Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
ÇASTE TË TRISHTA
 
Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Se mbase diku tjetër, do gjesh qetësi.
Nuk isha ndryshe nga të tjerët, apo jo
Në këtë botë, të mbushur gjithë mërzi.
 
Megjithatë ik, duke më marr dhe inat.
Dhe në ndjehesh mirë, më mos u kthe.
Harromë fytyrën, si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë mbështjell me re.
 
Më pas e vetme, kryeneçe le të rrish,
Pa shtrirë dorën në gjendesh ngushtë.
Unë, atje ku më le, në botën e trishtë,
Do kuptoj në çast që ke rënë në kurth.
 
E do të vij pranë, me pamje ndryshe,
Që mos të më njohësh, si burrë i huaj.
Nëse thash ik nga botë e mërzitshme,
S’doja ta prishja nga malli, jo se luaj.
 
Dhe kur nga dimri të dridhesh në acar,
Do të vij, ngrohtësi në vatër të të ndez.
Po ndërsa ti do ofrosh, duart në zjarr,
Do shohësh pranë vetes, një eskimez.
 
A kur nga zhegu, të zhuritet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do sjell s’largu.
E do të qeshësh, duke i njomur sytë,
Se do shfaqet para, një fytyrë zezaku.
 
Nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë gjithçka bëri të mërzitshme,
Thua mundi ta mërzitë edhe mallin!?
 
Po kur buzët të të tundohen për puthje,
Kë do të kërkosh në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Me fytyrë tjetër, s’të shfaqem ta dish!
 
 
NË KËTË QYTET
 
Mbi krye një re, derdhë pika të trishta,
Anash mure betoni e fjalësh ngritur.
Ne zvarritemi si kulpër në rrugica,
Me përtypje germash e kafe të hidhur.
 
Dhe nuk e kuptojmë si endemi kuturu
A si na mbyllen gjithë shtigjet ca nga ca.
Dreqi ta hajë, kaq herët të presim kështu,
Të vijnë e të na nxjerrin pastaj në krah…!
 
 
TI JE KAQ E MIRË
 
Ti je kaq e mirë, sa ndihem me faj,
Madje nuk dua të më lexosh tani.
Çmendurisht më vjen të qesh, a qaj,
Druhem se s’të fala, shumë dashuri.
 
Druhem se tjetër gjë jep e tjetër merr,
Kur pafund dhuron gjithçka, në heshtje.
Druhem se ndërsa, ndriçon për të tjerë,
Ti ndoshta harron të bësh dritë për vete.
 
 
NJË PAKT QË S’U BË ME MIKUN TIM
 
Janë shuar pas reve, yjet e flaktë,
Në sytë e trishtuar, terri bën roje.
Unë i brengosur që s’bëra me ty pakt,
Për rregulla lufte, a rregulla loje.
 
Të të thosha, të ishe ca më і egër,
Dhe kur të godisje, të dija nga ta prisja.
Të merrja masa, të mbrohesha patjetër,
A të mësoja si përballohet dhimbja.
 
Kur të bërtisje, të ishe më і prerë,
Të kuptoja, shaje a më bëje dredhi.
E të kafshoja buzët të mos bëja sherr,
A të xhindosesha, e të shaja si ti.
 
Të më prisje ballë për ballë në pritë,
Që ta shikoja në sy mikun e vjetër.
Ta dinim se nuk na vranë pabesitë,
Por dhembshuria, kthyer në diçka tjetër.
 
…Janë shuar pas reve, yjet e flaktë,
Dhe nuk di, jemi gjallë a vdiqëm të dy.
Po edhe i vdekur nuk të lë pa një pakt,
E dua një lot mbi varr, një lot nga ty!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s