Kajetan Kovič
Kalendari poetik: Kajetan Kovič (1931-2014)
U lind më 21 tetor Kajetan Kovič poet, prozator, shkrimtar për fëmijë, përkthyes dhe gazetar slloven. Mori gradën bachelor për letërsinë e krahasuar në vitin 1956 në universitetin e Lubljanës. Fitues i disa çmimeve letrarë, në vitin 1995 u zgjodh antar i Akademisë Slovene të Shkencave dhe Arteve. Ja një poezi me rastn e 90 vjetorit:
UDHËZIME PËR GJUMË
E para, që të flesh
duhet përzënë kjo hënë
nga dritarja.
Vendos si duhet
rrjetën e mickonjave.
Siguro për maçokun
hapësirën ku të bredhë natën.
Bëj të heshtin
qentë qaramanë të komshive.
Zëri veshët
për të gjitha zhurmat
veç asaj të shiut.
Sikterisi mendimet
e ankthshme në vendin
që u përket,
në kohën e shkuar
a të ardhme.
Palosi ndjenjat
nëpër spërdredhjet
e fshehta të zemrës
futi nëpër qese
dhe mbylli me çelës.
Përmbaji dëshirat
dhe shpërfilli fyerjet.
Mos u merr me poezi.
Kap fillin e një historie
dhe sajo një përrallë.
Bëhu nënë për veten tënde.
E dashura jote bëhu.
Me të puthura mbuloje
zemrën e pakënaqur.
Mbuloji mirë
gjymtyrët e mardhur.
Hyrë
në ndonjë qelë manastiri
në terr dhe heshtje.
Sa më larg shko
deri në fund të botës.
Në kufirin mes ëndrrave dhe zhgjëndrrave.
Në mundsh
edhe më përtej.
© shqipëroi Maksim Rakipaj