Adriatike Lami (Tiranë, Albania) – Poetë të takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

 
Adriatike Lami (Tiranë, Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Adriatike Lami lindi në vitin 1972. Ka mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, dega; Gjuhë dhe letërsi shqipe. Investimet e saj ndahen midis arsimit dhe shkrimtarisë. Përvoja në arsim ndahet midis mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe atë universitar, në të gjitha nivelet, specialistes së letërsisë; (inspektim dhe trajnim), Drejtim shkolle dhe vlerësueses së testeve kombëtare. Prej disa vitesh është drejtore e shkollës Jo publike “Woodroo Wilson”. Ka mjaf botime në fushën metodike dhe vitet e fundit edhe bashkëautore në tekstet shkollore gjuhë shqipe.
Adriatikja i përket poetëve të viteve 1990. Ka botuar dhe është lauruar me çmime të ndryshme që në vitet 1987-1990. Ka botuar 10
 
Libra me poezi dhe poema
 
Prajmet e udhës sime, Poezi dhe poema, 2003 (Çmimi kombëtar Serembe);  Lulnimi i mureve, Poezi dhe poema, 2005;  Krilla t’kuqe dhe burra t’huaj, Poezi 2007;  E re, Reja jote, Poezi 2008;  Në Shtator bëhet verë, Poezi 2010;  Ne flasim për dy botë të ndryshme, Poezi 2015;  Burri që më do mua, Poezi dhe poemtha, 2017  (Përzgjedhur në 5 librat më të mirë në vitin dhjetor 2018 nga Ministria e Kulturës.);  Ti, Syri im i dëborës, Poezi dhe poemtha, 2018;  Tango në prill, Poezi dhe poemtha 2019.
 
 
KUR TI FLE, UNË SODIS HIJET NË TRUPIN TËND
 
Kur ti fle, unë sodis gjurmë femre në trupin e burrit,
Dëgjoj zhurmat e natës dhe kraket magjepës,
Tek heshtin nga buçima e frymës tënde,
Ngec ajo. Edhe heshtjen ta dua, vrullimë ëndrre,
Eh, më mësove të dua gjumin pranë një burri,
Të kem uri për at’ britmë fryme si burim etje,
Të mos fle në kashtull yjesh të ndezur,
Shpërthim rrufeje vjen pas kësaj kërleshje.
Krekë lëkura jote, unë me gishta luaj muzikë,
Si mbi një vegël të njohur muzikore.
Atëherë zgjohesh, vëren at’ anë shpirti,
Ku unë në kufij të rinj kapërthehem me avuj prilli.
Dhe shtjell gjamë dashnie të sapodorëzueme,
Kësaj nate, mba mend edhe thirrmën time!
Në rrethin e hënës së plotë, buçimat u përplasën,
Dhe lodra e tyre e bëri natën të kuqe,
Po zgjohemi tani shpejt si shtegtarë udhe,
Sillemi në këtë dhomë e shtrat përskuqur tokas;
Lojcake nata dhe i qetë mëngjesi, zemrek resh
Mbajmë në duar, damarët e fryrë të dashurisë sonë,
U kthyen në përrenj gurësh, ku hovi bën bujë rend,
Si nga një vend, prej ku ikim, që të mos mbesim peng.
 
 
LUMI GJARPËRON SI ZEMËR NË VLIM
 
Po ndjek sot në gjarpërim rrjedhën e lumit,
Edhe në cektinë të tij ka vrull deri në tërbim.
Eh, ky është së gjalli vendi i shenjtë i qytetit tim.
Thonë që rrjedh mbi trupin e një gruaje,
Kur secila prej tyre shtrin kurmin, i josh shtratin,
Ndonëse sapo ka shkuar nga një burrë.
Kërcënon lumi, sapo rreket të kalojë anën tjetër,
Rrëshket këmba në gurë të bardhë, të egër.
Myshk ka fundi, si dhuratë dashurie të shkuar,
Diku papritur ndesh vazat, si oaze të praruar.
E çuditshme se si lumi ka formë, aromë dhe shije burri.
Dorë si e tij, trup e bindje të paqtë, sy të kalitur,
Më pas zemër të çarë deri në pabesi,
I frikshëm në derdhje, si fjalë e dalë nga grykë nxitimi,
I qartë në rrjedhë, si shpirt burri, kur shfaq huti.
Kërko i dashur të jesh pjesë nga e tëra e tij.
Nëse tani te buzët e lumit të shkon mendja,
Zbulo se unë sot këmbët dhe trupin preh në ato ujëra.
Kaq ndryshe nga hapësirat e paana të detit,
I cili më ngjan me shije gruaje në amësim,
Shumë më ndryshe nga liqeni me pjalm kripe,
Dhe udhë të gënjeshtërta drite.
I pakrahasueshëm me pellgjet që flenë pa jetë,
Duke ngrënë në një stinë, stinën e vet.
Dhe përrenjtë si fëmijë të prapë,
Që rriten në kërkim të atit.
Ka pak ndryshim në gjërat që kërkojmë;
Në det, përrua, pellg, liqen, lumë.
Pranë lumit s’ka relike, as hapësira,
Se prek horizontin dot me sy;
Nuk i ndalet pranë njeri, vetëm ecin,
Edhe pemët janë të përkulura gati për krisje,
Perëndimi dhe lindja kanë një pikënisje.
Por në shtratin e lumit, duken aq vlagë dashurie.
Ka jetë që rrjedh si në deje njerëzore,
E një grua fiton aq shumë siguri…
Si pranë të dashurit, që fal për herë të parë kufij.
Ndaj erdha sot, buzë lumit të shtrirë të qytetit tim
Të përfytyroj edhe njëherë fytyrën e atij burri.
 
 
BËHU DASHURIA IME E MADHE
 
Ndonjëherë kam vetëm një dëshirë i dashur,
Si gur i plasur, të jem veç gruaja jote,
E bardhë të mbështillem para një zane,
Mam hane dhe blacë e pyllit të syrit tënd.
Mos më gjyko për nxitimin e paanë,
Dua pikërisht sonte të kthehem e lakmuara jote,
Ma vër unazën e jetës aty ku më puth, te velëza,
Humb përmes dritës që lëshon dashuria.
Eh, po sjell ca grurë nga fusha e ëndrrës,
Nuk jam më trime, se u bëre gati të shkosh.
Ja pra, të duhet të ikësh pikërisht tani,
Kur po këndoj muzikën që të pëlqen aq shumë.
Mos u hakërre grua, mua më ke këtu,
Në mes të arenës, në zemër të skenës,
Me shenjëzat e jashtëzakonshme të pranverës.
Nën dritë të plotë nate, nën ujë të ftohtë ujëvare,
Nën lotin që lëshon dashuria, shëëët asaj blace,
Ta ndjej hapin edhe kur shton aq shumë inate,
Je gruaja e zemrës, se ty të sjell lule pendese e shprese,
Por edhe unë kam një dëshirë të bukur, këtij dheu;
Të bëhesh, që nga sonte, dashuria ime e madhe.
 
 

Antologji e takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s