Poezia dhe personaliteti i Kolec P. TRABOINIT / Nga: Luigj ÇEKAJ

 
Poezia dhe personaliteti i Kolec P. TRABOINIT
 
“As Eva as Adami nuk ishin antarë partie…
Këtë gjë njerëzimi e di, prandaj dije dhe ti!”
 
Evgeni Jeftushenko
 
Me aq sa më kujtohet mua, ka qenë fundshtatori i vitit 1973, kur sapo zbrita shkallët e Filialit të Universitetit Luigj Gurakuqi ku studioja në vitin e dytë të inxhinierisë mekanike dhe dola në rrugë takova rastësisht, ish mikun dhe ish mësuesin tim të paharrueshëm poetin Frederik M. Rreshpja, i cili më propozoi që të pinim nga një kafe diku, duke përjashtuar, si për çudinë time, vetëm klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Veteranëve të Luftës, të cilët ndodheshin tok… në të njëjtin midis!
“Më ka rënë në dorë një kryevepërz e Jeftushenkos”, tha Riku, sapo zumë një tavolinë në kafene, “prandaj thashë se për të lexuar një poet rus, vend më të përshtatshëm se këtu nuk ka”!
“Monologu i një të pasnesërme”, titullohej poezia që fillonte me dy vargjet e cituara më lart. “Është tërësisht kundër-revolucionare” nxori si konkluzion Rreshpja pasi e rilexuem vjershën dy-tri herë. “Po, po, me këtë poezi – shtoi – Jeftushenko ja ka vënë minat si burrat… pushtetit të sovjetëve të cilët e kanë shndërruar Rusinë në një vend ikonash dhe hatash!” Në çdo varg të ri, poeti i madh, jo vetëm që nuk zbutej por egërsohej edhe më fort si për të arritur tek shpërthimi si vullkan i ca vargjeve bombarduese që formuloheshin me protestat e ma poshtme: “Po ku është partia e vejushave e invalidëve… pelegrinëve, Partia e Jezusave… e familjes e fëmijëve?!…”, sikur ulërinte E. J. duke ri kërkuar lirinë e popujve të robëruar…
Ndërkohë, pasi e palosi vjershën me kujdes dhe e vendosi te çanta e zezë, Riku më pyeti befas nëse e kisha marrë apo jo, një libër të ri me tregime që titullohej: “Petalet e bajames së hidhur”, dhe që kishte si autor Kolec Traboinin?! Pastaj, kur vetë u përgjigja me jo, Frederiku më shpjegoi se si Koleci ishte njëri nga studentët më të talentuar që ka qyteti ynë Shkodër sot, se tregimet i ka të shkëlqyera dhe se në një të ardhme jo shumë të largët, ai do të bëhet, pa dyshim, një nga personalitetet e rëndësishme të letrave shqipe… Ashtu sikur dhe ndodhi vërtetë me Kolecin pas vitit 1995, kur Traboini, i zhgënjyer si shumëkushi, u nis me nxitim drejt Evro-Amerikës. Krijimtaria e begatë letrare e K. Traboinit, gjatë studimit të të cilës shpesh herë më ka rikujtuar desidencën e Jeftushenkos, bile edhe ashpërsinë e bitnikut amerikan siç e kanë quajtur ndryshe Alen Ginsberg-un, është vlerësuar nga një mori shkrimtarësh dhe poetësh…
Editorit të gazetës Dielli z. Dalip Greca, ka shkruar: Vëllimi poetik “Koha e Prostitutave” i Kolec Traboinit, i ngjanë një deti të trazuar plot me tallaze, ku shpërthejnë fortunat e një shpirtit poetik, dhe ku lëngon një zëmër e ndjeshme, e cila rreh dhe vuan bashkë me… Atdheun. Koleci në fakt, megjithëse ka punuar gati një çerek shekulli në ish Kinostudio, më shumë se çdo gjë tjetër ai është një poet i dhembshur, trim dhe kryeneç si rrallëkushi?!
Pas rënies së diktaturës dhe deri më sot, Traboini ka botuar rreth tridhjetë vepra të gjinive të ndryshme letrare, midis të cilave, sikur do t’i shihni, shquhen poezitë e këtyre pesë librave:
