Shqipe Bytyqi (Kosovë – Zvicër) – Poetë të takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

 
Shqipe Bytyqi (Kosovë – Zvicër)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Shqipe Bytyqi u lind në Gjakovë ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Në Prishtinë magjistroi në Fakultetin Teknik, drejtimi Arkitekturë. Me shkrime, gazetari radiofonike dhe art skenik u mor që nga rinia e hershme. Në lëvizjet studentore dhe politike të fundviteve të ‘80 dhe fillimviteve të ’90 u kyq krejt natyrshëm. Aktiviteti i saj ra në sy të pushtetit serbo jugosllav dhe rezultoi me një përndjekje të ashpër. E detyruar nga këto rrethana, ajo në vitin 1991 migroi në Zvicër, ku edhe vazhdon të jetojë. Ka punuar si përkthyese, arkitekte, profesoreshë, këshilltare dhe ndërmarrëse.
Është angazhuar dhe ushtron funksione drejtuese në shoqatat profesionale dhe kulturore shqiptaro – zvicerane si dhe është zë i bashkëjetesës mes kulturave dhe i integrimit të emigrantëve. Shqipe Bytyqi është e përfshirë në antologji të ndryshme si dhe është bartëse e çmimeve të shumta letrare.
Ka të botuar: Dromca kohe dhe jete, poezi; Brishtësi që s‘jipet, poezi; Urë me vargje, poezi (bilingual);Përflakje, poezi.
 
 
KËTIJ FILLIMSHEKULLI SËRISH NUSËROHEM
 
Si ikën koha
e unë qenkam tkurrur shumë
martesave e krushqive të kushtëzuara
divorceve të përgjakshme
ndjenjës bonjakes t’përhershme
braktisjes së vetes nën lëkurë
gjersa sërish m’duhet t’paguaj
për gënjeshtrat e bukura
për mblesërinë që po m’bëhet
99 vjet martese, thonë
jo më shumë
që kurmi im gjakërat të pajtojë
zemërimin e Zeusit të zbusë
paja ime mblesëtarët tinzak të paqtojë
Edhe atëherë
kur do luhet akti i fundit
si tragjedi në skenën reale
si pjellë e mendjeve të përdala
si kusuritje globale
ti s’do ta besosh
as kur vajtojcat gërrithin fytyrat
as kur varrmihësit lopatat shtrëngojnë
ti s’do ta besosh
që unë sërish tkurrem
që unë këtij fillimshekulli
sërish kushtëzimeve
nusërohem!
 
 
A BIJM‘ SONTE
 
A bijm‘ sonte, motër
poshtë kambëve të ahut
asht mbramje e mirë sonte
bashkë me diellin me ra
 
E di, lisi ka nji andërr
ma tha n’vesh mbramë
kur m’puthi prajshëm n’ballë
e frikēn ma mposhti
frikën e mortit
frikën e sopatave t’zeza
e të gurëve t’mexhes që territ rrotullohen
 
A bijm‘
bashkë me diellin, motër
E ftohtë vje nata
n‘déj s’ka jetë ma
jam lodhë ngricave natën
droj piki midis terri
tue prit diellin me le
pa pá dritën
si përdridhet mishit terrtë
pa pá njat shpresën e rrebelueme
që dimnon gjoksit ahut
e n’sy pranvere, din krye me que
bijm‘ sonte, motër…
 
 
VETËIMAZH
 
Matanë vijes së kuqe të unit
atij kufiri moral
mbjellur që n’zhagitjen e parë
që n’thithjen e parë
mësohet lufta
me tē gjitha armët
edhe ato të kontrabanduara
Syri don t’përbijë detin
përbirohet fjalë e fundit
shpërthen krejt e para
Id i errët mbrēnda teje bëmehet
rritet n’pasqyrat e deformuara vetanake
ngulfatë superegon
ngritet vetëimazh që s‘njeh veten
që ndjek caçet e sëmuara
Bie terri, bëhet natë
arrestime në kalimin e vetvetes
në kalimkufirin e superegos
terr që zbret e ngjitet rrugicave të egos
imazheve të vetëdëshiruara
te vetëkrijuara
që synojnë kënaqjen e instinktit
që ngatërrojnë epokat
mundësitë, t‘mirën, t‘keqen
Dhe po u kalua kufiri
vazhdon të bëmehet egoja
kaos, tufë ngacmimesh joshëse
dikur kundërmon kufomë e vrarë e superegos
triumfon parim i paparim i kënaqësisë t’pakushte
Nuk është fiksion
Mbrenda teje ndodhë çdo ditë
 
 

Antologji e takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021  

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s