HISTORIANI DHE PUBLICISTI I SHQUAR NURI DRAGOJ NË NJË VJETORIN E NDARJES NGA JETA / Nga: Kujtim Mateli

 
HISTORIANI DHE PUBLICISTI I SHQUAR NURI DRAGOJ NË NJË VJETORIN E NDARJES NGA JETA
 
Një vit më parë, ditën e prëmte të 16 tetorit 2020, u përcoll për në banesën e fuundit dr. Nuri Dragoj. Një vit pa Nuri Dragoin, e ka ndjerë rëndë familja e tij, por edhe miqtë e tij të shumtë me të cilët ai punoi, dhe në veçanti dëshnicarët që e njohën dhe punuan bashkë me të në nxjerrjen e gazetës “Dëshnica” dhe të Shoqatës me të njëjtin emër.
Jeta e Nuri Dragojt ka qenë një përpjekje e pamposhtur për të thënë të vërtetën për padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë përgjatë gjithë historisë së saj. Ky përkushtim e nxiti që të studiojë historinë e Shqipërisë dhe të mbrojë doktoraturën në histori. Aq sa ishte një shkencëtar në fushë të studimeve historike, të tillë lartësi krijoi edhe si atdhetar i vërtetë. Nuriu, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, ndjehej i shqetësuar se, nën agresivitetin e fqinjve, po rrudhej dimensioni shpirtëror i shqiptarëve, ku shumë shqiptarë në emigrim ndërruan emrin, kurse fëmijët e tyre pjesërisht humbën edhe gjuhën. Shqetësimi se nën këtë agresivitet do të rrudhej atdheu dhe dimensioni kulturor, ishte pjesë e bisedave të tij. Këtë shqetësim nuk e shfaqte vetëm në bisedat para një kafeje, por e mbrojti me një duzinë librash studimorë në mbrojtje të kësaj teme. Për ta ilustruar më mirë po japim disa nga botimet e tij:
 
Jeta dhe vepra e dr. Nuri Dragoj.
 
Disa nga botimet e autorit:
 
1. “Lumo Pavari”, monografi, Tiranë: Shtëpia Botuese Globus R, 2004. Libri i kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit Lumo Pavari, intelektual dhe patriot përmetar, i cili u vra nga gjermanët në mars të vitit 1944, në Poshnjë të Beratit.
2. “Hajrulla Muhametaj midis tri epokave”, monografi, Tiranë: Shtëpia botuese Albpaper, 2005.
3. “Dëshnica dhe Dëshnicarët” – libër studimor në tre vëllime:
Vëllimi I. Vështrim gjeografik dhe jeta ekonomike, Tiranë: Shtëpia botuese Mokra, 2005. Tregon zhvillimin ekonomik në trevën e Dëshnicës së rrethit Përmet, me 45 fshatra dhe rreth 25 mijë banorë, toponiminë, kolektivizimin dhe rënien e sistemit të dështuar komunist.
Vëllimi II. Njerëz që u këndon zemra, Tiranë: Shtëpia botuese Mokra, 2005. Bën fjalë për traditat dhe zakonet e krahinës në fjalë, në gjithë aspektet e jetës, në ndërtimin e banesave, mikpritjen, gëzimet, hidhërimet etj.
Vëllimi III. Penë dhe pushkë për mëmëdhenë, Tiranë: Shtëpia botuese – Mokra, 2006. Në këtë vëllim pasqyrohet lufta e zhvilluar në shekuj dhe kontributi i dhënë nga njerëzit e kësaj treve.
4. Eshtra që akuzojnë (Zhvarrimet në Përmet, turp i politikës), Tiranë: Shtëpia botuese Albaper, 2006. Bën fjalë për veprimet ilegale të kryera nga qarqe politike të Athinës, mbështetur nga krerë të kishës ortodokse dhe qarqe të caktuara helene, të cilët kishin si qëllim të mbushnin me eshtra shqiptarësh, kutitë – varre, që u vendosën në Manastirin grek të ngritur në varrezat e Grykës së Këlcyrës, pasi në varrezat e ngritura kërkoheshin shumëfish i eshtrave që ishin gjetur.
