Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
NXITONI
 
Si erdhi pa kuptuar kjo vjeshtë,
Zverdhur supet nga gëzof i covidit
Unë kam mbjell një këngëshpresë
Dhe e rris me refrenin e një himni.
 
Më duhej akoma edhe një muaj vere,
Sa të mblidhja lutjet që kam mbjellë
Pastaj të vij vjeshta me fustanin prej ere
Le të vij dhe dimri me kollën e thyer.
 
Si iku kaq shpejtë kjo verë, si iku
Trishtuar dhimbshëm fotot në korrniza
Më dridhet shpirti për qirinjt e fikur
Krahët e natës po hanë orë nga dita.
 
Shpejt ka për të ikur edhe kjo vjeshtë,
S’do e shijojmë mushtin e stinës
Na ikin stinëvitet, po na ikën kjo jetë
Nxitoni o njerëz, më pas ka dimër!
 
 
NUK DUA TË TË HUMBAS
 
Nuk të dua për kafaz,
                  por në qiell të shpirtit tim,
Kam frikë të të humbas,
                 zog’ e vogël-cicërimë.
Zëri yt ma shlodhi frymën,
                 dhe më çoi në parajsë,
Syri yt më deh me dritë
                 dhe kur dita bëhet natë.
Floku yt si lot shelgu,
                 bën dhe diellin ziliqar,
Buz’e ëmbël plot mister,
                 e ndez buzën time zjarr.
Fjala jote gjeth i lehtë
                qëndron pezull përmbi erë,
Gazi yt zemëron dimrat,
                 lulëzon vetëm pranverë…
Nuk flas dot për të tjerat,
                 mbuluar me vellon-magji,
M’i tregojnë sytë e zemrës,
                 kur çdo natë i kam në gji
 
 
Ç’TË BËJMË
(noliane)
 
Ku na lamë e ku po vemi,
As në këmbë, as kaluar
S’dimë ku ishim, po ku jemi?
Promete të kryqëzuar.
 
Nëpër dallgët e tërmetit
Eshtrat tona copa-copa
Në kazinot e kurbetit
Gjaku ynë verë në gota.
 
Kush na ndau, na përçau,
Në Europë një Palestinë
Fati ynë si fati i kaut
Si çifutët në shkretëtirë.
 
Deri kur me dorë në shpatë
Do nxjerrim syt’e njeri-tjetrit!
Po na shkojnë vitet në natë
Sepse duan kurorë mbretërit!
 
Qielli, që i di të gjitha punët
I dërgon sinjale tokës:
Zgjohuni të gjithë nga gjumi
Nuk është larg fundi i botës!
 
Por kush ka kohë të dëgjojë,
Humbur shqisat dhe gjymtyrët
Prijësat kanë veç bark e gojë
Njëmijë maska për fytyrën!…
 
Çfarë të bëjmë, nga të shkojmë?!
Lufë dhe zhgrryerje për pushtet
Nëpër mjegull po gulçojmë
Heqim zvarrë një amanet!
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s