serb.
Guximi intelektual dhe artikulimi i mendimit të lirë
Gjatë historisë njerëzore, varësisht nga raporti i tyre me pushtetin, intelektualët kanë qenë dy llojesh: llojit të parë i kanë takuar intelektualët (filozofë, artistë), të cilët i kanë shërbyer pushtetit dhe zakonisht janë quajtur intelektualë të oborrit mbretëror dhe i ka karakterizuar frika dhe serviliteti, ndërsa llojit të dytë i kanë takuar intelektualët, të cilët i ka karakterizuar guximi intelektual apo prirja e tyre për ta njohur vetëm pushtetin e së vërtetës për pakufishmërinë e ideve dhe lirisë si koncept universal.
Shembujt apo modelet e guximit intelektual në historinë e qytetërimit evropian janë të shumtë, por konsideroj se për kontekstin tonë pos Sokratit të përmendur më parë janë të mjaftueshëm edhe tre prej tyre.
I pari do të ishte Erazmo i Roterdamit (1469-1536), i cili ishte intelektuali më i madh i Rilindjes në Evropën Veriore, botuesi i parë i Testamentit të Ri dhe figurë e rëndësishme në studimin e letërsisë klasike. Ai duke përdorur metodën filologjike, përdorimin e së cilës më parë e kishin filluar humanistët italianë, e krijoi shtegun për studimin historik-kritik të së kaluarës. Shkrimet e tij edukuese kanë ndihmuar në zëvendësimin e kurikulës (curriculum) së vjetër skolastike me vënien në qendër të vëmendjes klasiken. Duke kritikuar keqpërdorimet klerikale dhe duke i vënë ato përballë shkëlqimit të antikës, ai e forcoi bindjen e njerëzve se reformimi është i domosdoshëm, prandaj ndikoi drejtpërdrejtë në Reformacionin Protestant dhe në Kundëreformacionin Katolik. Qëndrimi i tij i pavarur në një kohë të kontradiktave të egra konfesionale, kundërshtimi i doktrinës së paracaktimit (predestinimit) dhe pushtetit të pretenduar të papatit, e shndërroi Erazmon në shënjestër të ithtarëve të dyja palëve dhe në dritë shprese për ata, që e çmonin më shumë lirinë se sa obskurantizmin.
I dyti do të ishte Gjordano Bruno (1548-1600), poet, filozof dhe shkencëtar i njohur për teoritë e tij kozmologjike, të cilat konceptualisht e zgjeruan modelin e atëhershëm të Kopernikut. Ai thoshte se yjet ishin diej të largët, të rrethuar nga planetët e tyre dhe se ekzistonte pluralizmi kozmik, që nënkuptonte se universi është i pafund dhe nuk mund të ketë asnjë “qendër”. Bruno u akuzua në vitin 1593 dhe u dënua nga Inkuizicioni me djegie në turrën e druve në vitin 1600 për idetë e tij kozmologjike. Ashtu si Sokrati në momentet e shqiptimit të dënimit edhe Gjordano Bruno, pa iu dridh zëri, iu tërhoqi vërejtjen ndëshkuesve të tij: “Ju mund ta shqiptoni fjalinë ndëshkuese (K.R.) kundër meje me më shumë frikë se sa që unë kam nga ajo “. Gjordano Bruno edhe sot e gjithë ditën është një pikë referimi dhe frymëzimi për guxim intelektual në historinë e mendimit të lirë dhe zhvillimit shkencor.
Ndërsa modeli i tretë do të ishte shkrimtari natyralist francez Emil Zola, i cili më 13 janar 1898 e botoi në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau) letrën e tij publike drejtuar presidentit francez me titull “Akuzoj” (“J’accuse”) në të cilën e mbrojti kapitenin tridhjetëvjeçar të Shtatmadhorisë franceze Alfred Drajfus, i cili u akuzua dhe u dënua padrejtësisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij çifute. Letra bëri që gazeta të shitej në 300 000 kopje dhe pati jehonë të madhe jo vetëm në kryeqytetin francez, por edhe në kryeqendrat tjera evropiane, prandaj shpërthyen protesta të mëdha. Një pjesë e opinionit e përkrahu zërin e guximshëm protestues të shkrimtarit Emil Zola në mbrojtje të Alfred Drajfusit të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër ultra nacionaliste dhe antisemite drejtpërdrejtë ndikoi në prokurorinë e shtetit francez, e cila ngriti padi për shpifje në bazë së cilës u mbajt një proces gjyqësor në fund të cilit shkrimtari Emil Zola u dënua me një vit burg dhe 3000 franga gjobë.