5. Trebeshina një jetë para gjyqit, studim monografik, Tiranë: Shtëpia Botuese – Globus R, 2007. Është një botim që i kushtohet shkrimtarit Kasëm Trebeshina. Vepra është pasuruar gjerësisht me të dhëna mbi jetën e shkrimtarit, në mënyrë të veçantë me dosjen e gjyqeve të zhvilluara kundër tij dhe motivet e sajuara nga regjimi komunist për ta lënë njeriun e letrave në burg dhe spitale çmendimi tërë jetën, për shkak se nuk pajtohej me sistemin.
6. Shqiptarët dhe grekët – realitete historike, Monografi, Tiranë: Shtëpia Botuese Wesso, 2009. Libër studimor e historik me 594 faqe. Aty trajtohen marrëdhëniet midis dy vendeve, kryesisht në tre shekujt e fundit, përpjekjet e parreshtura për helenizimin e trojeve shqiptare, praktikë e cila vazhdon edhe sot.
7. Familja Qerimaj në sfidat e pentagramit, monografi, Tiranë: Shtëpia Botuese Wesso, 2009, kushtuar muzikantëve të shquar të familjes “Qerimaj”.
8. Rreziku i Shkombëtarizimit, Tiranë: Shtëpia botuese Albpaper, 2011. Libri bën fjalë për rrezikun që kanos shqiptarët dhe trojet e tyre, si në veri dhe në jug me anë të vetëdeklarimit etnik e fetar.
9. Xhevahir Spahiu, Sfidat e poetit, Tiranë: AlbPaper, 2012. Libri bën fjalë për raportin e poetëve me sistemin njëpartiak të para viteve 1990, duke patur në qendër poetin Xhevahir Spahiu, dënuar disa herë nga sistemi.
10. Prapaskenat e Konferencës së Londrës, Tiranë: Iceberg, 2013. Libri tregon me dokumente të panjohura më parë, atë çfarë kurdisej nga fqinjët e Shqipërisë, të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, lidhur me coptimin e trojeve shqiptare.
11. Arsimi në Përmet (1912-1944), Tiranë: West Print, 2015. Është vëllimi i parë i serisë së librave studimor-shkencor, me oponenntë dhe recenzentë professor të shquar të Albanolgjisë Shqiptare, kushtuar nënprefekturës së Përmetit. Në 565 faqet e tij, pasqyrohet ecuria e arsimit në nënprefekturën e Përmetit, pa shmangur të dhëna për gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga viti 1840 deri në vitin 1944. Aty jepet numri i shkollave, gjuhët në të cilat zhvillohej mësimi, numri i nxënësve, madje të ndarë edhe sipas besimeve, numri i mësuesve etj. Për këtë studim, i cili deri tani ka shkuar në 7 vëllime, është punuar rreth 20 vjet.
12. Përmeti dhe lufta për pavarësi, Tiranë: West Print, 2015.
Ky është vëllimi i dytë i serisë së librave kushtuar Përmetit. Në 450 faqet e tij flitet për veprimtarinë atdhetare dhe politike të përmetarëve, nga vitit 1870 deri në vitin 1914, natyrisht e pashkëputur nga konteksti kombëtar. Vend me rëndësi zënë përpjekjet për pavarësi dhe ngjarjet në vitet 1912-1914. Përmeti midis dy luftërave botërore. Ky libër me 520 faqe, është vëllimi i tretë i serisë së librave për Përmetin dhe bën fjalë mbi zhvillimet atdhetare dhe politike nga viti 1914 deri në vitin 1939.
13. Në përballje me krimin, monografi, Tiranë: Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve, 2016. Libri i kushtohet dëshmorit të rënë në mbrojtje të depove të armatimit, gjatë vitit të zi 1997.
14. Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore (prill 1939-korrik 1943), Vëllimi I, Tiranë: Botimet M&B, 2018. Në 430 faqet e tij trajtohen zhvillimet politike dhe luftarake në Përmet dhe gjithë jugun e vendit, gjatë pushtimit të Shqipërisë. Rëndësia e këtij botimi nuk qëndron vetëm te trajtimi dokumentar e shkencor, por mbi të gjitha, për vërtetësinë dhe shmangien e trajtimit të deritanishëm të historisë, bazuar në ideologjinë komuniste.
15. Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore (korrik 1943 – nëntor 1944), Vëllimi II, Tiranë: Botimet M&B, 2018. Libri ka 530 faqe dhe flet për zhvillimet politike dhe luftarake në Përmet dhe gjithë jugun e vendit, duke nisur nga momenti i hyrjes së trupave gjermane në Shqipëri.
16. Përmeti, Organizimi administrativ, 1912-1939, Tiranë: Botimet Agolli, 2019. Ky është vëllimi i gjashtë i serisë së librave për nënprefekturën e Përmetit. Ka 450 faqe dhe bën fjalë për organizimin administrativ të komunave, nënprefekturës, policisë, xhandarmërisë, gjyqësorit etj. Gjithçka trajtohet e lidhur ngushtësisht me organizmin qëndror të shtetit shqiptar.
17. Përmeti, Popullsia dhe shëndetësia, 1912-1939, Tiranë: Botimet Agolli, 2019. Ky është vëllimi i shtatë i kësaj serie. Pavarwsisht se trajton dimanikën e zhvillimti tw popullsisë gjatë periudhës së formimt tw shetit shqiptar, aty jepen mjaft të dhëna për popullsinë edhe gjatë administrimti të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane. E njëjta gjë duhet thënë edhe për shëndetësinë.
 
Redaktor dhe recenzentë në disa libra si dhe ka botuar qindra artikuj në gazeta dhe revista të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.
Një nga librat më të spikatur të tij është Libri studimor “Arsimi në Përmet” 1912-1944, që trajton arsimin në rrethin e Përmetit që nga shkollat e para deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Për lexuesin po sjell një recension të këtij libri ku do të shohim kontributin e tij të shquar si historian në hapësirën kohore të dy shekujve të fundit, kohë kur Shqipëria hyri në rrjedhat europiane pas një errësire shekullore të pushtimit otoman.
Një nga elementët e rëndësishëm që shpuri në ndarjen përfundimtare të Shqipërisë nga perandoria otomane, ishte përpjekja e njerëzve të shquar të kombit tonë, që nëpërmjet shkollave shqipe zgjuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Sado të pakta të ishin ato shkolla, ato ishin si një dritë në errësirën e detit mesjetar, ishin piketat të cilat tregonin rrugën se nga duhej të kalonte Shqipëria për të mbrritur në kulturën dhe qytetërimin europian, pjesë e së cilës kishte qenë dhe do të ishte edhe vendi ynë, në shekujt që vinin. Pikërisht, këtë periudhë zgjimi dhe konsolidimi të ndërgjegjies sonë kombëtare, ka pasqyruar dhe autori i këtij studimi në kapitullin me të cilin çelet ky libër.
Po aq i rëndësishëm sa është periudha të cilën ai e ka pasqyruar në vitet 1912-1944, një rëndësi po aq të veçantë merr dhe kapitulli hyrës që na njeh me përpjekjet e banorëve të zonës së Përmetit deri në Shpalljen e Pavarësisë. Përpjekjet e përmetarëve për të mësuar janë të hershme, pavarësisht se ata nuk e kishin një alfabet për të shkruar gjuhën e tyre. Interesi i dr. Nuri Dragoj për të gjetur dëshmi dhe dokumenta sa më të hershme, përbën një nga vlerat e këtij studimi dhe tregon për seriozitetin e tij për të gjurmuar deri në detaje. Kështu na vjen dëshmia e Elvia Çelebiut se në vitin 1671, në Përmet numëroheshin dy shkolla islamike, të cilat zhvillonin mësim me përmbajtje fetare. Puna e kujdesshme për t`na dhënë dëshmi, që nuk ishin njohur më parë, e bën këtë libër me interes për lexuesit, mësuesit dhe nxënësit, për institucionet tona arsimore e ato shkencore.
