Mimoza Rexhvelaj (Shkodër, Albania) – Poetë të takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

 
Mimoza Rexhvelaj (Shkodër, Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Ka lindur në Fier më 21.01.1981 dhe është rritur në Malësinë e Madhe, ku jeton dhe punon. Ka studiuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, për Gjuhë-Letërsi. Ka marrë gradën “Master” në “Etnokulturë”. Vazhdon studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë Tiranë. Është autore e katër librave me poezi dhe i një studimi letrar:
“Dashuri ti je mëkati im” 2002, “Fshima lotin” 2004, “Jepi fjalës kohë”, 2006, “Vështrim mbi poezinë e Diasporës”. 2012, “Vrap i çmendur” 2017, “ I da si ljubav!” “Dhe dashuri qofsh!” Ështeë vlerësuar me çmimet “Penda e Artë e Migjenit”, “Ibrahim Rugova” në
Istog, “Mirënjohje” në “Takimi i Poeteshave” , “Mirënjohje” në “Takimet Letrare” në Ulqin; ka marrë titullin “Poete e talentuar” nga revista “Fjala”, “Poete e psikologjisë dhe performamcës poetike” Pegas Albania, “Mirënjohje” tek “Ora e Maleve” në Rozhaj, si dhe “Mirënjohje” nga revista “Laburemos”. Së fundi e vlersuar “Shkrimtarja më e mirë e veriut” nga Agjensia Buna 1 “Best 10 North” e të tjera.
 
 
MOS NGURRO TË LUTEM!
 
Më thuaj miku im
Pse e kap për leckash ëndrrën,
Si guxon kur titrat e saj
Janë kode që ti nuk i kupton?
 
Pas ëndrrës së zhdjergun
E pas hamendjesh të zhegituna
Pse kacaviresh pas viaskave të fatit
Për të vozitur pak më vonë
Në rudinat e hapësirave të asgjësë
Të shtruara si qilima nga askushët?
 
Më thuaj, miku im, të lutem shumë
A mundesh me e ndez ashklën
E fundit e të bërë shkarpë
Nga bliri plak që tendoset e tkurret
Prej t’hollimit të halleve të përditshme
Me ethet e rritjes së filizave të njomë.
 
E me majën e buzëve të spërkatura
Me lëng qershie në djerrinën e lagët
Në stomin ku thinjat thinjen sak!
 
Më thuaj, të lutem miku im
A është lindja e diellit mbi Korab
Njera nga magjitë ku njerëzit besojnë
Më shumë se vozitja me varkë në Had?
 
A i varin diku mbi asgjë ëndrrat
E vargojtë e gjakut i lëkundin?
 
Më thuaj, mos hesht e mos ik
Pa më thënë se koha po na çmend,
Duke na i lodhur ruazat e kurrizit
Për të na bërë më të fortë se hiçi!
 
Teshtima të molisura numëroj
Në sarkofagun e duhmave të lagështa,
Të varreve të harruara në periferi
Ku urtanët e poetët pa hise nuk janë!
 
Tekembramja mos shko larg
Pa më thënë se një hije mortale,
Të nguc me i ba bashkë zemrat
E kjoftëlargut me ja dhanë për meze!
 
Pritjen shekullore mos ma trishto
Ma palos e ma lërë në fund të kopshtit,
Se vjen fëmijëria ime turravrap aty
Për të dëgjuar se ç’ka deshte me më thanë!
 
 
VAJTOJE SERENATËN, KITARË 
 
I premtove shpirtit një serenatë,
Me kitarën e vjetër të harresës,
Kumbon vaji, zërave të natës
Puhizë mbetur, shtegtare e largët.
Trupi i kitarës së pa prekur
i varur në gozhdë, murin ledhaton
Martir i dashurisë së fjetur
Tingull i vrarë, këngëzën më zgjon.
 
Murg në manastirin e kujtimeve
struket bosh, shpresa melodioze
Shuhet mes qirinjve të kishës
Për dikë, luten sorrat zëçjerrë….
 
Shpirti i zgjat dorën premtimit
Serenatën vajtoma, zemër e kitarës.
Mes gurve të varrit, simfonia
gulçon heshtjen e zhurmëshme
Tingujt shuhen…
Nën dritën e hënës…
Këndoma serenatën
kitarë!
Paqshëm të tretem
mes tingujve të latuar…
 
 
TË RIN NË DASHURI 
 
Lindëm e rilindëm
mes filizash njomshtakë
pimë qumësht dallëndysheje.
Flakëm si letra të pashkruara
dashuri në sokak.
 
Po çerdhen tonë
e ngritëm me sakrifica…
dashuria jonë shtegtare
zuri vend në hapësirë.
 
Dhe stina e re…
trokiti me plasje sythesh
lastarë që çelin plot dritë,
e dy lule çukisin në jetë…
 
Natyra…
mbushet me lakmi
kur dashuria pin freski….
dhe stina e vjetër
zilia e bren
nga shija e fishkur…
 
Gazi ngryset
në skutat e rrudhave.
Por shpirti
kërkon pasion sërisht…
 
Në vjeshtë bien petalet
Në pranverë çelin sythe të rinj.
 
 
ROBËRESHË E PUTHJES SË PARË 
 
Ku shkoi puthja e parë
U fsheh në male
Apo në zall,
U mbyt në lumë
A çeli në fushë
Apo e gëlltiti një drenushë?
Ku shkoi puthja e parë?
Avulloi në det apo u bë vullkan?
E rrëmbyen zogjtë lart në pemë
Me zakonin e panjohur
ngritën folen.
Një ditë të pabesë
Do të të zë në çark,
Do të shkul pemët,
Do të rrëzoj gurët nga mali
Do të bëj hatan.
Erë do të bëhem
E do të bëj zap!
Jam robëreshë e puthjes së parë.
 
 

Antologji e takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s