Cikël poetik nga Agron Shele

 
Cikël poetik nga Agron Shele
 
 
Gjethe e rrëzuar
 
Çdo gjë është një hap më shumë për të ndryshuar ngjyrat
dhe parë vjeshtën në sy
si humbet ngjyrat,
si fluturon me erën përhumbjes
shenjës së vetme
të një gjetheje rrëzuar në tokë
pranë një puple të braktisur nga zogu shtegtar në ikje
shkelur nga përditësia e kalimtarëve
dhe shiut të nisur
që nuk qëmton më lotin e reve të mbledhura
por vetminë e trungjeve në zhveshje
gjer në akullsinë e dimrit që kall sytë e terur në dhimbje.
 
 
Alturist
 
Pesë aktorët e trupit dhe shtatë shqisat janë në lëvizje
kureshtjes së parrëfyeshme
komedisë së përditshme
luajtur në teatro ku fiken dritat dhe ndizet një miniskenë
jo ajo e Molierit
ku *tartufët ishin dordolecë të humorit ironi
as e Shekspirtit shkuar gjer në tragjedi,
por e amfitetrit të hapur
ku kurora e legjendës kthehej në *akreon
i zërave të përshpirtshëm
të një bote ku heronjtë vdesin
dhe jehona e tyre ngrihej gjer në re.
 
Zemra çohet peshë dhe këlthet
ndërsa sfondi ka për muzë një përshfaqje të shkuar
këndon për lëvizjen përbotësi
ndjek regëtimën time si një shpes.
 
Sytë hapen vetëm një moment
shikojnë si sekonda rrëshqet neuroneve
dhe për sa kohë çasti vdes brenda një shpirti
më shumë e ndiej veten si një alturist.
 
 
Harresa e shpesëve të erës
 
E njëjta pamje do rishfaqet sërish
e sërish gjethet do zverdhen
në natyrë dhe shpirt
me stinën që zogjtë janë gati të braktisin
ëndrrave të shkuara
fluturuar aq larg,
trazimeve të humbura nostalgjisë – kohë,
liqenit të mjellmave dhe gjurmë – flatrave rrahur gjer në shpirt.
 
S’di pse vështrimi ndryshoi ngjyrat sot
u bë i verdhë si telajo e Van Gogut,
me të njëjtën dhimbje,
të njëjtin shpërfytyrim,
shall të grisur,
shi që depërton gjer në kockë,
shi që gris xhamat akrelinë
dhe çapa të shpejtuar pa destinacion
në metronë e qytetit,
kërthizës së dyndjes urbane,
frymëmarrjes në portën më të parë
që çel një dritë
e hap një botë tjetër,
më shumë parqe që radhitin stolat e boshatisur
aq gjatë
sa për të pritur dikë që do ndiejë aromën e blirit
e do shfaqet si formë trajtave të mendimit.
 
Është vjeshtë
stina e rrëzimeve të mëdha,
paskohë e shkuar e gjitha në memorie
me trungje të vetmuar
zhveshje gjer në asht
dhe shpesë të erës që tashmë janë larguar.
 
 
Profound
 
E di që momentet janë çast i mbetur
janë si ai prag që kapërcen ylberin
tek shikon ngjyrën e kohës
për çdo shkëlqim një shkreptimë
një zjarr i ndezur
dhe një dhimbje e fshehur në gji,
por ky s’është maraz i psherëtimave që shkojnë
është dritë përmbi çdo sy.
 
Mund të shikosh përtej asaj kornize
mund të rishfaqesh edhe në gri
në bulëzat e shformësuara të shiut, gjithsesi,
por bota e falur është më e madhe se jeta
dhe loti i pikur më shumë se një rubin.
 
Dëgjoj kërcitjen e hapave
thembrën e Helenës
dhe shekujt pa fund të Bukovskit duke të ndjekur ty,
por ja,
ajo farfurimë që tund tunikën e pritjes
është një mbretëreshë
valë e harruar
që prehet
e prehet, në të vetmin breg, angështim.
 
… E fundit telajo që frymën kthen në shpirt
e engjëjt rendin vegimeve në një trill
janë magjia e botës profound
dhe vështrim i një jete që zgjatet nëpër kumt…!
 
 
Robërimi i një endjeje…!
 
