KRIJIMI ËSHTË DRITË E PALIMPSESTIT TË MEMORIES (Fjala në Takimin Ndërkombëtar të Poezisë – Sarandë, tetor 2021) / Nga: Pajtim  Çaushi – Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë  

 
KRIJIMI ËSHTË DRITË E PALIMPSESTIT TË MEMORIES
 
(Fjala në Takimin Ndërkombëtar të Poezisë – Sarandë, tetor 2021)
 
Të nderuar krijues, poetë dhe poete!
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Jonianë, ju shpreh mirë se ardhjen në Sarandën tonë të bukur, në Sarandën e qytetarisë e të Poezisë.
Që në nisje jo më kot për pjesëmarrësit u mënjanuan përcaktorët “vendas” e “të huaj”. Kjo u bë me arsyen e thjeshtë se duken të pavenda dhe jashtë kuptimit të natyrës së veprimtarisë të Triremës Poetike dhe mjedisit miqësor që krijohet mes pjesmarrësve.
Ndaj çiltërsisht ju rishpreh nga zemra rishtas urimin e ne krijuesve saranditë:
– Mirë se erdhët në sofrën tonë poetike vëllezër shqiptarë, grekë, italianë, sllavë!… Mirë se erdhët në Sarandën tonë, në Sarandën tuaj. Jeni të mirëpritur, të nderuar dhe të respektuar se edhe vet tradita jonë e hershme thotë në Kushtetutën madhështore Kanun:
“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Krijimi në përgjithësi, por poezia në veçanti, sipas funksionit estetik dhe shoqëror që ka, i ngjet një anije akullthyese. Anije që prish e shkërmoq dasitë, mëritë, prapësitë e pabesitë mes popujve, që afron njerëzit e qytetërimet, që shkel mbi epshet pseudo atdhetare dhe aventurat e babëzisë shoviniste.
Humanizmi, qytetaria, miqësia, shkëmbimi i trastave të Ezopit na kthejnë në vëllezër të njëmendt sepse bëhemi ndriçues shpirtrash e mendjesh. Kjo ndodh nga që jemi POETË dhe poetët e vërtetë nuk mund të ndahen nga banorët e Parajsës se ata në ndjesitë e lexuesit shkulin gjëmbat dhe mbjellin lulet. Ky është misioni ynë madhor. Kjo është POEZIA që duhet të futet në gjenet e shpirtit njerëzor.
Pikërisht këtë kanë synuar të kultivojnë edhe krijuesit jonianë të Klubit tonë
Andrea Zarballa, Alush Avduli, Merita Paparisto, Vangjel Zafirati, Dashamir Malo e të tjerë që duke përkthyer autorë nga vende të ndryshëm të botës në gjuhën shqipe dhe nga gjuha shqipe në gjuhët e tjera bëjnë që të njihen e të forcohen vlerat estetike në mënyrë të ndërsjelltë. Edhe biseda e ditës së dytë të veprimtarive të Triremës Poetike që do të zhvillhet nesër këtë do të ketë si objekt diskutimi dhe përcjellje përvojash.
Të jetosh e të vdesësh mes bukurive, ky është kulmi i jetës mbi tokë dhe kjo është dëshira e secilit. Poeti e ka këtë fat. Ai jeton dhe mbaron mes perlave që krijon duke shkruar për të bukurën ose duke e pasqyruar bukur të shëmtuarën. Pikërisht, ky ishte edhe fati dhe shtrati i përjetësisë së poetit të mirënjohur shqiptar, bashkëthemeluesit të Klubit të Krijuesve Jonianë, mikut tonë e krijuesit të lindur, të ndriturit e të pavdekshmit AGIM MATO për të cilin nesër do të flitet më gjerësisht.
Poeti është martir i ëndrrave, pra i vetvetes, ai ndërton një ngrehinë fantastike ku nuk banon as vet. Shumë poetë në urën e kohës janë kthyer në simbole të një poezie gjithëpërfshirëse. Kjo ndodh atëherë kur poezia e tyre çliron duke robëruar e robëron duke çliruar. Duke mos qënë i skllavëruar nga asnjë prangosje, krijuesi synon një syshikim të ri të detajit poetik nistor.
