Poezi nga Diamanta Zalta
SHKRUMËZOJ TË KEQEN
Në këte ritëm shpirtëror që përpiqem të mbaj,
lulesh dhe aromash tokës së varfër,
shkund dertet si dëborën supesh,
ëndrrën e kreh me një krëhër te vogel,
ta bëj me të bukur .
Formoj pentagrame te gjate me sy,
qiejve të pakët që më lumturuan.
Të keqen tek njeriu e shkrumëzoj me një fjalë,
e flak pastaj , copëmjegull mbi mal.
Më jep kurajo vetem e verteta,
qe qeteson ndergjegjen me menyrat e veta,
regjur dhe ajo nga përgënjeshtrimet.
Frymoj jetën,
duke i falur mëkatarët,
I le pas me pendimet …
Ruaj të shtrenjtë, Njerëzoren,
Afër dhe mrekullueshëm …
Unë jam e dashuruar me diejt e dukshëm!
BIE SHI NË LION
Sa i bukur shiu në Lion,
me një vetull shumëngjyrëshe ylberi.
Syri im i larë në zjarr,
ndjek lotin e Nefelit, ta ngjalli …
Mbi qerpik, shkrin kripën një dëshirë,
nga zemra del një flutur … do lagesh ku shkon?
Boçe pishe mbi degë të harlisura, e mahnisin
ndersa këngën e vjeshtës time këndojnë …
Sa i bukur ky shi i ëmbël në Lion …!