Natasha Xhelili (Delvinë, Albania) – Poetë të takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

 
Natasha Xhelili (Delvinë, Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2021 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2021
 
Shkollimin e lartë e kreu në Universitetin “Eqerem Cabej” në Gjirokastër në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. E shkroi poezinë e saj të parë në moshën 10 vjeçare, por ciklin e parë me poezi e botoi në 2000. Shkruan proza, poezi dhe shpreh mendimin e saj kritik mbi fenomenet letrare dhe drejtimet e kohës në shtypin letrar periodik, si dhe në media të ndryshme në internet. Bashkëpunon në botimin e revistës për fëmijë “Ylberi plus” në Maqedoni. Ajo është pjesëmarrëse në disa antologji poetike të poezisë. Ka botuar poezi në anglisht, italisht dhe maqedonisht.
Fitoi Çmimin e Parë për tregim të shkurtër në Tetovë – Maqedoni.
2013 boton librin e parë me poezi “Mali sheh një ëndërr”
2014 Vëllimi me tregime: “Perdja e mbrëmjes”.
2016 Vëllimi me poezi: “Lotët e zjarrit”
2019 Vëllimi me tregime për fëmijë “Ninullat e Hënës”
2020 libri me recensione letrare “Gjurmët e fjalës”
Për disa vjet ajo ishte nënkryetare e Klubit të Krijuesve Jonian të Sarandës.
 
 
ERDHA UNË, TË BËJ RRËMUJË
 
Erdha unë, të bëj rrëmujë.
Sa hyra në oborr
Të gjitha lulet e kopshtit tënd
Ngritën kokën për të më parë
Duke harruar prejardhjen e tyre.
Lulja e diellit – fytyra jote
U kthye nga unë
Si të isha burimi i dritës së saj
Mëngjesi u çel me të gjitha ngjyrat
e zgjati duart për të më mirëseardhur.
Ngjis shkallët si drejt parajsës
Dhe ato zgjaten e zgjaten drejt qiellit tënd.
Foleza jote merr krahë.
Ndërsa takohemi si në ajër
Duke fshehur rrahjet e forta te zemrës
Tik-taket ngatërrohen me orë, vite, shekuj.
Ashtu e prishur, koha ndalet.
Fjalët e pazonja ua lënë vendin shikimeve
Tingujt e natyrës thurin serenata ku përkunden ëndrrat tona.
Nga përralla ngre zërin një magjistare:
Nuk mund të vij. Nuk mund të vij.
Ka mjaft rrëmujë, pa ardhur unë.
 
 
TI NDIKON SI AJRI TEK UNË
 
Ti ndikon si ajri te unë.
Si një puhizë e lehtë më sjell vargje
Dhe unë nxitoj t’i hedh në letër si të ishin kryevepra.
(Çastet janë kryeveprat e vërteta.)
Ndonjëherë vjen si erë e marrë
Dhe më thua “e poshtër” gjithë zemërim
Atëherë vargjet janë më të bukura
Se kanë brenda zemërimin tënd.
Bëhesh i paduruar,
Vjen si stuhi
Kërkon të heqësh guackën ku jetoj
Të dal para teje e brishtë dhe e pastër
Të fshihemi në ndonjë shkretëtirë
Dhe të zgjojmë lumenjtë brenda nesh.
 
Ti ndikon si ajri te unë.
 
 
SHPELLA
 
Në këtë shpellë të vjetër janë fshehur:
Ushtarët, tradhtarët, dashnorët e minjtë e zinj.
Sa fjalë kanë dëgjuar këto mure të palatuar,
sa tradhtira, komplote, plane arratisjeje e kuisje,
sa fytyra kanë parë të pafjalë, të ngurtësuar,
të zbehta, të frikshme, të kuqe, të zjarrta, miushe…
Janë dhunuar dyshemetë e buta, të pallakuara
nga një pas-një këmbë, dy këmbë, dy e dy këmbë,
                         katër këmborë.
Shpellë e frikshme,
të kanë shfrytëzuar, braktisur, përlyer e thurur
                        këngë.
Ke qarë, ke qeshur, ke gogësitur e ke degdisur
                        shpirtin larg të mos dëgjonte.
Je mallëngjyer nga fjalët dredharake, joshëse
                        dashurore,
nga përbetimet e zjarrta me njëqind’’po’’
                        shoqëruar.
Vallë, u kthye kush të të falënderonte
për bujarinë, shpirtbardhësinë
                       e skutën e errët?
 
 

Antologji e takimit “Trirema e Poezisë Joniane”, Sarandë, Albania 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s