Çfarë mund të jetë më shumë se një shpirt
veç një ngjyre që rrëmben sytë e qiellit
dhe e kthen në blu
për ta tretur dhimbjes së vet
në endje që u shemb dhe u ngrit gjer në re
e pastaj
me fuqinë e shpresës besoi
se kjo botë vjen për të nesërmen
dhe ajo
thjesht një koncept
i asaj që ka ndodhur dikur.
 
S’është zë i përbrendshëm
as kod që hap kutinë e Pandorës
as flakadan që shuhet në një çast të vetëm
por legjendë
e asaj që kemi
si morformë e vizionit të zambakut në liqen,
që lindi nga e bukura Ofeli dhe u tret përjetë Beatriçes çmenduri.
 
Sa mund të rrëfehet
bota e thjeshtë njerëzore
kaluar përmes kasolles së ngritur nga radhonjtë e tokës,
apo mermeret e pallateve mbretërore
që endeshin frikës së kurorës
intrigave të etjes
dhe viktimave të princave që kurrë nuk rendën.
 
Të gjithë flenë një ditë
poshtë çatisë së yjeve të fikur
dhe vetëm jehona mbërrin, si kujtim
i asaj që kurrë s’e njohu magjinë e fustanit të humbur nëpër erë
dhe imagjinatës që e kthen përjetë tek Unë!
 
 
Ujra, dritë dhe gurë
 
Në muzgun e errët të jetës
kur pret që pas mjegullave të shfaqet një përndritje
sado e zbehtë
mjafton të shquajë trajtat e formës së egzistencës
e të fëshfërijë në vesh
se era e ardhur pëtej pyjeve ka muzikën e padëgjuar
të asaj që do dëshiroje ta dëgjoje
flladit të paqes së harruar
por dhe të tronditjes së stuhive në shpirt
përmes dritareve gjysëm të hapura
me sy nga përtej hapësira
perdeve të poezisë
ku mendimet thërmija
kthehen hera herës në pëlhurë velash për tjetër lundrim,
tek prekin me vizione
të padukshmen e asaj që kërkon të shkruash
e kështu
endur dualizmit dhe morfozës dhimbje
rrëfen endërrimin e asaj përshfaqje
që do dëshironim ta kishim
por kurrë nuk e arrijmë.
 
Në fshehtësitë e mia
të pesë endësit e drithmës të ngejnë në këmbë
dhe shtatë shqisat për të vëshruar botën bipolare,
enden si shtjellë e zhurmës që lëvrin metropolove,
rendje në metro për të kapur desticanionin e fundit
ku mes krisjes së atij udhëtimi në hartën e nëntokës
gjen shenjën e zbritjes
dhe kap të tjera shkallë
pët të arritur konfuzionin e gjysëm dritës.
 
Sjellje e padenjë
për shkujdesjen që harroi beretën dhe një dorë nuk u zgjat
por e la të harrohej me flokë të lagur
me sy që lanë bordurën e qerpikëve të piktuaruar
stërzgjatjes në pasqyrë me orë të tëra
sakrificës për të shfaqur bukurinë e munguar
dhe së fundmi një përhumbje nëpër shi.
 
Vezullim i bardhë mbi muzgun e ardhur
yje të kryqëzuar në shenja të njohura
dhe heshtje e thellë,
kthyer në fli të asaj që shkon pasazheve
formave njëzore në zogj të arratisur;
ujra, dritë dhe gurë.
 
 
Loti nën mermer
 
Për muaj të tërë punoi vetëm për qerpikun gdhendësi
i sklupturave që bota habitet sot,
ndoshta nuk mjaftoi të prekte lotin
dhe të tjerë e të tjerë veprën e nisur mbarojnë
që të rrëfejnë dhimbjen e një shpirti veshur me vjeshtën sot.
 
Krahët engjëllorë prekin skajet
e një palosje që s’ dihet kurrë nëse e braktisi kështjellën e vet
dhe shëtiti oazeve
të kopshteve të ndërtuar enkas për të
pa atë,
në shembje yjesh të mbrëmjes bashkë me *Hënën
ngritur në afresk i kthjellimeve liqene,
zambakëve të bardhë
si memorie e egzistencës në ato mure
dhe kujtim i atyre që dëgjuan emrin,
e ndonjë përshkrimi më tepër
për ngjyrën e flokëve dhe të syve që preknin të ëmblat vështrime.
 
