Poezi nga Behare Daja Kasa

 
Poezi nga Behare Daja Kasa
 
 
fjala ime
 
e dua të lirë fjalën time
e dua pa pika
pa presje
pa thonjëza
e dua pa kufizime
 
e dua fluturake fjalën time
e dua si zog
si flutur krahëlehtë
e dua të bukur në shtat
e të mprehtë si shigjetë
 
e dua si unë fjalën time
e dua që dhe heshtur
të flasë me gjuhë metafore
e dua të çiltër të dlirë
të ëmbël si mjalti ndër hoje
 
e dua çmendurake fjalën time
rebele
e dua t’i thyejë rregullat gjuhësore
 
 
Më prit si një kujtim hyjnor
 
Një ditë do kthehem në qenien tënde,
Por të premtoj që s’të vij si trishtim.
Do vij si vesim i një shiu të derdhur
E ty do të të njom gjer në shpirt.
 
Do vij si një shi me ngjyrë të verdhë,
Që mallin ta bën të bukur, vjeshtor,
Mos prit të vij trishtimkapluar,
Do vij ashtu si piklat e shiut mbi flokë.
 
Kur dorën të zgjatësh e flokun të shkundësh,
Ndër gishtat e nxehtë do të freskoj.
Mbi buzët e mallit një puthje do të lë
E rrëmujat e shpirtit më shumë do t’i shtoj.
 
…më prit si një kujtim të bukur hyjnor…
 
 
Endje dyerve të mortit
 
Mos më lër të endem dyerve të mortit tim,
Në ato dyer që s’kanë nevojë për çelës.
Në ato dyer ku vetëm me një klik, Veten e ndien me imazh të çjerrë.
 
Në ato dyer ku rojtarë nuk ka,
Veç ca çelësa kopilë varen mureve.
Në ato dyer ku edhe mortja vetë të mëshiron,
Me sy ia bën vetes e thotë:-Lëre ca të gjorën!
 
Mos më lër të endem dyerve të mortit tim,
Mbillmë ca lule në pragun e kësaj dere.
Me lulet të merrem e erë t’i marr ca kohë,
E të harroj endjen dyerve pa çelës.
 
…mos më lër të endem dyerve të mortit tim
e me të zeza të vishem ende pa u dergjur…
 
 
Vij kaq bukur tek ti
 
Unë vij kaq bukur tek ti,
Vij si sirenë, vij si grua,
Trillet e tua një nga një i shpërbëj,
Në fund të ditës të zhvesh gjer në thua.
 
Një nga një i shpërbëj trillet e tua,
E i vesh me rrobat që unë dua,
Se të jesh grua, je perëndi,
E perëndia është thjesht grua.
 
Unë vij kaq bukur tek ti,
Vij kaq hijshëm, vij madhërishëm,
Dhe kur më thua:- Ma nxive jetën,
Të buzëqesh e të them:
– E zeza është ngjyr’ kaq e fisme.
 
Unë vij kaq bukur tek ti,
Vij si sirenë, vij si grua,
Në fund të ditës me zë burri më flet:
– Dreqi ta hajë… unë thjesht të dua…
 
…vij kaq bukur tek ti, vij si unë dua…
…trillet e burrit t’i heq, i jap formë gruaje…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s