Edhe historia e qytetërimit shqiptar ka shumë shembuj të ndëshkimeve të rënda të intelektualëve, të cilët, përkundër shumë intelektualëve servilë e puthadorë në raport me pushtetin autokratik e diskriminues, i karakterizonte guximi intelektual. Intelektualët e guximshëm shqiptarë në të gjitha periodat e historisë sonë u ndëshkuan me burgime dhe persekutime të gjata apo u vranë sepse nuk u pajtuan me mungesën e lirisë individuale dhe kombëtare. Në pamundësi për t’i trajtuar shumicën prej tyre për shkak të natyrës së këtij shkrimi do të ndalemi vetëm te njëri prej tyre, të cilin në një shkrim të botuar 20 vjet më parë e kam quajtur Sokrati shqiptar.
“Njëzet e katër shekuj apo 2393 vjet më vonë, në Prishtinë u gjykua përsëri Sokrati, kushedi për të satën herë. Këtë radhë Sokrati ishte shqiptar nga Dardhari i Madh i Dukagjinit dhe quhej Ukshin Hoti. Akuza banale, ngjashmëria e tërësishme, fund e krye. Ndryshimi edhe kur duket se është i madh, nuk është i tillë. Vërtet gjykatësit e Sokratit antik ishin nga i njëjti popull, pra ishin grekë, ndërsa në rastin e gjykimit të Sokratit shqiptar gjykatësit ishin serbë edhe akuzuesit formalë ishin serbë.
I vështruar nga ky aspekt gjykimi dhe dënimi na duket më tepër prometeik, por, kur nuk harrohet fakti se përpara akuzuesve formalë fshiheshin politikanë smirëzinj e të zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie dhe mediokritete kulturore e shkencore nga radhët e shqipfolësve, të cilët nuk mund t’i durojnë njerëzit me potencë të madhe morale dhe intelektuale çfarë ishte Ukshin Hoti, problemi është më tepër Sokratik. Apologjia e Sokratit antik dhe Apologjia e Sokratit shqiptar të njohur me emrin Ukshin Hoti janë identitike. Anitët, Meletët dhe Likonët pas 24 shekujsh nuk ishin vetëm serbë, por edhe shqipfolës dhe mjerë shqipja, që e flasin edhe njerëzit e tillë!
Sokrati antik ua përkujton akuzuesve po edhe ndëshkuesve të tij turpin dhe dënimin që i pret në të ardhmen, të njëjtën gjë e bëri edhe Sokrati shqiptar në Apologjinë e tij. Si në Rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, profecia doli shumë e saktë. Ngjashmëri tragjike me një bukuri të llahtarshme brenda.” (K.Radogoshi: “Nëpër universin letrar”, Rilindja, Prishtinë,2003, f.109).
Duke përfunduar
Apostrofojmë se guximi intelektual i Erazmos e bëri Evropën mesjetare më të mirë duke artikuluar tërësisht domosdonë e reformimit të katolicizmit në Evropë dhe të Evropës së bashku me të. Akti i guximshëm i intelektualit dhe shkrimtarit të mirënjohur Emil Zolës, jo vetëm e shpëtoi një njeri të pafajshëm, por i bindi strukturat shtetërore franceze se duhet të bëhen më të drejta në raport me diversitetin qytetar në Francë. Vizionariteti i Ukshin Hotit në shkrimet e veprimet politike për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Gadishullin ilirik, nuk e bënë më të mirë as shoqërinë e as pushtetin serb, sepse në atë shoqëri dhe në atë shtet nuk pat e për fat të keq ende nuk ka një Erazmo serb për ta reformuar kishën ultra nacionaliste serbe, frymëzuese e luftërave ekspansioniste në dëm të shqiptarëve dhe popujve tjerë fqinj. Ky shtet, që shkaktoi gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë 150 vjetëve të fundit nuk pat as Emil Zolë serb për ta mbrojtur Ukshin Hotin nga shteti serb, i cili e zhduki pa nam e pa nishan atë dhe shumë bashkëvendës të tij.
Krejt në fund
Në paragrafët narrativë të këtij shkrimi u bë definimi i dy njësive përbërëse të togfjalëshit “Guximi Intelektual” dhe u dhanë përgjigjet në pyetjet: “1. Cili është denotacioni i këtij togfjalëshi brenda qytetërimit evropian dhe atij shqiptar si pjesë e pamohueshme e tij?” dhe “2. Po konotacioni i tij në të njëjtin kontekst qytetërues, cili është?” Përgjigjet e dhëna në këtë tekst shkrimor paraqesin hapësirën semantike dhe honorifike të togfjalëshit “Guximi intelektual”, prandaj mund të pohoj se e ndiej vetën të nderuar me çmimin tuaj, i cili natyrshëm e inkuadron edhe kontributin tim modest brenda kësaj hapësire semantike dhe honorifike.
 
Ju falënderoj përzemërsisht!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s