Parku është plot
ti i rrethon me krahët e tu të padukshëm
në simbol ngjyrash
përpjekje për të puthur dorën
përulur si bekim
i atij vezullimi që mbeti mbi re
dhe sot kalimtarë që s’ të kuptuan kurrë
magjepsen dhe shkrepin mijëra foto,
si shenjë e pëllumbit krahëhapur ulur në supe
dhe një *Angel që botën e sundon!
 
 
Israel
 
Ai qëndron atje
mes orientit ku lind dielli dhe perëndojnë muzgjet
midis dy botëve
dy kontineteve
tokës dhe ujit
gurëve që i shembnin dhe ngrinin kryqëztat
në kulme qiellore
aq sa bota shembej në gjak e ngrihej mbi dhimbje
me sytë e përvuajtur të besimeve
tek gëzonin triumfin e çastit
në një fitore që kullonte gjakun e shpatës
dhe një humbje që ngrinte në karvane dhimbje.
 
Ai qëndron atje
si blasfemi e nje bote që ndryshon
mes ushëkryqit që ndoqi arratisjen e Moisiut
dhe fshehjes së fatit gjer në dhe,
si përkorje e rilindjes së shpirtit
dhe mijëra kambana nëpër botë
tek rrëfehet alatri i fundit
i më të madhes ëndërr dhe shpresë
si rilindje e dishepujve të tokës
dhe rrëfim i botës përmbi ne.
 
Ai qëndron atje
dhe për yllin e Davidit që lind çdo mëngjes
por dhe për kopshtin e braktisur të Edenit
se toka rrotullohet pafajësisë
e vdes shpërgejve të diellit.
 
 
Druid
 
Druid,
sekret i mërmërimës me lisin që farfurin degët,
lartësive ku shqotat përplasin mërinë
por dhe falltarit të përulur në gjunjë
para teje
dhe pemës ku shuhet përndritja astrologjike
që mat largësinë e kohës,
ditës në levizjen e hijes akrep
dhe natës në shëmbëlltyrë besimi,
aromës së lules dhe flisë me brirë të thyer
që u fal shpirtërisht për begatinë e të korrave
dhe fatin e mbrujtur të ecjes së gjenezës,
si besim
i asaj që do vijë e do sjellë mbroth,
të nesërmes në kërkim simbolesh
që vetëm hëna e zbehtë mund ta shquajë
poshtë myshqeve
dhe asaj dritareje të gdhendur për të shpalosur pëndritjen e thimjamit të djegur,
si shkëndijë ylli
ill- dritë
ylli i mëngjesit
në trekëndëshin kala
…. zgjatim i këndit të drejtë, tuma të mbulura për shpirtrat e heshtur.
 
Pemë e dijes hyjnore,
kurorë mbi krye në shenjë triumfi
hapëruar erës për të pritur rrufetë
por dhe harlisur gjakut për të trazuar rrembat,
me përuljen e Dodonasit
dhe sytë e shpresës 
si mburojë e faqes së shekujve
dhe rrugëtimit që fsheh gjurmët
e prapë sjellin te ty
dru pa fjalë,
shërbestar i harruar.
 
 
S’ di si qëndron atje,
je hije apo beduin i heshtur e nuk flet?!
… Dhe ne vijmë rrotullës së botës
me të vetmen falje që na bën pëherë memec.
 
*Druid
shërbestar i yllit, që në tokën tonë lind…!
 
 
Ithtar
 
Nëse egziston ai sharm i vetëm
që natën e zhvesh dhe sjell si vegim
në sytë e një hëne që ndryshon formë
shfaqur beftas botë, si dergjie psherëtimë
e herë si i fundit hi që bluhet zjarrit të mbetur
ku thëngjijtë i fsheh për të ndezur tjetër ngrohtësi,
jo nga ai lloj zjarri që djeg drutë për ti dhënë fund dimrit
por tjetër flakadan që njeriu e ruan si perëndi
e fshehtas shëmbëlltyra do shfaqet patjetër
si formë dhe dritë e djegur në qiri
e bashkë me natën do shuhet ngadalë
si i vetmi kujtim, eterit pafundësi.
 
Trazoje prushnajën herët në agim
urnajën e mbetur përsëri shiko,
zjarri është brenda tij dhe s’ mund të shuhet
skeleturat e fundit formojnë prapë formën njeri,
fytyrë që vështron
sy që depërton
shpresë e mbjellur
kafkë që trurin e rauan si i thelli mendim
shpirt i kthyer në përndritje fluturim
dhe një çast i vetëm që të kujton se egzistove dhe mbijetove në më të ftohtin thëllim,
jo për të përtëritur gjenezën e sjellur,
por si dishepull i paskohës
që të deshifrojë mërmërimën
në gjuhën e pakuptuar
dhe shprehur rëndom: epokë e harruar e një njeriu.
 
