Poezi nga Eva Kacanja
A duhet me ia tregu ëndrrën dikujt?
Një Shpirt i pastër jeton në ëndërr,
Se aty nuk bëhet pis,
Aty gjen atë që është.
Aty ka kujtimet,
Më të çmuarat,
Më të bukurat,
Ka jetën,
Jetën e jetuar për vete
Jo për të tjerë!
Një Shpirt i pastër qan,
Qan fort,
I djeg qenia nga dhimbja sepse nuk beson te e liga,
Por e liga ka forcë tërheqëse,
Lëndon,
E ai mbetet vetëm,
Fat i pashmangshëm
i Shpirtit të pastër.
A duhet një Shpirt i pastër ta tregojë ëndrrën e tij?
Apo mos vallë ai duhet të bëjë llogari të imta të jetës dhe zemrës,
të vërë në peshore ndjenjat dhe ditët,
të fshihet në një koracë hipokrizie
që s’ka errësirë që e fsheh?
A duhet me ia tregu dikujt ëndrrën?
Një Shpirt i pastër e tregon ëndrrën sepse s’ka frikë,
është kurajoz dhe pse disa herë i thyer,
Sizif i palëkundur ngrihet,
Besimi i tij,
është më i fortë se shkëmbi,
Është i vyer,
i paprekshëm nga e pista dhe e padukshmja e cekët.
Ai beson,
beson deri në frymën e fundit,
Besoi dhe këtë herë,
Sepse Shpirti dhe Ëndrra janë Një,
Janë Eter!
Shpirti dhe ëndrra janë një për autoren Eva Kacanja. Janë fluiditet i atij vështrimi që shpalos krahët e vizioneve për të prekur të nesërmen e asaj imagjinate që zë fill hapësirës që kërkojmë. Kjo është forca tëheqëse, graviteti i gjithë peshës dhe fuqisë së njeriut, për të udhëtuat besimit dhe ndriçuar dritëhijet e asaj bote që vjen si kristalizim i vetë mjedisit jetësor, herë si telajo ku jeta deshifron ngjyrimin kohë, por herë dhe si vjeshtë që mbledh erërat e Veriut dhe valëzon me përhumbjen e kolorit në eter.
Agron Shele