Para vitit 1912, rrethi i Përmetit paraqitet me disa vatra që kishin në epiqendër arsimin dhe dijen. Të tilla ishin shkollat në Frashër e Postenan, në Hotovë e Përmet, në Fratar e Kajcë. Mësimi zhvillohej në gjuhën osmane dhe greke, shqipja përdorej fare pak në shkollë, nga ata mësues atdhetarë që u tregonin shqip atë çfarë ata dinin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Banorët e rrethit të Përmetit, ashtu si të gjitha trevat shqiptare, kërkonin vazhdimisht që arsimi të bëhej në gjuhën shqipe, por perandoria otomane burgoste e internonte vazhdimisht të gjithë ata që e ndërrmernin një hap të tillë. Cilido popull, në këto kushte, do të ishte zhdukur, ashtu siç janë zhdukur shumë kombe të tjerë në historinë e njerëzimit, por vitaliteti i kombit tonë kishte rrënjë të thella në tokën e vet. Nuri Dragoj na ka dhënë ecurinë e zhvillimit të arsimit në këto shkolla nga viti në vit dhe nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçarë.
Frashëri u bë një vatër e rëndësishme e arsimimit të fëmijëve ku numëroheshin disa shkolla, për vajza e për djem, madje dhe komuniteti vllah kishte shkollën e tij. Po krahas këtyre shkollave, disa mendje të ndritura, siç qenë bektashinjtë e Teqesë së Frashërit: Nasibi Babai e Tahir Skënderasi, Jusuf Skënderasi dhe Baba Alush Kasollari, duke përfunduar me Baba Abedin Ibro rreth vitit 1913, e bënë institucionin e tyre, Teqenë e Frashërit, vatrën e shqiptarizmës. Janë këta Baballarë që u dhanë mësim bijve të Frashërit, ku më pas dolën figurat më të shquara të kombit që njihen me emrin përmbledhës, vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu.
Një tjetër vatër e rëndësishme e arsimit ka qenë qyteti i Përmetit. Aty kanë investuar pasurinë e tyre disa figura përmetare që fëmijët të shkolloheshin dhe mund të përmendet financuesi i parë Zoto Pano Duro qysh në vitet 1770. Në qytetin e Përmetit ka patur vazhdimisht disa shkolla, ku mësimi jepej në gjuhën zyrtare të perandorisë dhe në atë greke. Libri i dr. Nuri Dragoj jep një tablo të plotë të arsimit në rrethin e Përmetit në vitet para dhe pas Shpalljes së Pavarësië. Trashëguam nga periusha para Shpalljes së Pavarësisë shkolla greke dhe turke, qëllimi i të cilave nuk ishte që të përparonte Shqipëria në arsim dhe kulturë, por që secila të realizonte synimet e veta. Turqia kërkonte që t`i mbante shqiptarët në errësirë që ta kishte sa më të gjatë sundimin e saj, Greqia nëpërmjet shkollave greke kërkonte të verbonte shqiptarët me teorinë e saj të helenizimit të Shqipërisë së jugut.
Konkluzioni se këto shkolla ndikuan negativisht tek shqiptarët mund të duket si i paarsyetuar mirë, madje dhe i pabaza, parë në vështrimin e kohës së sotme ku gjuha e huaj është vlerë për individin që e zotëron. Një hap drejt dijes ku të çon shkolla, e çfarëdoshme që të jetë ajo, është një hap drejt qytetërimit. Një njeri që dinte të shkruante, qoftë dhe në një gjuhë të huaj, ishte një hap para atij që nuk njihte asnjë lloj alfabeti.
Po këto shkolla, ne shqiptarëve na gjetën në një proces delikat. Ishim në procesin e Rilindjes Kombëtare. Drita që hodhën Rilindasit e mëdhenj, ende nuk ishte bërë pronë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve. Duke qënë në procesin e formimit kombëtar, çdo lëndë e huaj që hidhnin në këtë proces shkollat turke e greke, kishte si qëllim ta ndalnin këtë proces ose ta shkatërronin atë. E gjithë përmbajtja e shkollave turke, duke lënë mënjanë anën shkencore, ishte që të të bindte se ishte pjesë e perandorisë dhe identiteti i tij nuk ishte shqiptar, por ai turk.