Populli në një sentencë të mënçur thotë:
“Edhe ëngjëlli, edhe djalli janë brenda tek i gjalli”.
Dhe nga kjo e vërtetë vetiu lindin kontrastet. Kontrasti i trishtë i poetëve janë epigonët e kthyer në shfarosës të drurëve e pyjeve. Epigonët janë klonime, por s’janë origjinalë, janë pasqyrime të një tjetri, por jo të vetvetes. Epigonët e urrejnë totemin, prandaj në vijëmësi mundohen ta imitojnë. Poeti i vërtetë është i vetmuar, epigoni jo, ata janë të ngjashëm se nuk janë dot të veçantë.
Midis hapësirës dhe kohës poezia koncentrohet tek koha, por veç si jokohë. Poezia zbulon, nuk formulon, shpall, nuk klasifikon. Poezia është pavetore, poeti është vetor, në poezi kërkimi s’ka rëndësi, vetëm gjetja ka rëndësi.
Poezia i vret poetët për t’i bërë të pavdekshëm. Fjala poetike krijon dy strehë të përhershme: kohën, por dhe banesën. Çdo teks është një listë e hapur e zjarreve të brendshëm të gjuhës që jeton si ekzistencë e dytë e materies.
Poezia është parësore ndaj faktit se është mister i formës, martesë e një mjellme fluturuese me një det të pagjumë ëndërrash ylberore, është zemra e zhvendosur lart në kafkën e qënies.
Çdo poezi e vërtetë në vetvete është një horizont pafundësisht i hapur. Në pamje të parë çdo krijim është ashtu si paraqitet, por ndërkohë mund të bëhet krejt i ndryshëm me disa mundësi të konceptuari brenda nënshtresave të veta leksikore e kuptimore.
Nga vet emërtimi dhe synimi në fillesë krijimi ka karakter kozmik. Perceptimi individual është kërkimi dhe zbulimi i makrokozmosit në mikrokozmosin e ideve, figurave e telnikave artistike si mundësi.
Toka jonë mban mbi koren e saj edhe plot joshijues e jo kuptues të poezisë në veçanti e të artit në përgjithësi. Kjo ndodh jo për faj të krijuesit apo të produktit të tij, por të shkretëtirës inteleëktuale të audiencës ku mundohet të komunikojë. Tirania e injorancës të kujton paradigmën e fatalitetit të miteve antike mesdhetare kur fati i njeriut ishte i paracaktuar. Në rastin tonë paracaktimi lidhet me verbërinë mendore në formën e shterpësisë shpirtërore dhe estetike të eunukëve mjeranë në haremet lindorë.
Krijimi është dritë e palimpsestit të memories, ndërsa poezia rezaton me shtatë ngjyrat e ylberit. Krijuesit u ngjajnë ëngjëve se i shtojnë mendjes njerëzore dritën dhe pasqyrat. Kush mundohet të shuaj dritën e të mjegullojë pasqyrat, dëshiron vetëm errësirën e injorancës e padijes.
Poetët janë nositët e përjetshëm që në ekstazën e tyre shmdrrohen në martirë se zotërojnë kujtesën parake. Me jetët e dhimbshme në tërthoret e kohës ata vdesin, por shkrimet e magjishëm të skalitur në shkallaret e gjithësisë nuk vdesin kurrë.
Përgjithësisht poetët nuk janë heronj të dhunës, por martirët më fisnikë në kalendarët kohës.
Dhe ashtu kanë qënë që nga Gilgameshi e Homeri…
Të tillë janë edhe sot…
Patjetër kështu do të jenë edhe nesër…
Faleminderit të nderuar Krijues!…
 
Pajtim  Çaushi
Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s