Poezi nga Grigor Jovani
SHENJTI I HIDHUR
Mban mend?
Të putha vjet për Shën Valentin.
Poshtë një ulliri mbanim zemrat lidhur.
Qysh nga ajo kohë, kur piqen ullinjtë,
kanë shije të hidhur.
USHTARËT PREJ BALTE
Mundohem të depërtoj përmes viteve të mia,
si ushtarët kinezë prej balte rreshtuar,
me shikimin e ngrirë në shekuj harruar,
me të njëjtin qëndrim:
“Gatitu!”
I shtyj të kaloj. Bërtasin:
“Mos guxo të na prekësh me duar!
Nuk u lodhe duke na shtyrë gjer këtu?!”
QYLYMI I PENELOPËS
Duke të thurur vargje netëve pa mbarim,
krijova portretin tënd mbi një qylym,
grua.
Brenda një nate, për inatin tim
ti ia shkule fijet një për një,
në mëngjes i hodhe në përua.
Tani je e kënaqur, nuk më thua?
MONUMENTI I SKËNDERBEUT
NË TIRANË
Afër mesnatës,
duke ecur majë gishtërinjve,
që të mos i dëgjoheshin trokitjet e patkonjve
dhe prishte gjumin e shkurtër të kalorësit,
kali shkoi deri tek xhamia,
të shuante etjen pesëshekullore,
tek çezmja poshtë minares.
Pikërisht më 12 ra sahati i xhamisë
dhe zgjoi dhinë e egër
të përkrenares.
TAVERNA
– Sill verë! Më të vjetrën, usta!
Drodhi mustaqet, u fshi në përparëse
dhe tha:
– Dakort! Por “të vjetër”, përse?!
– Pres të më vijë dashuria e re!
VENDE TË NATYRSHME
Kërkoj një zemër.
Në vende të natyrshme,
mund ta gjej,
më në fund…
Vizitoj bibliotekën
Shekuj me libra,
dituri dhe shpresa,
shkrime të pafundme,
të huaja dhe të miat,
zemër askund.
Hap frigoriferin.
Gjithfarë lloj gjellësh,
me merak gatuar,
tani që s’është nëna
me zemër asnjë.
Më kujtohen ëndrrat.
Një qiri që digjet,
më ndriçon fytyrën.
Zemra errësirës
më fshihet gjithnjë.
Kërkoj një zemër…
Vëndet e natyrshme,
nuk fshehin më asgjë.
TRËNDAFILI ME GJEMB
Tek gota e zbrazur mbi tavolinë,
la pak të kuq – trëndafilin
me gjëmb.
Të pija ujë dhe ta ndjeja në shpirt:
dashuria dhëmb.
ËNDRRA NË LUTRAQ
Si mund të ishte ky det pa ty?
Si një shkretëtirë
pa beduinë dhe gamile.
Por ti je këtu. Kam blerë
krem dielli për dy
dhe dy-tre bestseler me idile.
Era e Lutraqit
më hedh rërën mbi sy:
– Ëndërron mes vapës, vre file?!
————–
(gr) vre file – or mik.