Poezi nga Sahit F. Osmani

 
Poezi nga Sahit F. Osmani
 
 
GJUHA SHQIPE
 
Në palcën e gjuhës tingujt ngjizen
kthehen në kumbim zërash të përtërirë
Ashtit të moçëm i mëkojnë sythat
ndër dej të gjakut qarkullojnë papërlyer
 
Fjalë lëshon e perëndishmja
shpërthen me vrullin e zemrës
në trungun me rrezatim të shkëlqyer
fytyrën që s’mund t’ia fshihnin shekujt
 
Në shpirt i zbërthen gjymtyrët
tingujt pikojnë mjaltë dashurie
e stolisur me kurorë ilirie
e rrënjë të lashta pellazgjike.
 
 
DUHET TË JESH…!
 
Duhet të jesh vetë jeta
Që matet me peshoren e kohës
Me agime e muzgje të errëta
Rrugëve të spërdredhura të botës
 
Duhet të jesh vetë durimi
Që nyjë të mban lidhur shpresën
Ngulitur në çdo qelizë truri
Kur e keqja të shpërlanë kujtesën
 
Duhet të jesh vetë zhvendosja
Në kohë dhe në hapësirë
Dhe të kesh krah të rrufeshëm
Të çash terrin me rrezatim
 
Duhet të jesh vetë guximi
Dhe kur jeta të dridhet
Ahere kur në sy të ngrin loti
I vetmi i ëmbli dhe i hidhuri
 
Dhe krejt i vetëm nëse mbetesh
E shpirtin ta shkundë bishë e egër
Gjymtyrë më gjymtyrë të ngjitesh
Të kapësh kufijtë e universit.
 
 
ERËRAT E DASHURISË
 
Erërat e dashurisë i çelin lulet e jetës
në degët e stinëve ndërtojnë çerdhe
mushkëritë të marrin frymë lirshëm
e keqja zemrat mos t’na i lëndojë
 
Enden hapësirave ndarjet i tërheqin
me shenjtërinë e tyre i bashkojnë
udhëve të jetës dhimbjet dhe vuajtjet
me nektarin e luleve i shërojnë
 
Erërat e dashurisë puthin me buzëqeshje
në arkë të mbyllur e zgjojnë shpresën
kur përplasen dallgët mizëri të jetës
fatit të përvuajtur ia hapin rrugën.
 
 
E TJETËRSUAR
 
Dëshiroja të mësoja shumë prej teje
ate që se mëson dot njeriu
rastet e ndërlikuara të detyrojnë të qëndrosh larg
ndaj atyre që qëndrojnë shumë shkallë më lart
ti i takoje çiltersisë me bukurinë mahnitëse
sa s’ka tjetër të përqaset me ty
emocionet më ëmbëlsonin zemrën
s’doja të isha besëshkelës i çasteve të lumtura
harmonia doja të përshtatej me gjithë shpirt
pa shkaktuar neveri përpiqesha të dhuroja kënaqësi
por s’gjeja mënyrën dot për të mësuar, se si
zemra të kishte kujdes ndaj madhështisë fisnike
ndaj teje, që sot i përket asaj tjetrës të tjetërsuar
si gjethnaja në stinën e vjeshtës…
 
 
Dyert e zemrës hapja dashurisë!
 
Egoizmi të ka robëruar mendjen
lakmia për artificiet të ka verbuar
s’e sheh pastërtinë e shpirtit njerëzor
bukuritë e jetës që duhet shijuar
 
Me urtësinë mund të zbulosh rrugë
që ta largosh veten nga lakmitë
dyert e zemrës t’ia hapësh dashurisë
dhimbjet dhe vuajtjet t’i shërosh!
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s