1- Fajin e ka Hekuba, 2- Nokturn, 3- Rekuem për një gjethe, 4- Koha e prostitutave dhe 5- Orakujt kanë zbritur në Ferr.
Libri “Orakujt kanë zbritur në Ferr” është ndërtuar mbi strofat e pikëlluara të një elegjie si të pafund, e cila përbëhet prej 17 Gjamëve e të një Kryegjame dhe ca koraleve aty këtu. Gjama (ose gjëma në gjuhën e njësuar), është një vajtim apo disa vajtime që u bëhet të vdekurve dhe megjithëse është një ritual pagan, edhe sot e kësaj dite e ushtrojnë kryesisht veç shqiptarët e krishterë të krahinave veriore si p.sh. Malësia e Madhe, Dukagjini, Mirdita, Nikaj-Mërtur etj. në të njëjtën kohë kur dihet se Gjama tek ne shqiptarët është më e vjetër se Homeri dhe se ardhja e Jezu Krishtit në këtë botë.
Tani, se cilit njeri të vdekur apo vendi, në prag të vdekjes, ja u ka përkushtuar Traboini kësisoj vajtimesh të trishtuara besoj se është tejet e qartë mjafton që t’i hedhim një sy kryeqytetit të Shqipërisë pas tridhjetë vjetëve demokraci dhe do të bindemi kollaj.
Vargjet e disa gjamëve, më se një herë, ka shkruar analisti dhe njohësi më brilant i poezisë së Kolecit, Anton Gojçaj, megjithëse lidhjet mund të jenë tepër të largëta dhe të imta, më kanë rikujtuar një fragment nga Ungjilli sipas Lukës ku, siç dihet, vetë Jezu Krishti i drejtohet Jerusalemit: “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbytë ata që të dërgohen!” (Luka 13:34).
“Shqipëri vendi im dhe i mundimeve njerëzore/Deri kur do t’i lësh pjellat tua/Të bredhin rrugëve të kësaj bote/ Për ca euro-dollarë të fituar me zor/ Duke larë pjata për bukë një poet a doktor!”, ka shkruar Traboini në Gjamën e dytë, duke u dhënë të kuptojnë të gjithë atyre që dëshirojnë të ikin nga vendet e tyre, se emigrimi i tanishëm është një zgjidhje tepër e vjetruar për të mos përdoruar fjalën e ashpër shkatrruese… deri në shpërfytyrim! Lexo tregimet e O. Henrit!
K.Traboini sikur ka dhe titullin “Mjeshtër i Madh” është mjeshtër i gjetjes së rimave dhe i trajtimit të figurave të ndryshme stilistike, ku bien në sy krahasimet dhe metaforat, por edhe metabolat, alegoritë, hiperbolat dhe sarkazma, që duke e kryer gjithsecila funksionin e vet, në vartësi të gjuhës së pasur poetike të Traboinit, i japin poezisë një thjeshtësi tepër të veçantë për t’u kuptuar.
Duke e lexuar këtë poet, si të “padisiplinuar”, jam i bindur se dashamirësve të poezisë do t’u kujtohen radhazi korifenj të tillë letrash si Zef Serembe, Atë Gjergj Fishta, Ali Asllani, Fan S. Noli, Bukovski, bile edhe U. Uitmen e Jeftushenko, siç e kemi cekur qëllimisht qysh në fillim… Duke ecur në këtë rrugë Traboini është vetkthyer në njërin nga ata poetët e “pavetëdijshëm”, të cilët Platoni para mijëra vjetëve i dallonte kështu:
“Kam arritur në përfundimin, se nuk është mençuria ajo që u jep mundësi poetëve që të shkruajnë poezi, por është një lloj instinkti apo frymëzimi, si ai që hasim tek Orakujt dhe Profetët, të cilët i përcjellin mesazhet e tyre të larta, pa i ditur fare kuptimet e tyre… si Hyjnore do të theksoja unë”!
 
Revista “Jeta katolike” f.32-34, New York, janar-mars 2019
 
Nga: Luigj ÇEKAJ

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s