E gjithë përmbajtja e shkollave greke ishte që të të bindte se nuk je turk, por si i krishterë je grek. Pra identiteti i shqiptarit ishte, sipas mësimit në këto shkolla, midis grekut dhe turkut. Për shqiptarët, çështja kombëtare ishte shumë herë më e rëndësishme, nga ajo që përfitonin fëmijët e tyre në këto shkolla. Ndërgjegjia kombëtare fitohej me shkolla shqipe dhe me njohjen e historisë së kombit shqiptar. Ndaj perandoria otomane u trembej shkollave shqipe dhe e ndalonte me ligj hapjen e tyre. Greqia nëpërmjet Patriarkanës mallkonte gjuhën shqipe dhe vriste e helmonte cilindo që kërkonte të ndriçonte mendjen e shqiptarëve. Historia e arsimit shqip është e mbushur plot, me ngjarje të tilla makabre, si ajo e vrasjes së Papa Kristo Negovanit apo helmimi i Petro Nini Luarasit. Përballë presionit që ushtronin të dy pushtuesit nëpërmjet këtyre shkollave, Përmeti ka nxjerrë atdhetarë të shquar që u vunë në shërbim të kombit dhe iu kundërvunë si perandorisë otomane ashtu dhe propogandës greke. Përmeti iu kundërvu këtyre shovinistëve duke nxjerrë disa figura emblematike që sakrifikuan dhe jetën e tyre, siç është figura hyjnore e At Stath Melanit. Për të dhënë një ide më të qartë se si shkollat greke e turke ndikonin negativisht në formimin e ndërgjegjies kombëtare të shqiptarëve, po e ilustroj me një letër që Naum Veqilharxhi ia kishte dërguar nipit të tij më 7 Prill të vitit 1846.
“Ti, siç thua, paske lëçitur shumë vepra historike dhe nuk gjete asnjë dëshmi mbi shqiptarët. Po ti të gjitha mësimet i bëre nëpër shkollat e grekëve, të cilat janë organizuar për të ndriçuar brezin e ri grek dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar. Po ti si burrë i mësuar, qysh s`u mendove, duke studiuar (barbaritur) gjithë kombet e tjerë, se një komb si kombi shqiptar, i krijuar së bashku me të tjerët, i vendosur në një vend të caktuar të tokës, me karakter të veçantë gjuhe e me zakone të veçanta, si është e mundur të mos ketë edhe ai kohët e mitologjisë së vet, shekujt e vet heroikë, politikë, fetarë, shekujt e imigracioneve dhe të rilindjevet?
Më e keqja këshillë është ajo që e shtyn njeriun të harrojë kombin e vet, d.m.th. prindërit, fisin, miqtë, bashkëkombasit e tij, vatrën prindërore, varret e stërgjyshërve të tij dhe të vejë t`i kërkojë të gjitha këto gjetiu, ku mjerisht s`mund t`i gjejë kurrë”. Gazeta “Drita” 29 dhjetor 1938.
Kjo letër e Naum Veqilharxhit është dëshmi e qartë se çfarë tip njeriu kishin formuar këto shkolla. Të gjitha ata indvidë që u shkolluan në ato shkolla që u shërbenin grekëve dhe turqve, nuk patën shumë ndryshim nga nipi i Naum Veqilharxhit. Dija e fituar në ato shkolla, u shërbeu më shumë gjithë atyre individëve që jetën e kaluan jashtë Atdheut, në emigrim, nga ku e nxorën jashtë qënies së tyre helmin që u kishin dhënë këto shkolla, të ndihmuar nga realiteti i ri perëndimor ku ata shkuan për të studiuar apo për të punuar. Ata i zgjeruan dijet e tyre dhe i shërbyen me devotshmëri çështjes shqiptare, duke krijuar një plejadë të shquar dijetarësh.