Këtij rebusi mund të endemi pa fund
bashkë me ulkonjën e uritur në stuhi
bashkë me hungërimën e përbrendshme që ka shumë më tepër egërsi
dhe në errëtinë e kohës
ndiz të vetmin pishtar
të fundit zjarr
që të ndrijë së fundmi përshpirtjen e shpirtit
dhe *Ti ktheu në ithtar.
 
 
Gjurmë nëpër re
 
Jeta ngrihet për së pari dhe shkon poshtë vorbullës së vet
fillimisht me zbardhjen e honeve në agimin e parë,
pastaj thinj kreshtat bashkë me flokët
tek përshkon hapësirën e avionëve që udhëtojnë e harrohen nëpër qiej,
ndërsa toka jetë e përkohshme
si strehë e çastit humbet bashkë me mjegullat
shkrihet në bulëzime
dhe prapë dertet përfundojnë rrënjëzimit të pemës
që dikur mblidhte zogjtë më të bukur për të ndërtuar fole
cicërimat në lindje e fashitje
gllabëruar në copëza të rendjes së pakuptimtë
përherë gjerbëruar syrit të shpresës
dhe përherë gjurmë e mbetur nëpër re.
 
 
Fatalitet
 
Toka e egër egziston
për çdo frymë, që ushqehet me gjakun e udhëtimit
pyjeve të fshehtë të natës
që nuk fëshfërijnë
por mërmërijnë jehonën e frikshme
të gjahtarit në pritje mbijetese
me sy fantazmë
dhe etjes për të shtrirë prenë e vetme
tek avitet grahmës së fundit
përshpirtjes së mbetur në mes
pa dritën e Hënës ,
pa shenjtin e kryqëzimit mbi krye.
 
 
Fire
 
Flaka është ngritur përmbi qiej
e njerëzit ruhen nga vetë njerëzit,
tymi prek të kaltrën e syve
e loti derdhet thellë qerpikëve.
 
Nuk është shkrepëtimë e ardhur nga Zeusi
por zjarr i ndezur, në zemra të vobekta
teksa nxitojnë të ndeshen me demonin,
e dhimbjes i shtojnë dertin e mbledhur.
 
Plang e dhimbje, përvëluar në shpirt
shtrojën e lënur nga etrit e lashtë
jetë, që kurrë s’ mund të sjellë fat
ëndrra që digjen e humbasin nëpër flakë!
 
*për të gjithë ata që janë djegur, por dhe kanë humbur shtëpitë nga masivet e zjarrit në Ballkan!
 
 
Shekulli XXI 
 
Përditë maskat dublohen
dhe ankthi shkon 10 – fish
për atë që fati paracakton
dhe merr dhimbjen 2 – fish.
 
Por ja që moda e dëshiron
një model të shekullit farmaci
ngjyrë që ndryshon sfilatën
marketingut që llogarit çdo çmim.
 
Duart kryqëzoi *Magdalena
për ata që morforma i shpëfytyroi
një dridhje sekondare e jetës
dhe mallkim që frikën e sundon.
 
Njerëz që presin në radhë
të marrin elektronin e zi
dhe mes frymës së fundit të tyre
luten kryqëzimit në hi.
 
Çuditem me ankthin e tyre
por rregullat zbatohen njësoj
poshtë maskës ëndërrohet jeta
se do ketë më shumë vazhdimësi.
 
Mua më vjen të qaj
për lakuriqët e lakuriqëve në Vuham,
por dhe më vjen të ulëras
për shërimin e shpirtit online.
 
Tashmë bohemët i thirrët
dhe bëmat e tyre gjithësesi
nga milli e nxorrën shpatën
dhe kurrë s’ ka virus të ri.
 
Delata, omega, e beta
emëtime astronautësh vendosët
të gjitha në funksion të frikës
dhe të gjitha në kosh të mbeturinave.
 
Nëse do jetë e thënë
dhe ka pak shpirt asketik
*Zoti do ngrihet prapë
e njerëzit do çmenden lirisë.
 
*Freedom!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s