Poezi nga Leonora N. Lokaj
Rri
Rri!
N’ daç me i trembë
ethet e mallshme për ty,
n’ daç me pa
si më krasiten degët e andrrave
si më merr frymë plasa e shpirtit
kur ti je aty…
Rri!
N’ daç me ndie
si këndohet kanga e ikjes tande,
si m’ vrushkullon zani yt malit t’ shpirtit
e nema jeme n’ gur e n’ dru
copë e grimë si i ban retë e hinta
të qiellit tand t’ shkyem.
Rri!
N’ daç mi kqyrë
vullkanin e mallit
si shpërthen përulshëm
para hanës sy verbueme,
si degdisem,
si harlisem
para dashnisë tande
që m’asht vijëzue shtegut t’ ballit.
Rri!
N’ daç me pa
flamurin e dorëzimit
ngritë mbi gërmadhat e shpirtit,
n’ daç me pa n’ mue,
prrojet si m’ rrjedhin qepallave
dhimtën që s’len me t’ harrue.
Rri!
Kur bie shi vjeshtës
Kur bie shi vjeshtës
pesha e majekodrës bëhet e rëndë
vetmia me zhvishet para syve
me këmishën e vjetër
të pëlhurës veshur
prek me gishta retë e rëna mbi ballë
kur bie shi vjeshtës
lagen kujtimet
ndihen harlisjet e erës
kurmi i fshehur çohet peshë
të m’i vë mëllagë
plagës që më fle nën thonj
kur bie shi vjeshtës
vetminë e dashuroj ashtu lakuriq
pa emër e mbiemër
ëndrrat e habuara i mbaj fshehur në gji
çdo trung e lis e pagëzoj me një emër
që t’mos i humb gjurmët për tu kthyer tek ti.
***
Qiell i thyem n’ copa
me âsht derdh mbi sy
feneri i kohës ndjek udhën e lumit
merr me vete skllavninë teme
e rrudhat e idhta të buzëve pelim
i shpërndanë…
Ky âsht rrëfimi i një nate
që kalon skllavninë e vet
shpirti i marr pezm
me kunora andrrash
troshitun mbi krye
prapë merr forcë e bërtet
“kam me t ‘dashtë edhe ma shumë
o rrëfimi jem, zhytun në yjet e laguna…”
Pa titull
Kur jeta e dalun boje
kacavarët deg’ve tërbueme t’fatit
andrrat të fshehen n’sy
e kumont’ e fjetuna të heshtjes
zgjohen
kur zemra thyhet
urtësia e drunjtë sillet rreth fytit
fjalët lidhen nyje nji nga nji
shpirti qi t’lahet
në shiun e parë të dekës lyp
se kjo àsht rruga ma e shkurt
me lan emnin tand t’shkrume n’hi…
nji zemer e thyme ditka me rrahë
edhe nëse kânga e pagjum’sisë e mbyt’
se ma lehtë àsht me mbet martir i fjalës
e mu kthye në nji grusht hi
se sa me t’shku jeta
rrugëve që pjellin përditë
tuj lyp veç nji trohë dashuni.
S’kam fjale vjen aq mrekullieshem ne vargje edhe pse trishte,respekte e mos te mbarofte pena.
Nje poete e veçantë për skam dilema. Vargjet tua plot emocion dhe mesazhe qe pasqyrojn nje pen te arte ne poezin shqipe. Fjalet nuk mund te pershkruajn merekullin tuaj mike poete Nora. Suksese…