Dëshnica nuk mundi dot t`i arsimonte fëmijët e saj. Këtë rol nuk mundi dot ta luante as Këlcyra si qendra e krahinës së Dëshnicës, as Suka me qendrën e saj fetare. Kjo e keqe pati anën tjetër të mirë. Dëshnica nuk u verbua as nga propoganda turke, as nga ajo helene. Beteja e Këlcyrës kundër garnizonit turk ku morën pjesë çetat e Mehmet Pavarit, Riza Xhungës, Zaim Bubësit, Nexhip Bënjës e të tjera çeta dëshnicare, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit 1911, tregon se Dëshnica e kishte të qartë vizionin e saj: Luftë me armë kundër pushtuesit. Ja se si shkruante njëra prej gazetave më të rëndësishme të asaj periudhe, “Liri e Shqipërisë”, 21 gusht 1911. “ Në mes të Përmetit dhe Këlcyrës u bë një luftë midis ushtarëve dhe kryengritësve. Nga ushtarët u vranë 16 veta dhe nga kryengritësit asnjë. Këto lajme vërtetohen dhe me telegramin zyrtar të qeverisë”. Nëqoftëse çdo krahinë e Shqipërisë, do të ishte ngritur me armë ashtu si Dëshnica, nuk do të kishim sot një Shqipëri të copëtuar, por do t`i kishim bashkë trojet e katër vilajeteve shqiptare.
Shtetit të ri shqiptar që doli pas Shpalljes së Pavarësisë, i dilte për detyrë që mësimi në shkolla të bëhej në gjuhën shqipe. Administrata e re kërkonte që shqipja të ishte gjuha zyrtare me të cilën ajo do të komunikonte me shtetet e tjera. Ndaj shkolla shqipe duhej të ndryshonte rrënjësisht nga shkollat e mëparshme që përgatitnin zyrtarë për në perandorinë otomane.
Dr. Nuri Dragoj, në librin e tij, jep një panoramë të plotë, jo vetëm të përhapjes së shkollave pas Shpalljes së Pavarësisë deri në vitin 1920, por edhe përpjekjet e disa prej figurave të njohura për të mos u gjunjëzuar as para presionit të kishës ortodokse, as para pushtuesit italianë, nën sundimin e të cilit ishte Përmeti gjatë viteve 1916-1920.
Pas pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga grekët 1913 dhe deri në vitin 1916, Përmeti ka qenë nën presionin e vazhdueshëm për të hapur kudo shkolla greke, nëpërmjet të cilave predikohej Shqipëria e jugut dhe bashkë me të dhe Përmeti, si territore të Greqisë.
Me pushtimin italianë të Përmetit, në vjeshtën e vitit 1916, pushtuesit italianë i dhanë përparësi mësimit të gjuhës italiane nëpër shkolla. Struktura e re e shkollave në territorin e Shqipërisë së Jugut dhe në veçanti në prefekturën e Gjirokastrës sipas autorit të këtij libri: “ në zonat e banuara prej popullsisë shqiptare, do të ishte i detyrueshëm mësimi i gjuhës shqipe dhe italiane, ndërsa në fshatrat grekofone do të mësohej greqisht dhe italisht. Mësimi fetar do të zhvillohej në gjuhën arabe për myslymanët dhe në greqisht për ortodoksit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 98.
Autori i këtij studimi evidenton përpjekjet e përmetarëve që ndihmuan me përvojën e tyre në hartimin e teksteve mësimore siç ishte tekti i gjuhës shqipe me titull “Fillime të gramatikës shqipe për shkollat përmetare” me autor Ilias Jahja me banim në Massachuset, në qytetin e Bostonit në ShBA. Në ato vite ishte e vështirë të gjeje mësues të gjuhës shqipe, sepse “mësuesit përmetarë, në përgjithësi, kishin kryer shkolla turke ose greke në Janinë e Selanik dhe vetëm pak prej tyre qenë arsimuar në liceun e Korçës apo në Normalen e Elbasanit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 104.
Duke lexuar me vëmendje këtë libër të Dr. Nuri Dragojt, do të shikosh përkushtimin e tij për të dhënë një pasqyrë të plotë për zhvillimin e arsimit në trevat përmetare deri në vitin 1944. Aty do të gjeni zanafillën e çdo shkolle dhe ecurinë e saj, mësuesit e parë dhe ata në vijim, përkushtimin e tyre për të mos u tërhequr përballë vështirësive. Është historia e arsimit përmetar, e ndërthurur dhe e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në trojet shqiptare.
 
 

Nga: Kujtim Mateli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s